Albspirit

Media/News/Publishing

Njeriu që e bëri Shekspirin të famshëm

Njeriu që e bëri Shakespearen të famshëm

Pesëdhjetë vjet pas vdekjes, Shekspiri ishte thuajse i harruar, veprat e tij ishin vjetruar dhe përqesheshin. Mjaftoi një aktor dhe një teatër për ta kthyer atë nga vdekja

Për pak ditë do të mbushen 400 vjet nga vdekja e Shekspirit, që do të përkujtohet me një grup ekspozitash, koncertesh, transmetimesh dhe performancash të veprave të tij. Teatrot më të rëndësishëm në Angli po krijojnë programe të ngjeshura me veprat e autorit, por deri më tani nuk është përmendur ende teatri që është më tepër përgjegjës për statusin ndërkombëtar të Shekspirit. Ky është teatri mbretëror “Drury Lane” në Londër.

Në vitin 1916, eventi kryesor i 300-vjetorit të vdekjes së Shekspirit ishte një performancë e Jul Cezarit nga aktorët më të famshëm në “Drury Lane”. Aktori Frank Benson, teksa mbante ende petkun e përgjakur të Cezarit, u nderua nga Xhorxhi V, e vetmja herë që një aktor është nderuar në një teatër. Kjo, për shkak se “Drury Lane” është konsideruar prej kohësh si “Teatri Kombëtar” – përpara se një organizatë e tillë të kishte dhe një tempull për Shekspirin. Kur “Drury Lane” u çel më 1663-shin, Shekspiri shihej thjesht si një autor i disa veprave të vjetra, ku disa prej tyre mund të performoheshin ende nëse sajoheshin për t’iu përshtatur shijeve të kohëve. Ai vihej në lojë nga francezët për dështimin në vëzhgimin e “harmonisë” së kohës së Aristotelit, vendin dhe veprimin (një keqinterpretim i Aristotelit, por kjo është një histori tjetër) dhe për nxitjen e dhunës dhe shthurjes në skenë. Por, nga fillimi i shekullit të 18, opinionet për Shekspirin filluan të ndryshojnë. Nicholas Rowe publikoi vëllimin e parë shkollor të veprave më 1709-n, pasuar nga Alexander Pope më 1725-n, që (pavarësisht shpërfilljes për metrikën poetike të Shekspirit), shkroi për autorin me frymë pozitive. “Nëse ndonjë shkrimtar meriton emrin e një origjinali, është Shekspiri. Vetë Homeri nuk e përftoi artin e tij aq drejtpërdrejt nga burimet e natyrës”. Dr. Johnson nxori një botim të vetin më 1765-n. Shekspiri filloi të konsiderohej jo vetëm si dramaturgu më i mirë, por edhe si simbol i madhështisë së vendit të tij: burrëror, i ndjeshëm dhe antitezë e veprave operistike të këngëtarëve francezë joburrnorë dhe italianëve të lodhur. Asnjë person nuk punoi më shumë për të promovuar Shekspirin si një simbol të madhështisë britanike sesa David Garrick, i cili pushtoi Londrën më 1742-shin me performancën e tij të Rikardit III dhe brenda pesë viteve po drejtonte teatrin “Drury Lane”. “Ky vend ishte projektuar për Shekspirin”, tha ai nga skena e “Drury Lane”. Në fakt, nuk ishte e vërtetë, por Garrick mund të shihte avantazhin e përftimit të “Drury Lane” nga rritja e famës së Shekspirit dhe vetë madhështisë së tij. Ai madje ndërtoi një tempull për Shekspirin në kopshtin e tij në Tuickenhem. Tempulli vazhdon të ekzistojë dhe statuja gjendet tani në Bibliotekën Britanike. Prodhimet e tij në “Drury Lane” i bënë veprat e Shekspirit të famshme në të gjithë Europën dhe ndërsa Shekspiri nderohej si dramaturgu më i madh në botë, Garrick përshkruhej si aktori më i madh i të gjitha kohërave. Ky njeri e bëri Stranfordin një destinacion turistik me jubilenë e Shekspirit në vitin 1789, i pari event i këtij lloji, që kishte një oratori, një odë dhe një ballo (por çuditërisht jo teatro). Ata kishin planifikuar të krijonin një përjetim të Shekspirit me aktorë të veshur sipas personazheve të veprave të tij, por atë ditë ra aq shumë shi, saqë u desh të anulohej për të shmangur dëmtimin e gardërobës së “Drury Lane”. I patrembur, Garrick e ktheu përkujtimin e Shekspirit në një spektakël skene në “Drury Lane”, ku u bë një nga hitet më të mëdha. Garrick u pasua në teatrin “Drury Lane” nga seri aktorësh që dhanë performanca, të cilat ndryshuan mënyrën se si shihej Shekspiri. Sarah Siddons, si Ledi Makbeth, e përloti Xhorxhin III, ndërsa aktorët e tjerë ngjallën gjithë e më shumë personazhet e tjera. Ngadalë, përshtatjet e mëparshme të Shekspirit për ta bërë atë më të përshtatshëm me kohën filluan të dilnin nga skena, si për shembull “Mbreti Lir” në vitin 1823, të cilit iu kthye fundi tragjik dhe kështu veprat iu kthyen formës origjinale. Në vitin 1864, për 300-vjetorin e lindjes së Shekspirit, teatri “Drury Lane” luajti veprat e dramaturgut çdo natë, që nga hapja në Pashkë deri në Krishtlindje, përfshirë “Henrin IV” (të dyja pjesët), “Otellon” dhe “Makbethin”. Ishin të gjitha në versione origjinale. Në vitet njëzet filluan të shfaqeshin muzikale amerikane në “Drury Lane” dhe që atëherë teatri u bë muzikor. Personi i fundit që u përpoq t’i rikthente vendin Shekspirit në “Drury Lane” ishte Ivor Novello, ylli i “Henrit V” në vitin 1938. Por, pavarësisht profilit të tij perfekt, shfaqja nuk mundi të vazhdojë më shumë se tri javë. Pavarësisht kësaj, është për të ardhur keq që teatri i vjetër nuk është pjesë e festimeve të Shekspirit me rastin e 400-vjetorit të vdekjes, pavarësisht se ka një vend mjaft të rëndësishëm në ngritjen e reputacionit të tij.

Please follow and like us: