Albspirit

Media/News/Publishing

Kushtetuta e Washington shitet për 10 milionë USD

Arbitri i ankandit John Hayes jep vendimin për shitjen

Kopja qe përgatitur për presidentin e parë dhe më të nderuar të Amerikës.

Kopja personale e presidentit George Washington e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shit për 10 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Christie’s.  Libri, i cili mbart edhe shënime të kryera nga vetë presidenti, u botua në vitin 1789, gjatë kohës kur ai sapo kishte marrë postin.

Ekspertët besonin se mund të shitej për 2 milionë dollarë, por gjatë ankandit, vlera e dokumentit me moshë 223 vjeçare u rrit ndjeshëm.

Historianët thonë se shënimet e Washinton-it e bëjnë dokumentin veçanërisht të rëndësishëm, pasi presidenti i parë i Amerikës qe i vetëdijshëm për faktin se precedentët që ai do të vendoste, do të përcaktonin edhe historinë e SHBA-ve.

Akti më i rëndësishëm i presidentit të parë të Amerikës qe heqja dorë nga pushteti pas mandatit të dytë, gjë që vendosi një rregull që mbetet në fuqi edhe sot e që garanton rotacion pushteti në demokracinë më të madhe të botës.

Libri me kapakë lëkure është në kushte shumë të mira dhe është stampuar me stemën e familjes. Ai përmban gjithashtu edhe aktet e para të Kongresit, përmes të cilave u krijuan departamentet e Shtetit, Drejtësisë, Mbrojtjes dhe Thesarit.

Ankandi për blerjen e librit u luftua nga dy kandidatë që mbetën anonimë deri në fund. Blerësi rezultoi më vonë se qe Shoqata e Zonjave të Malit Vernon, që pagoi çmimin final prej 9,826,500 dollarësh.

“Është një ditë shumë e lumtur. Ne jemi krenarë që po e kthejmë këtë libër të jashtëzakonshëm në Malin Vernon, ku e ka vendin,” deklaroi shoqata.

Shoqata jofitimprurëse është përgjegjëse për mirëmbajtjen e fermës në Virxhinia, e cila ka qenë dikur rezidenca private e presidentit Washinton. Libri do të vendoset në bibliotekën presidenciale, që pritet të hapet në vitin 2013.

Libri u lidh posaçërisht për presidentin nga Thomas Allen, një libralidhës nga Nju Jorku. Ai ka përgatitur kopje të tilla edhe për Thomas Jefferson, i cili qe Sekretari i parë i Shtetit dhe Prokurorin e parë të përgjithshëm John Jay.

Libri i shitur nga Christie’s mbeti pjesë e bibliotekës origjinale edhe për shumë vite pas vdekjes së presidentit të parë. Ai u shit te një koleksionist privat në vitin 1876 dhe qe blerë nga një koleksionist tjetër më 1964.

Washington qe komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Kontinentale gjatë luftës për Pavarësi dhe u zgjodh president pas arritjes së fitores.

Please follow and like us: