Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulohet dielli që “gëlltit” një planet

Shkencë

Astronomët kanë zbuluar fakte për një planet që po thithet nga ylli i tij. Kjo mund të jetë situata në të cilën mund të ndodhet planeti ynë pas miliarda vitesh. Grupi i shkencëtarëve që ka zbuluar shenjat e këtij planeti që po “përpihet” nga dielli i tij, thonë se ky është një rast i mirë për të studiuar një fat të ardhshëm dhe të largët të Tokës. Arsyeja që planeti, sipas tyre, po thithet nga dielli, është se një planet i afërt me të mund të jetë shkatërruar dhe si pasojë e prishjes së ekuilibrit gravitacional, planeti nuk ka rrugë tjetër veçse të thithet nga dielli që ka një masë më të madhe dhe një forcë tërheqëse që e thith planetin, të cilit i ka humbur ekuilibri. Ky studim është bërë nga një grup shkencëtarësh polakë e spanjollë përmes teleskopit Hobby Eberly me qendër në Teksas. Një fat i tillë mund të presë të gjithë planetët e sistemeve diellore, mes të cilëve edhe sistemi ynë. Është ky një proces normal që ndodh si pasojë e prishjes së ekuilibrave gravitacionalë për shkaqe të ndryshme. Fakti i parë që i çoi shkencëtarët në zbulimin e këtij planeti ishte mungesa e planetit që është shkatërruar. Më pas, përmes analizave të ndryshme, është parë se planeti pranë kishte ndërruar trajektore shumë çuditshëm dhe po i afrohej gjithnjë e më shumë diellit të tij. Pra, prishja e orbitës së zakonshme të rrotullimit të këtij planeti rreth diellit ishte edhe guri i provës që mundësoi edhe zbulimin e faktit të thithjes së këtij ylli. Këto janë në fakt fenomene të zakonshme në jetën e planetëve dhe yjeve të galaktikës sonë dhe shkencëtarët teorikisht i njohin, por ndjekja direkte e një fenomeni të tillë është interesante, sepse jep më shumë informacione në lidhje me këto fenomene, të cilat herët a vonë do të jenë edhe pjesë e fatit të planetit tonë.

Please follow and like us: