Albspirit

Media/News/Publishing

Një akademik Fan Nolist, kandidat për Rektor në Universitëtin publik “Fan S. Noli”

*Universiteti “Fan S.Noli”,  qendër e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore

 *Intervistë me kandidatin për Rektor të Universitetit Publik “Fan S.Noli”, Korcë Prof. Dr. ALI  JASHARI

Pyetje: Zoti Profesor, ju tashmë jeni një akademik i afirmuar jo vetëm në universitetin “Fan Noli”, por dhe më gjerë. Cila ishte arësyeja që ju po kandidoni si drejtues i këtij Universiteti të rëndësishëm për zonën Juglindore të vendit?

Përgjigje: Së pari përshëndes të gjithë kolegët dhe studentët e Universitetit “Fan Noli”, të cilët me përkushtim e profesionalizëm kanë mbajtur gjallë edukimin dhe arësimimin e qindra studentëve në fusha të ndryshme, me të cilët kam ndarë punën dhe angazhimin tim si mësimdhënës, koleg, vendimarrës, në ditë të mira e të vështira në Universitetin “Fan S.Noli”. Më vjen mirë që këtë moment ta ndaj me gazetën tuaj, të cilën për hir të së vërtetës e ndjek herë pas herë, sidomos të shtunave dhe të djelave. Arësyeja kryesore që më shtyu drejt këtij vendimi lidhet në radhë të parë, me arritjet e shënuara nga Universiteti ynë, falë punës dhe përkushtimit të stafit akademik, të organeve dhe autoriteteve drejtuese, që nga rektori deri te përgjegjësit e departamenteve, ku dhe unë kam dhënë ndihmesën time modeste, në detyrën e Zëvendësrektorit të universitetit dhe të Dekanit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, si anëtar i senatit akademik dhe kryetar i këshillit të profesorëve apo në detyra të tjera. Tashmë Universiteti “Fan S.Noli” i Korçës, ka krijuar profilin e tij të plotë si një institucion me emër dhe me integritet të plotë, me një infrastrukturë bashkëkohore, me një staf të dyfishuar në numër dhe me kualifikimet e duhura e gjithnjë në rritje, me programe studimi të konsoliduara me synimin drejt programeve të reja për t’u paraprirë kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të rajonit të Korçës, me veprimtari shkencore mbarë dhe ndërkombëtare, që e kanë hapur dhe e kanë lidhur institucionin tonë me shumë universitete të tjera, me projekte të frytshme në dobi të përngritjes shkencore të shumë prej pedagogëve dhe studentëve, me një numër të mjaftueshëm studentësh, që po shkon drejt prurjeve cilësore, me mjedise mësimore e çlodhëse, që do të shtohen edhe më shumë, me investime të nevojshme, që do të rriten në të ardhmen etj. Në vijim të intervistës po e zgjeroj pak pyetjen tuaj: pse vendosa që të kandidoj për detyrën e rektorit të universitetit dhe nuk bëra zgjidhje të tjera të mundshme?  Kjo është pyetja më e natyrshme që duhet t’ia bëjë vetes secili që kandidon për këtë detyrë, apo edhe për detyra të tjera të rëndësishme, në të cilat individi ka rolin e vet të pamohueshëm dhe mund të bëjë që institucioni që do të drejtojë ose të ecë përpara, ose të krijojë një status quo, ose të marrë teposhtën, duke sjellë  edhe dëme shumë të mëdha që mund të mos ndreqen për vite të tëra. Me fjalë të tjera, drejtuesi që kërkon të jetë i tillë, duhet të dalë mbi veten për të realizuar një mision të lartë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në të mirë të të gjithë njerëzve që i kanë besuar, për komunitetin përreth universitetit, për prindërit, studentët, për Korçën dhe rajonin e saj, por edhe më gjerë. Unë kam besim se mund ta marr përsipër këtë detyrë, duke besuar që, së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar, duke punuar së bashku dhe me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Theksoj se të gjitha këto dhe arsye të tjera, unë i kam paraqitur para stafit akademik dhe studentëve në Projektprogramin e Zhvillimit të Universitetit të Korçës për katër vitet e ardhshëm, duke i kërkuar atyre dhe mbështetjen tuaj të hapur dhe të sinqertë.

Pyetje:-Ju folët për përmirësim të programeve të deritanishme, cfarë propozoni konkretisht?

Përgjigje: -Aktualisht Universiteti “FAN S.Noli”, {UK. FS.N.}, ka 6500 studentë, nga 3200 që kishte në vitin 2008, një rritje e pazakontë kjo referuar kushteve dhe mundësive, ndërkohë që është rritur dhe numuri i pedagogëve të cilët duhen kualifikuar me programe të studimit “Bahcelor”, “Master profesional”, “Master Shkencor” dhe “Doktoraturë”. Referuar misionit që ka universiteti, si institucion i arsimit të lartë dhe sipas ligjit të ri të arsimit të lartë ne, në përgjithësi, i plotësojmë të gjitha kriteret për të ruajtur një status të tillë. Por, ndërkaq duhen realizuar disa përbërës të tjerë: së pari, cikli i tretë i studimeve. Ne kemi vetëm një program të tillë në Fakultetin e Bujqësisë për “Hortikulturë të qëndrueshme”, i cili duhet vënë në baza më të shëndosha organizative për të rritur cilësinë, së dyti, brenda dy vjetëve ne duhet të plotësojmë kushtet për të ngritur këshillin e profesorëve të universitetit, së paku me 18 profesorë. Aktualisht ne kemi 5 profesorë dhe 34 profesorë të asociuar, shumica e të cilëve mund të aspirojnë për marrjen e titullit “profesor”, sipas përcaktimeve të ligjit të ri të arsimit të lartë, ndaj dhe objektivi ynë është që brenda 2 vjetëve ne të arrijmë ngritjen e këshillit të profesorëve të universitetit, së treti, ne duhet të hapim të paktën dhe tre programe të reja të ciklit të tretë, studime të doktoraturës (Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane). Pra, konsolidimi dhe rritja cilësore e programeve ekzistuese të studimit, ristrukturimi i tyre sipas ligjit të arsimit të lartë dhe lehtësimi i transferimit të studimeve për studentët do të jetë një objektiv i rëndësishëm për vitin e ardhshëm akademik. Gjithashtu hapja e programeve të reja në bazë të kërkesave të tregut të punës, sidomos programe studimi 2-vjeçare me karakter profesional, mbi bazën e arsimit të mesëm që përgatitin specialistë për drejtime të caktuara, si specialistë veterinarie, specialistë të pyjeve, edukatore për foshnjërinë dhe fëmijërinë e hershme, specialistë për hoteleri-turizëm, specialistë për marketing-tregti etj. (sipas propozimeve që do të bëhen nga departamentet e fakulteteve). Këto programe studimi janë përparësi e strategjisë kombëtare për arsimin e lartë.

Pyetje: Sot, jo vetëm në Universitetet Botërore por dhe në vendin tonë shtrohet domosdoshmëria e punës kërkimore-shkencore, inovacionit dhe botimeve cilësore për këto veprimtari, cfarë mendoni ju se mund të realizohet në UK.FS.N.

Përgjigje: Mendoj se në të ardhmen organet dhe autoritetet drejtuese të Universitetit tonë  do të përkrahin përgatitjen dhe botimin e teksteve universitarë nga pedagogët tanë, përkthime tekstesh bashkëkohorë etj. Për të realizuar këtë proces do të ngremë Entin Botues të Universitetit, si një institucion me statusin e një shtëpie botuese, ku tekstet universitarë do të subvensionohen nga të ardhurat sipas fakulteteve, në mënyrë që ato t’u jepen studentëve me çmime të reduktuara.

Gjithashtu universiteti do të marrë përsipër botimin e monografive të pedagogëve (sikurse është bërë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë ku janë në proces botimi 24 monografi) dhe libra të tjerë të tyre me karakter shkencor. Ndërkohë do të bëhet ristrukturimi i Buletinit Shkencor të Universitetit, duke nxjerrë 4 seri sipas fakulteteve (një herë në vit, sikurse dhe ka ndodhur nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Edukimit) dhe do të përmirësohet cilësia e botimeve. Mirë do jetë që cdo fakultet të organizojë të paktën një herë në vit, një konferencë me prurjet më të fundit të pedagogëve të çdo fakulteti (të cilat mund të jenë lënda për botimin e revistës së fakultetit). Për këtë do përkrahet dhe mbështetet financiarisht pjesëmarrja e pedagogëve në veprimtari shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, aplikimi për projekte në shkallë fakulteti dhe universiteti, si dhe në projekte ndërkombëtare, ristrukturimi i njësisë që merret me projektet duke përfshirë edhe pedagogë të tjerë në çdo fakultet. Theksoj se, të gjithë pedagogët që do të marrin pjesë në projekte, veprimtari shkencore, kualifikuese, botuese etj. për shërbime me palë të tjera, do të motivohen financiarisht në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe akteve të tjera nënligjore. Krahas këtyre do të rinovojmë laboratorët shkencorë, sallat e informatikës dhe gjuhës angleze, për të cilat do afrojmë donatorë. Për ta zgjeruar këtë veprimtari ne do bashkëpunojmë dhe me universitete evropiane dhe në SHBA.

Pyetje:-kuptohet që bazë për realizimin e synimeve tuaja është niveli i akreditimit të stafit pedagogjik dhe zbatimi i kërkesave të procesit të Bolonjës, cfarë mendoni për këtë?

Përgjigje:-Aktualisht në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, Fakultetin Ekonomik, të shkencave të Natyrës dhe Humane dhe Fakultetin e Bujqësisë ka respektivisht  153 pedagogë efektivë dhe me kontratë me kohë të plotë, nga të cilët 5 profesorë, 34 profesorë të asociuar; 45 doktorë shkencash, 6 docentë dhe 69 “Master i shkencave”, pa përmendur numrin e pedagogëve të ftuar. Por, përballimi i detyrave dhe i sfidave që përmendëm më sipër kërkon që të rritet ndjeshëm numri i pedagogëve të kualifikuar. Ne do krijojmë lehtësira për stafin mësimdhënës dhe kualifikimin e tyre, konkretisht, brenda dy vjetëve do të synohet që të plotësohet objektivi për të ngritur këshillin e profesorëve, sipas Ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjithë pedagogëve me kualifikimin “master i shkencave”, të paregjistruar në doktoraturë, do t’u krijohen mundësitë për t’u regjistruar dhe për ta mbrojtur në kohën e duhur, pedagogët do të kenë mjedise më të mira për punë dhe kërkim shkencor, ndërkohë, të gjitha shpenzimet për mbrojtjen e doktoraturave (printime, lidhje etj.) do të përballohen nga buxheti i Universitetit.

Pyetje: Me sa shohim, programi juaj është tepër ambicioz dhe nqs realizohet Universiteti “Fan S. Noli” do jetë ndër më të kërkuarit, po për cilësinë e mësimdhënies cfarë mendoni?

Përgjigje:-Kjo është një pikë ku duhet të përqendrojmë më shumë vëmendjen në të ardhmen. Ne vërtet kemi përmirësuar infrastrukturën e mësimdhënies, diçka ka ndryshuar dhe për metodat e mësimdhënies, por mbetet shumë për të bërë. Cilat janë problemet dhe zgjidhjet? Sot, në rend të ditës është mësimdhënia mbi bazën e kompetencave dhe rezultateve të të nxënit. Në arsimin parauniversitar tashmë janë përcaktuar kompetencat kyçe dhe specifike për çdo fushë lëndore dhe lëndë që zhvillohet me nxënësit, ndërsa në institucionet e arsimit të lartë janë ende larg  konceptit për të mësuarit mbi bazën e kompetencave që sot është kryefjala e dokumenteve të Procesit të Bolonjës për arsimin e lartë. Në literaturën për arsimin, lidhur me termin “kompetencë” ka patur dhe ka pështjellime. Shpeshherë, termat “shkathtësi”, “aftësi”, “dije”, “kapacitet” etj. jepen si sinonime të termit “kompetencë”. Kompetencat janë shtyllë e mësimdhënies moderne në institucionet e arsimit të lartë, si bazë për zhvillimin e kurrikulave dhe plan-programeve mësimore, që përdoren për të përcaktuar  veprimtaritë mësimore dhe që duhet të vlerësohen përkatësisht. Në shumë shtojca të diplomës jepen të dhëna për të diplomuarit në formën e vlerësimit të kompetencave. Në një kurrikul të bazuar në kompetenca, të gjithë përbërësit e mësimdhënies: rezultatet e synuara të mësimit, metodat e mësimdhënies të përdorura, burimet për të mbështetur të mësuarit,  detyrat  vlerësuese dhe kriteret për vlerësimin e mësimit,  janë të lidhura dhe lehtësojnë arritjen e rezultateve të synuara të të nxënit. Për të diplomuarit e rinj nuk mjafton vetëm baza e dijes teorike që ata e marrin, por kanë nevojë edhe të përvetësojnë një sërë kompetencash që u mundësojnë atyre për të qenë më të shkathët për t’u ballafaquar me sfida të reja dhe të panjohura. Sot, me ndryshimet që ka pësuar shoqëria në të gjitha fushat kërkohet  që mësimi në auditorë  dhe laboratorë  të bëhet më tërheqës, më miqësor dhe përfshirja e studentëve brenda orës duhet të jetë e tillë që të ndikojë në rritjen dhe përmirësimin e të menduarit, të përvetësimit dhe zbatimit të njohurive. Ristrukturimi i kurrikulave universitare me bazë kompetencat është një detyrë urgjente, ndaj dhe ne po punojmë në këtë drejtim që brenda vitit të ardhshëm akademik  të zbatojmë një projekt konkret për mësimdhënien me bazë kompetencat. Nëpërmjet këtij projekti do të shihet  mundësia e riorganizimit të kurrikulës universitare,  me qëllim që të zhvillohen procedurat dhe instrumentet  për hartimin,  zbatimin  dhe vlerësimin e kompetencave që  duhet  ofrojë kurrikula në  në çdo program studimi, me ato që kërkohen nga tregu i punës. Konkretisht: Do të bëhet një përqasje dhe përshtatje e njohurive dhe praktikave të  Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, sipas nevojave dhe realitetit shqiptar të  tregut të punës, sidomos për rajonin e Korçës, Hartimi i kornizës së kompetencave, duke bërë një ndarje në kompetenca të përgjithshme dhe kompetenca të veçanta për çdo kurs studimi, publikimi i katalogut të kompetencave sipas programeve  përkatëse të studimit (do të  hartohet katalogu i kompetencave që fakulteti beson se duhet t’i ketë secili student në përfundim  të studimeve; çdo  program  studimi të ketë listën e vet të kompetencave, që përmban një sërë kompetencash të përgjithshme dhe një tjetër të kompetencave të veçanta; kompetencat e përgjithshme janë të njëjta për kurse të ndryshme studimi në fakultet; kompetencat e veçanta janë më të shumta në numër se të përgjithshmet dhe  përcaktojnë përmbajtjen aktuale dhe specifikat e dijeve për çdo të diplomuar të një program të caktuar studimi). Gjithashtu lidhur me këtë cështje e do hartohet dhe botohet manuali “Udhërrëfyes për mësimdhënien me kompetenca” që do të jetë ndihmesë shtesë praktike për grupet e interesit në nivel universitar dhe parauniversitar.

Pyetje:-si e shikoni në të ardhmen rolin e Universitetit të Korcës në rajonin e Korcës e më gjerë?

Përgjigje:-e shoh si qendër të madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore. Jam i sigurt se, në katër vitet e ardhshëm Universiteti “Fan S. Noli” do të rritë edhe më tej rolin e tij si qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në rajonin e Korçës dhe më gjerë, nëpërmjet këtyre rrugëve: duke forcuar lidhjet e organeve drejtuese të Universitetit dhe fakulteteve me drejtuesit e bashkive, të qarkut, të prefekturës, të drejtorive rajonale apo me organizata dhe fondacione që veprojnë në rajonin e Korçës; duke sjellë në universitet mendimin e specialistëve të fushave të ndryshme, si dhe të drejtuesve të organeve vendore për zgjidhjen e problemeve që ka universiteti; që edhe ata ta ndiejnë se janë pjesë e Universitetit të Korçës.UK.FS.N. do të bëhet nismëtar për të organizuar në mënyrë periodike konferenca shkencore popullarizuese për probleme të fushave të ndryshme, duke u mbështetur dhe në potencialet intelektuale që ka rajoni i Korçës. Një objektiv i rëndësishëm për katër vitet e ardhshme është që Universiteti ynë të ofrojë shërbime për probleme të rëndësishme të rajonit dhe më gjerë në përputhje me misionin e tij, duke bashkëpunuar me bashkitë e rajonit. Së pari, Fakulteti i Bujqësisë do të marrë përsipër të përpunojë politikat për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral të rajonit të Korçës, si dhe për prodhimin e teknologjive të reja. Për këtë: 1.EDE do të ngrihet në statusin e një qendre kërkimore-shkencore, që do të marrë përsipër trajnimin e fermerëve për gjithë rajonin, si dhe specializime afatshkurtra për probleme shqetësuese të bujqësisë dhe blegtorisë. Kjo qendër me 22 hektarë tokë do të pajiset me mjetet më moderne në fushën e kërkimit bujqësor e me gjerë, duke bërë investimet e nevojshme. 2. Pjesë e Fakultetit të Bujqësisë do të jetë dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive bujqësore, si bazë për zhvillimin e praktikave të studentëve të programit profesional për specialistë veterinarie. 3. Fakulteti i Bujqësisë do të bëjë certifikimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të rajonit.

Së dyti, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane:

1.Qendra e Ekselencës, mbi bazën e përvojës së fituar, do të ofrojë trajnimin e mësuesve në shërbim edhe me më shumë module në përputhje me përparësitë që do të japë Instituti i Zhvillimit të Arsimit, duke dhënë shërbimin e saj edhe jashtë rajonit të Korçës. 2.Departamenti i shkencave sociale dhe studentët e kësaj fushe do të angazhohen në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për kryerjen e studimeve të karakterit social në interes të komunitetit.3.Departamenti i Infermierisë do të ofrojë shërbime me ekipe pedagogësh dhe studentësh në fshatra të largët të qarkut të Korçës, aty ku mungon ky shërbim, si dhe për të ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme shëndetësore në shkallë rajoni. Së treti, Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për probleme të mprehta dhe aktuale të ndërmarrjeve ekonomike, të cilat do të realizohen nëpërmjet: 1.Qendrës së studimeve për tregun, sidomos për tregun e punës në të gjitha profilet e ofruara nga Universiteti i Korçës. Studimet e kësaj qendre do t’u paraprijnë aplikimeve për programe të reja studimi. 2.Duke marrë përsipër kualifikimet afatshkurtra të specialistëve të ekonomisë për të rejat bashkëkohore të fushës, për trajnimin dhe praktikën në hoteleri-turizëm etj. 3.Duke u nisur dhe nga përvoja e deritanishme, pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti do të marrin pjesë në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për zhvillimin e turizmit, si dhe për zhvillimin e praktikës së studentëve duke i angazhuar në projekte konkrete, panaire, anketime etj.

4.Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për shkrimin e projekteve dhe për drejtime të tjera.Së katërti, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë:1. Do të forcojë edhe më shumë në shkallë rajonale dhe kombëtare  rolin e Qendrës së Ekselencës për trajnimin e mësuesve në shërbim dhe do të hapë programe studimi të formimit të vazhduar për specializime afatshkrutra. Këto programe do të ofrohen edhe në forma të tjera, si shkolla verore etj.2.Departamenti i gjuhës shqipe do të ngrerë në nivel institucional Qendrën e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët emigrantë në bashkëpunim me Universitetin “Aristoteli” të Selanikut dhe Universitetin e Follorinës, duke mbështetur me tekste dhe literaturë tjetër për mësimin e shqipes nga fëmijët emigrantë. 3.Në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë do të funksionojë Qendra e provimit për gjuhën greke, si një shërbim në dobi të Universitetit. Mendojmë se një objektiv i rëndësishëm do të jetë bashkëpunimi i rektoratit dhe i organeve të tjera me grupet e biznesit dhe me organizma të tjerë për të siguruar tregun e punës për studentët diplomantë, duke e bërë reale  këtë çështje jetike për ardhmërinë e tyre. Këto masa do i shërbejnë përmirësimit të imazhit të UK.FS.N.

Pyetje: po përmirësimin e infrastrukturës cfarë keni menduar?

Përgjigje: Kam ndjekur me kujdes cdo investim që është kryer në UK.FS.N, di dhe shifrat e cdo investimi. Gjykoj se përmirësimi i infrastrukturës mësimore në këto tetë vite që kaluan ka qenë i dukshëm dhe nuk dua të ndalem më gjatë këtu, po në atë se çfarë do të bëhet katër vitet e ardhshëm. Objektivi kryesor do të jetë zgjerimi i mjediseve për mësim dhe për pedagogët. Për këtë: brenda dy vjetëve do të ndërtohet një godinë moderne universitare me sipërfaqe 3000 m2 në vazhdim të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, në harmonizim me gjithë kampusin universitar,  me vlerë 98 milionë lekë (që do të financohet nga Universiteti dhe Fondi i Zhvillimit të Rajonit), çka do ndikojë ndjeshëm në arritjen e standardit  do të ketë: auditorë me infrastrukturë bashkëkohore; një bibliotekë universitare dixhitale dhe shërbime online; një amfiteatër për veprimtari shkencore, kulturore, artistike; një palestër për veprimtaritë sportive të studentëve etj.mjedise për administratën e rektoratit dhe pedagogëve etj. Kjo godinë do të shërbejë për veprimtaritë mësimore dhe shkencore për programet e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve të të gjitha fakulteteve të Universitetit. Po ashtu godina e re do të ndikojë dhe në zgjerimin e mjediseve në Fakultetin Ekonomik (me zhvendosjen e administratës së universitetit). Po kështu, në Fakultetin e Shkencave do të ndërtohen 6 salla të reja leksionesh dhe mjedise të tjera për pedagogët. Do të bëhen investime në Qendrën kërkimore shkencore të fakultetit të Bujqësisë, me të ardhurat e Universitetit dhe në bashkëpunim me institucione e fondacione shqiptare dhe të huaja për modernizimin e qendrës, për ta bërë atë një pasqyrë të zhvillimit bashkëkohor të bujqësisë. Për këtë:-Në të gjitha mjediset e pedagogëve do të Universitetit do të bëhet rinovimi i bazës kompjuterike dhe i kushteve të tjera. Brenda vitit akademik 2016-2017 do të ngrihet Qendra e Provimeve Dixhitale për zhvillimin e provimeve të formimit me 30-40 poste.                                

Pyetje: Me sa kemi pare, ju këto ditë po zhvilloni një bashkëbisedim të hapur me studentët nën moton “Me sytë e zemrës tek studentët tanë”, cfarë nënkupton tematika e këtyre bisedave?

Përgjigje: Nëpërmjet këtyre takimeve unë i vë në dijeni pedagogët dhe studentët për kandidimin tim në detyrën e rektorit të Universitetit. I kam shprehur atyre besimin se mund ta marr përsipër këtë detyrë, dhe së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar. Ne do punojmë me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu kam diskutuar probleme e cështje të tilla si, studentët dhe vendimmarrja, pasi, studentët, si pjesë e vendimmarrjes, përmenden në gjitha dokumentet politikë të Procesit të Bolonjës dhe është detyrë e autoriteteve dhe organeve drejtuese të Universitetit që ta jetësojnë plotësisht këtë parim, si a-ja e demokracisë së universitetit, kemi trajtuar organizimin e këshillave studentorë, kartën e studentëve dhe mbështetja finaciare,  përmirësimi i infrastrukturës së Universitetit në mbështetje të studentëve, gjallërimi i jetës studentore brenda dhe jashtë universitetit, procesi i mësimdhënies, etj. Sigurisht që për të gjitha këto, i kam kërkuar mbështetjen studentëve në zgjedhjet e 20 prillit, kur unë do të votohem në detyrën e Rektorit të Universitetit të Korçës, për një mandat katërvjeçar. Mbështetja e tyre do të më japë edhe më shumë kurajë për të realizuar planin strategjik të zhvillimit të Universitetit për periudhën 2016-2020. Kjo mbështetje është shprehje e vendimarrjes së studentëve për ardhmërinë e Universitetit të Korçës, si qendra më e madhe mësimore, shkencore, kulturore etj. në rajonin e Korçës dhe më gjerë. Ndaj i falënderoj të gjithë, dhe i ftoj të marrin pjesë në zgjedhjet e 20 prillit, duke i kujtuar se votimi bëhet vetëm me kartën e identitetit ose pasaportën personale.

Zoti Profesor, faleminderit dhe urime më 20 prill.

Faleminderit ju!

Intervistoi gazeta “Dielli”.

Po kush është profili pedagogjik dhe shkencor i PROF. DR. ALI JASHARIT?

Ali Jashari, gjuhëtar e profesor, u lind në fshatin Çipan të Devollit më 20 qershor 1953, në një familje arësimdashëse. Pas shkollës së mesme në Bilisht, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua në degën Gjuhë shqipe-letërsi në vitin 1977.

Në vitin 1991 mbron gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me tezën “Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim” (me ekuivalentimin e gradave shkencore, në vitin 1994, merr gradën “Doktor i shkencave”); në vitin 1999 fiton titullin “Profesor i asociuar”, ndërsa më 2004 titullin “Profesor”.

Fusha kryesore e studimeve të prof. Ali Jasharit është leksikologjia, semantika dhe më ngushtë frazeologjia. Ai ka bërë disa kualifikime jashtë vendit, si: në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut (gjuhësi ballkanike); në “North London” të Londrës, për metodologjinë e mësimdhënies; në Universitetin e Oxfordit për kërkime në fushën e idiomatikës angleze e gjuhësinë moderne; në Arhus, Danimarkë, për gjuhësinë kompjuterike e didaktikë mësimore; në Universitetin e Bolonjës për arsimin gjithëpërfshirës etj.

Prof. Ali Jashari ka dhënë leksione për gjuhën shqipe në Fakultetin e Edukimit në Prizren (2000-2002), në Universitetin “Neofit Rilski”, Bllagojegrad, Bullgari (2004, 2008) dhe në Universitetin “St. Klement Ohridski”, Sofje, dega e ballkanistikës (2010). Në vitin 2003 merr titullin “Trajnues ndërkombëtar për të menduarit kritik gjatë të lexuarit dhe të shkruarit”.

Ai ka punuar mësues në shkollën e mesme, Miras (Devoll), specialist i gjuhës shqipe në Kabinetin Pedagogjik (Korçë) dhe mësues në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Korçë. Nga viti 1996 e vazhdim është pedagog i gjuhësisë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, ka hartuar programe mësimore dhe është lektor e titullar i lëndëve: Formim gjuhësor, Analizë semantike, Leksikologji, Gjuhësi e përgjithshme, Morfologji e gjuhës shqipe, Filozofi e gjuhës etj.

Prof. Jashari është pedagog i ftuar për leksione në disa universitete të Shqipërisë dhe udhëheqës shkencor i mbi 10 doktoraturave.

Prof. Ali Jashari ka tregues të lartë në fushë të botimeve të teksteve shkollore, si dhe librave universitarë, si: 1. Libri i gjuhës shqipe, 3 (për shkollat e mesme), ShBLSh, Tiranë, 1979 (bashkautor); 2. Libri i gjuhës shqipe 1, 2, 3, 4 (për shkollat pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja), SHBLSH, Tiranë, 1984-1995 (bashkautor); 3. Ushtrime për leksikologjinë e gjuhës shqipe, ShBLU, Tiranë, 1991; 4. Gjuha shqipe 5 (për shkollat e minoritetit), ShBLSh, Tiranë, 1995; 5. Gjuha shqipe për studentë, Kotti, Korçë, 1998; 6. Një libër dore për gjuhën shqipe, AEDP, Tiranë, 1999; 7. Praktikum për drejtshkrimin e shqipes, Kotti, Korçë, 2000; 8. Analiza semantike, Kotti, Korçë, 2001; 9. Gjuhësi e zbatuar 1, 2, Kotti, Korçë, 2003; 10. Doracak për gjuhën shqipe, Korçë, 2006 (bashkautor); 11. Formim gjuhësor 1, 2, Silver, Elbasan, 2007(bashkautor); 12.Krestomaci për gjuhësinë e përgjithshme, Kotti, Korçë, 2007; 13. Gramatikë e gjuhës shqipe (për studentët e gjuhëve të huaja), Prishtinë, 2009; 14. Gjuha shqipe dhe letërsia 10, Tiranë, 2010 (bashkautor); 15. Gjuhë amtare, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2010, 2011 (bashkautor);16. Gjuha shqipe për klasat 6, 8, 9, Uegen, Tiranë, 2012 (bashkautor); 17. Morfologji e zbatuar, Prishtinë, 2013 etj.

Libra të tjerë:

  1. Filli i Arianës (fjalorth me shprehje latine etj.), Kotti, Korçë, 1995; 2. Për gjuhën shqipe dhe mendimin kritik, Tiranë, 1999; 3. Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim (monografi), Kotti, Korçë, 2000; 4. Gjedhe mësimdhënieje përmes teksteve për shqipen, Kotti, Korçë 2000; 5. Përsiatje për gjuhën shqipe, Kotti, Korçë, 2003; 6. Anketimi dhe ekspeditat gjuhësore, Kotti, Korçë, 2007 (bashkautor); 7. Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe, Dudaj, Tiranë, 2007; 8. Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, Shkëndija, Prishtinë, 2008 (bashkautor); 9. Scripta manent, Promo Print Publishing House, Korçë, 2013; 10. Fjalor leksiko-frazeologjik i krahinës së Devollit, Promo Print Publishing House, Korçë, 2016. Ai është duke përfunduar Fjalorin e plotë të homonimeve të gjuhës shqipe dhe një monografi në gjuhën angleze për kalket dhe huazime frazeologjike.

Prof. dr. Ali Jashari ka botuar mbi 90 artikuj shkencorë dhe popullarizues në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Nëntori”, “Kultura popullore”, “Mprehtësi”, “Malësia”, “Scupi”, Buletini Shkencor i Universitetit “Fan Noli”, “Tempulli”, si dhe në organe të tjera jashtë vendit (anglisht, bullgarisht etj.) dhe ka marrë pjesë me kumtesa për gjuhësinë dhe mësimdhënien në disa konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. dr. Ali Jashari është organizator dhe bashkorganizator i disa veprimtarive shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë organizuar në Universitetin e Korçës dhe kryeredaktor i botimeve përkatëse, si: “Nga ëvetarët e Naum Veqilharxhit te Kongresi i Manastirit”, 14 nëntor 2008 (me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit); “Profesor Selman Riza dhe albanologjia”, 4 dhjetor 2009 (me rastin e 100-vjetorit të lindjes), “Akademiku Jani Thomai në 75-vjetorin e lindjes”, Korçë, 20-21 maj 2010; Konferencë kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Dritëro Agolli me rastin e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”, Korçë, tetor 2011; “Hafiz Ali Korça-55 vjet pas (1873-1956)”, Korçë, 21-22 dhjetor 2012; “Fan S. Noli në 130-vjetorin e lindjes”, Korçë, 2012; “Akademia jubilare me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit”, Korçë, 16-17 nëntor 2012; “Lidhjet kulturore dhe historike shqiptaro-rumune”, Korçë, 26-27 mars 2013; Konferencë shkencore kushtuar gjuhëtarit dhe profesorit Dhimitër Samara”, Korçë, 23 maj 2014; 2nd International Conference (Education Across Borders) “Critical Thinking in Education”, 31 October-1 November 2014, Korçë;  “Konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Thimi Mitkos në 195-vjetorin e lindjes”, Korçë, 25-26 mars 2015;  “Konferencë shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Athanas Tashkos”, Korçë 13 nëntor 2015, disa prej të cilave janë organizuar në bashkëpunim me institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit, si Bashkia e qytetit të Korçës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Fakulteti i Edukimit në Follorinë, Greqi, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Bitolas, Maqedoni etj., ku kanë marrë pjesë personalitete të shquara të shkencës, si: akad. Dritëro Agolli, akad. Teki Biçoku, akad. Jani Thomai, akad. Jorgo Bulo, akad. Kolec Topalli, akad. Gjovalin Shkurtaj, akad. Floresha Dado, akad. Françesko Altimari, prof. dr. Matteo Mandala, prof. Giovanni Belluscio, prof. Victor Fridman, akad. Grigore Brankush, akad. Nikolae Saramandu, prof. dr. Andreë Goodspeed, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Shezai Rrokaj, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Rami Memushaj, prof. dr. Dhimitri Bello, imzot Johan Pelushi, Prof. dr. Bardhyl Musai, prof. dr. Valter Memishaj, prof. dr. Dhurata Shehri, prof. dr. Ymer Çiraku, prof. dr. Abdulla Ballhysa, prof. dr. Shefkije Islamaj,  prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Hamit Xhaferi, prof. dr. Begzad Baliu e shumë  të tjerë.

Prof. dr. Ali Jashari përgjatë tetë viteve të fundit ka organizuar disa veprimtari për përurimin e librave të personaliteteve të ndryshme, lektoriume, biseda etj., si Amik Kasoruho, Adem Demaçi, Teodor Laço, Ben Blushi,  Skënder Rusi, Hysen Koçillari, Andon Andoni, prof. Roberto Dainese, prof. Federica Zanetti etj. Gjithashtu, prof. Jashari ka ndihmuar në gjallërimin e jetës studentore duke mbështetur të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Këshilli i Studentëve.

Prof. dr. Ali Jashari është drejtues i revistës “Vjetari shkencor-FEF”, botim i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Në vitet 2000-2008 ka qenë sekretar shkencor i Buletinit Shkencor të Universitetit “Fan Noli” dhe në vijim anëtar i Këshillit Botues, për disa vjet përgjegjës i departamentit të edukimit të përgjithshëm dhe më pas përgjegjës i departamentit të gjuhës dhe të letërsisë; në vitet 2008-2011 zëvendësrektor i Universitetit “Fan S.Noli”, anëtar i Senatit Akademik të Universitetit, anëtar dhe kryetar i Këshillit të Profesorëve, ekspert i jashtëm i Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe që nga viti 2012 e në vazhdim është dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Prof. Ali Jashari në nëntor-dhjetor të vitit 1991, ka qenë drejtues i grupit të punës së Komitetit Ekzekutiv të Stabilitetit të asaj kohe për hartimin e platformës dhe propozimit për hapjen e Universitetit të Korçës (janar 1992).

Please follow and like us: