Kush e vrau spiunin më të madh të shekullit 20?

Simon Parkin, The Guardian

Kur Ashraf Marwan vdiq pasi ra nga ballkoni i një apartamenti në Londër, mori me vete edhe sekretet e tij. A po punonte ai për Egjiptin apo Izraelin? Dhe a ishte zbulimi i identitetit që çoi në vrasjen e tij?

Ashraf Marwan dhe blloku i pallateve nga ai u rrëzua dhe vdiq në vitin 2007. Foto nga The Guardian

Ashraf Marwan, një person që e përshkruajnë si spiuni më i madh i shekullit 20, ishte gjallë kur ra nga ballkoni i katit të pestë në apartamentin e tij 4.4 milion paundësh në Londër. Biznesmeni egjiptian arriti në Londër në orën 1.30, mesditën e 27 qershorit të vitit 2007. Në atë moment qielli ishte i mbushur me helikopterë, dhe papritur u dëgjua ulërima e një gruaje. Dikush telefoni policinë. Mjekët arritën tepër vonë. Marwan vdiq.

Detajet e minutave të fundit të jetës së Marwan mbeten të pazbuluara. Kjo jo për shkak të mungesës së dëshmitarëve. Mëngjesin e ditës së vdekjes së tij, 4 burra ndodheshin në një takim në katin e tretë të një ndërtese, nga ku ballkoni i Marwan shihej mjaft qartë. Këta burra, József Répási, Essam Shawki, Michael Parkhurst dhe John Roberts punonin në një nga kompanitë e Marwan, Ubichem PLC, dhe madje pak kohë më parë kishin mbyllur telefonin me shefin e tyre e kishin lënë takim me të.

Repasi, që ishte ulur me kurriz nga dritarja, dëgjoi një nga kolegët e tij të bërtiste “Shikoni dr. Marwan-in!”. Dhe në momentin që Repasi ishte kthyer nga dritarja e pa Ashrafin tek binte. Shawki, që asokohe ishte drejtor i Ubichem, vrapoi poshtë për të dhënë ndihmën e tij. Më pas Repasi pa sërish nga dritarja për të parë ballkonin nga ra Marwan. “Pashë dy persona në dukje nga Lindja e Mesme që shikonin poshtë nga ballkoni”, thotë ai për The Guardian, por asnjë dhe as vetë ai nuk arrin ta vërtetojnë nëse ata ndodheshin në ballkonin e apartamentit nr. 10, adresa e Marwan.

U hodh vetë apo e shtynë? Ekzaminimet post-vdekjes gjetën gjurmë antidepresantësh në gjakun e Marwan. Një raport nga doktori i tij konfirmoi se kohët e fundit kishte qenë nën stres të vazhdueshëm dhe kishte humbur 10 kg në dy muaj. Por ekzistojnë arsye të besohet se nuk ishte vetëvrasje. Nuk kishte lënë shënim. Marwan duhet të fluturonte për në SHBA atë natë për një takim me avokatin e tij. Ai sapo ishte pranuar në Klubin e Reformave, ku anëtar ishte dhe Princi Çarls. Pak ditë më parë i kishte blerë nipit të tij një Playstation 3 për ditëlindje. Marwan dhe gruaja e tij, Mona Nasser, vajza e ish-presidentit të Egjiptit, do të çonin nipërit e mbesat me pushime. Pra, ai kishte plane. Kishte takime, kishte arsye të jetonte. “Nuk ka prova çrregullimi mendor,” tha kolonel William Dolman.

Por, edhe nëse s’kishte qëllim të vetëvritej, kishte frikë se mos e vrisnin. Herën e fundit i kish thënë gruar se mund ta vrisnin. “Kam shumë armiq rreth vetes” thoshte ai. Gruaja e tij thoshte se Marwan kontrollonte çdo natë dyert para se të fliste, një zakon që nuk e kishte bërë më parë gjatë 38 viteve të martesës.

Kishte diçka tjetër të dyshimtë që shtynte të mendohej se ishte vrarë. Ditën e vdekjes së tij ishte zhdukur një dokument me kujtime nga rafti i tij i librave. Tre volume me 200 faqe, si dhe kasetat e regjistruara me zërin e tij ishin zhdukur.

Sipas një studiuesi, Marwan kishte punuar për shumë vite për inteligjencën egjiptiane, izraelite, italiane, amerikane e britanike. A ishte gati ai të nxirrte sekrete që do të shqetësonin mbretërit dhe kombet e ndryshme? Marwan ishte egjiptiani i tretë që jetonte në Londër që vdiq në rrethana të tilla të dyshimta. Të gjitha viktimat kishin lidhje me shërbimet e sigurisë egjiptiane.

Hetimi për vdekjen e Marwan dështoi të jepte përgjigje. “Ne nuk kemi fakte pavarësisht investigimit të kujdesshëm”, tha koloneli Dolman në vitin 2010. Pas tre vite hetimesh në dy skuadra të ndara, shumë pyetje mbetën pa përgjigje. Historia duket e çuditshme – vdekje në mes të ditës, në mes të Londrës, me dëshmitarë. Skena ishte e mbushur me të dhëna, por jo aq prova sa për të zgjidhur historinë. Si vdekja ashtu dhe jeta e Marwan mbetën të errëta.

* * *

Në momentin që Ashrafi ra nga ballkoni, Ahron Bregman po priste nga spiuni në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin e Londrës, një telefonatë që nuk erdhi kurrë. Kur u largua nga zyra dhe po drekonte me familjen, Bregman mori një telefonatë. Ishte motra e tij, duke marrë nga Izraeli: “Marwan kishte vdekur”. Ky lajm e çorientoi Bregmanin, por jo se ishte krejtësisht e papritur. Bregman e dinte që jeta e mikut të tij ishte në rrezik, dhe gjithashtu dinte se ai ishte pjesërisht përgjegjës për çështjet e vendit.

Marrëdhënia e Bregman me Marwan ishte e komplikuar. Personalisht ishin takuar vetëm një herë para 4 vitesh në një hotel në Londër. Para se Bregman të hynte në jetën e Marwan, egjiptiani ishte i njohur si një biznesmen i pasur dhe një fans i çmendur i Chelsea-t, madje kishte dhe 3.2% aksioni tek klubi. Çdo gjë ndryshoi kur në jetën e tij hyri Bregman.

* * *

President Nasser i Egjiptit (majtas), duke shtrënguar duart me Ashraf Marwan (djathta), gjatë martesës të Marwan me vajzën e Nasser, Mona (në qendër), më 7 Korrik 1966.

Marwan lindi në Egjipt në vitin 1944. Në moshën 21-vjeçare, ai u diplomua për inxhinieri kimike në Universitetin e Kairos dhe u rekrutua në ushtri. Në vitin 1965, Marwan ishte duke luajtur tenis në periferi të kryeqytetit të Egjiptit, kur “spiunoi” një vajzë simpatike, Mona Nasser, vajza e tretë dhe e preferuar e presidentit egjiptian, që ishte 17 vjeç në atë kohë. Çifti u martua vitin e ardhshëm, duke e futur Marwan-in në rrethin shoqëror elitar. Marwan e vazhdoi shërbimin ushtarak dhe për dy vite të tjera, përpara se të lëvizte në Londër për të studiuar kimi.

Marwan ishte shumë ambicioz gjatë jetës, arriti një pasuri deri në 400 milion paund. Për të shtuar të ardhurat si student, sipas një historiani, ai joshi gruan e një sheiku kuvajtian, e cila e ndihmonte atë financiarisht. Kur Presidenti Nasser e mori vesh këtë gjë kërkoi që Marwan të divorcohej nga vajza e tij. Por çifti refuzoi të ndahej.

Pranverën e vitit 1969, ndërsa albumi i Beatles po ngjitej në renditje, Marwan vizitoi Londrën, për t’u konsultuar me një mjek për dhimbjet e stomakut. Më pas, Marwan shkoi në ambasadën izraelite dhe kërkoi të fliste me një anëtar të skuadrës së sigurisë. Atë e kthyen mbrapsht të paktën dy herë, përpara se më në fund ta lejonin të linte një mesazh. Marwan e prezantoi veten me emër dhe shprehu dëshirën për të punuar për inteligjencën izraelite.

* * *

Ai vendosi mos ta linte numrin e telefonit, sepse do të kthehej në Egjipt ditën e nesërme dhe tha se do të merrte sërish në telefon gjatë pasdites. Telefonoi, por nuk mori përgjigje, këtë herë vendosi të linte numrin e telefonit të hotelit të tij. Shmuel Goren, kreu europian i Mosadit ndodhej në Londër në atë kohë dhe kur mori mesazhin e Marwan e njohu emrin menjëherë. Goran e telefonoi Marwan-in dhe i tha të mos largohej nga dhoma e tij e hotelit. Telefoni ra sërish, Marwan shkoi në një kafe afër hotelit.

Brenda në kafene, ndodhej një burrë i ulur në tavolinë duke lexuar një gazetë. Ai pa në një fotografi pranë filxhanit të kafes dhe e krahasoi me personin që sa hyri tek dera kryesore. Ai i bëri me shenjë një tjetër personi që priste jashtë. U afrua e tha: “Zoti Marwan? Jam i gëzuar që të takoj, emri im është Misha”. Personi me gazetë, vetë Shmuel Goren u largua nga ndërtesa pa u vënë re. Marwan i foli Mishës për lidhjet e tij dhe atë çka mund t’i ofronte izraelitëve dhe kërkoi një pagë prej 100 mijë dollarësh.

Mosad i vuri në dyshim qëllimet e Marwan. A po planifikonte ai të bëhej një agjent i dyfishtë për të ushqyer Izraelin me informacione të gabuara dhe të kalonte sekretet në vendin e tij? Marwan e mohoi një gjë të tillë pasi Egjipti ishte mundur në luftën 6-ditore në vitin 1967. Ai thjesht donte të ishte në anën e fituesve. Pas takimit Misha u takua me Goren në një taksi. Ata panë dokumentat e Marwan dhe sipas Goren ato ishin tepër të përshtatshme. “Material si ky nga një burim si ky është diçka që ndodh një herë në një mijë vjet”, tha Gored atë ditë, sipas Jerusalem Post. Një agjent tjetër i Mosad e përshkroi këtë situatë, “sikur të kishin dikë që flinte në krevatin e Nasser”. Nofka e Marwan brenda Mosadit ishte: Engjëlli.

* * *

Marwan vazhdoi të fitonte besim në Egjipt. Pas vdekjes së vjehrrit të tij në shtator 1970, ai i kaloi disa dokumente sekrete izraelite tek pasardhësi i Nasser-it, Anwar Sadat, dhe si rezultat fitoi më shumë ndikim. Dyshimet e Mosad për Marwan u komplikuan tre vjet më vonë, kur u dërgoi një mesazh izraelitëve për t’i paralajmëruar për një sulm të mundshëm egjiptian. Por nuk ndodhi asnjë sulm. Gjendja e alarmit i kushtoi Izraelit 35 milionë dollar. Më 4 tetor 1973, spiuni paralajmëroi sërish Izraelin për një sulm të mundshëm egjiptian. Mëngjesin e ditës tjetër, kabineti izraelit mobilizoi tanket. Këtë herë informacioni ishte i saktë, vetëm se egjiptianët sulmuan 4 orë përpara se Marwan lajmëroi.

Në atë kohë popullsia e Izraelit numëronte më pak se 3 milionë. Ushtria e vendit mbështetej tek rezervistët, dhe qeveria kishte nevojë për informues që ta ndihmonin në mobilizimin e ushtrisë. Motivimi i Marwan ishte çelësi për fitimin e besimit të njerëzve të tij. Apo mos ndoshta, si patriot i zjarrtë, ai donte vetëm të shpërndante informacione të rreme tek Mosad në rolin e një agjenti të dyfishtë?

Që Marwan punonte me izraelitët nuk kundërshtohet. Gruaja e tij, Mona, tha se në fillim të vitit 2000, ajo u përball me bashkëshortin e saj. Si fillim ai e mohoi që kalonte informacione tek izraelitët. Më vonë, ai pranoi se kalonte informacione, por deklaroi se ishin false. Cila është e vërteta? Bregman beson se e di përgjigjen. Por një tjetër pyetje e torturon atë: A ishte përgjegjës ai për vdekjen e spiunit?

* * *

“Është një gabim i madh të ekspozosh spiunët e gjallë,” tha Bregman. “Kurrë mos e bëni, edhe nëse keni mundësi”.

“Është një gabim i madh të ekspozosh identitetin e spiunëve të gjallë. Mos e bëni kurrë”... Historiani Ahron Bregman.

Ne u takuam një pasdite shkurti në zyrën e tij në Kolegjin Mbretëror në Londër. Pikërisht aty u ul Bregman më 27 qershor 2007, duke pritur një telefonatë nga spiuni për t’i thënë se ku do takoheshin atë ditë më vonë. Por telefonata nuk erdhi kurrë. Por kjo nuk e shqetësoi shumë Bregmanin. Gjatë marrëdhënies së tyre 5-vjeçare, ai ishte mësuar me kapriçiot e Marwan, një zakon i spiunit i lindur nga paranojat.

Bregman është një nga historianët kryesorë të luftërave të shekullit të 20 të Izraelit. Por ai e përshkruan veten si një akademik me shpirtin e një gazetari. Talenti i tij për punë investigative është i qartë në historinë se si arriti të identifikojë Marwan-in si agjenti i njohur “Engjëlli”, detaje të cilat nuk i kishte zbuluar më parë. “Unë besoja se ishte e mundur të merrja të gjithë literaturën mbi luftën Yom Kipur dhe të shikoja identitetet e tyre,” thotë ai. Ndërsa vëzhgonte dokumentat, dyshimi i Bregman rritej. Marwan u bë balena e tij e bardhë. “Kisha nevojë për një lloj konfirmimi,” thotë ai. “Nuk mund të akuzosh dikë për spiunazh. Marwan ishte shumë i pasur. Ai mund të më hidhte në gjyq”.

* * *

Nga viti ’99, Bregman filloi t’i çonte Marwan-it artikujt e tij, duke shpresuar që të zbulonte diçka. Por jo, kështu që akademiku vendosi të udhëtonte në Izrael për të takuar redaktorin e librit që kishte publikuar “Kujtimet e Gjeneral Eli Zeria, ish-drejtori i inteligjencës ushtarake izraelite. “Pas takimit me të, supozimi im është që as Zeria nuk donte ta konfirmonte emrin”.

Dyshja u takua në një kafene në Tel Aviv në vitin 2000. “Në fillim doja që të fitoja besimin e tij, pastaj e pyeta menjëherë: A është Marwan spiuni? Redaktori largoi shikimin dhe buzëqeshi. “Ky ishte konfirmimi im,” thotë Bregman. “Marwan ishte spiuni me nofkën Engjëlli”. Në librin e tij të parë “Luftërat në Izrael” që e publikoi në fund të 2000-shit, ai iu referua spiunit Engjëlli si krahu i djathtë i Nasser-it. Një kopje ia dërgoi Marwan-it. Asnjë përgjigje. Ai u inkurajua nga mospërfillja, dhe shkoi më tej me librin e tij të dytë “Historia e Izraelit”, që u publikua në shtator të vitit 2002. “Aty shkrova se Engjëlli është një nga të afërmit e Nasser-it,” tha Bregman. Sërish Bregman i çon një kopje të librit të tij Marwan-it, këtë herë me shkrimin: “Për Ashraaf Marwan-in, heroin e Egjiptit”. Por prapë asnjë përgjigje. Megjithatë plani funksionoi. Në Egjipt një tjetër gazetar bëri një intervistë me Marwan dhe e pyeti se ç’mendonte për pretendimet e Bregman. “Libri i Bregman është një histori idiote detektive,” tha Marwan.

“Unë u lëndova,” tha Bregman. “Punova për atë libër për katër vjet, si guxonte ai të thoshte kështu?“. Me këtë përgjigje Marwan i kishte rikonfirmuar dyshimet e Bregman se ai ishte spiuni. “Gazetari brenda meje e dinte se unë kisha skup-in. Dhe mos ta ekspozonte një gjë të tillë s’kishte kuptim”. Javën e ardhshme Bregman dha një intervistë për revistën javore egjiptiane “Al-Ahram Al Arabi”. Gjatë bisedës me gazetarin, në mënyrë eksplicite e përmendi Marwan-in si spiun. Në intervistë tha se “duhet të mbroj emrin tim të mirë si historian”.

Më 29 dhjetor 2002, 7 ditë pasi intervista e Bregman u publikua në Izrael, ai ndodhej në kopshtin e tij, kur ra telefoni në shtëpinë e tij. Një zë nga ana tjetër e telefonit tha me theks të trashë arab: “Unë jam personi për të cilin ke shkruar”. “Si të jem i sigurtë për këtë,” u përgjigj Bregman. “Ti më dërgove librin me dedikim…” tha zëri nga ana tjetër e telefonit.

Marrëdhënia mes tyre filloi të bëhej më aktive, me telefonata të shumta të shkëmbyera. Kishte raste që Marwan telefononte, nuk fliste, e mbyllte, e merrte përsëri në telefon më vonë. “Punë spiunësh,” thotë Bregman. Marwan e paralajmëroi Bregmanin se të gjithë telefonatat e tij regjistroheshin nga shërbimet inteligjente egjiptiane dhe britanike. Ndryshe nga pritshmëritë e Bregman, Marwan nuk ishte i nevrikosur. “Në një farë mënyrë ishte logjike, sepse e kishte kuptuar që sekreti i tij tashmë kishte dalë sheshit. Ai ishte i zgjuar. Por gjithashtu një person që mund të ishte dhe shumë i ashpër. Megjithatë përdorte sharmin e tij. Më bëri mua mbrojtësin e tij. Për një moment nuk pashë më tek ai një spiun të pakapshëm, por një person me probleme me zemrën. Një person me stres,” thotë Bregman. “Ai më merrte në telefon dhe flisnim për një kohë të gjatë. Nuk kishte askënd me cilin të fliste. Nuk mund të diskutosh rreth spiunazhit me fëmijët apo gruan”.

* * *

Kur Bregman e pyeti nëse dëshironte që ky i fundit t’i shkruante biografinë, Marwan nuk pranoi. “Ai donte që kjo histori të mbyllej”. Por pyetja 1 milion dollarëshe është se pse Marwan filloi të shkruante autobiografinë e tij kur donte që historia e tij të zhdukej? “Ndoshta kjo ishte mënyra që të më ndalonte që unë të shkruaja biografinë time për të”. Pas disa muajsh pasi Marwan e përfundoi, ai madje i kërkoi Bregmanit që të redaktonte librin e tij. E pyesja vazhdimisht: Si do ta ketë titullin libri? Kur do të jetë gati? Do shkruhet në anglisht apo arabisht? Ai më tha se do të jetë në anglisht sepse arabët nuk lexojnë libra.

* * *

Pas vdekjes së Marwan, gjetja e dëshmive të ekzistencës së biografisë u kthye në një mani për Bregman. Ai kontaktoi çdo arkivë në Britani dhe SHBA për të parë nëse Marwan kishte lënë ndonjë kopje. Por më pas takoi bibliotekaren Mary Curry nga arkiva kombëtare në Uashingoton. Në një email të gjatë, Curry konfirmoi se Marwan kishte vizituar dy herë arkivin, në të dyja herët pa paralajmëruar. Curry e ndihmoi Marwan të kërkonte emrin e tij në një bazë të dhënash në dokumentet e qeverisë amerikane. Por nuk u kthye më kurrë atje. Pas shumë kërkesave të përsëritura, ai nuk gjeti asnjë fjalë.

* * *

Marwan dhe Bregman u takuan vetëm një herë personalisht, në tetor të vitit 2003. Marwan në fillim e ftoi Bregmanin ta takonte në hotelin Dorchester. “Për izraelitët si unë, Dorecheter ishte një makth” thotë Bregman, sepse aty një grup palestinezësh vranë ambasadorin izraelit, duke shkaktuar luftën në Libi, në të cilën Bregman luftoi si oficer artilerie. Që atëherë Marwan kishte frikë për jetën e tij. Ai i tha Bregmanit se libri i Howard Blum, në vitin 2003 rreth luftës Yom Kippur, që e përmendte atë si spiuni me nofkën Engjëlli, dhe theksonte me detaje se si spiuni kishte filluar të punonte për izraelitët, ishte “një ftesë vrasjeje për të”. Megjithatë, miqësia e tyre ishte afeksion. Marwan ishte i vetmuar, thotë Bregman. Në vitin 2007 marrëdhënia e tyre u bë më shumë dramatike.

Ndërsa Bregman e kishte vënë disi në rrezik Marwan-in duke ekspozuar emrin e tij “Engjëlli”, kjo mbetej akoma fjala e një historiani. Asnjë nuk e kishte konfirmuar këtë si fakt. Në Izrael, Marwan ishte bërë subjekt i një çështjeje të profilit të lartë të gjykatës midis dy zyrtarëve të lartë izraelitë, gjenerali Zeira (personi që i konfirmoi se spiuni Engjëlli ishte Marwan) dhe Avi Zamir, ish-kreu i Mosadit. Zamir akuzonte Zeiran për nxjerrjen e identitetit të Marwan-in në shtyp. Zeira e paditi Zamirin për shpifje. Rasti u shty derisa më në fund gjyqtari vendosi që më 25 mars 2007 se Zeira ia kishte treguar identitetin e spiunit me nofkën Engjëlli tek persona të paautorizuar. Verdikti u bë publik tre muaj më vonë, më 14 qershor. Brenda 13 ditëve, Marwan vdiq.

* * *

Kur Bregman pa raportet e verdiktit, në të cilin gjykatësi thirri zyrtarisht për herë të parë Marwan-in si spiuni me nofkën Engjëlli, ai menjëherë i shkroi Marwan, për ta paralajmëruar se jeta e tij ishte në rrezik. Gabimisht, Bregman, që ishte paralajmëruar nga Marwan që të mos e merrte më në telefon, i dërgoi letrën në adresën e vjetër të spiunit. “Zakonisht ai më kthente përgjigje brenda 48 orësh,” thotë Bregman. “Kurse kësaj rradhe nuk dëgjova gjë për një javë”. Kur Marwan e mori letrën, ai la tre mesazhe plot panik në sekretarinë telefonike të Bregman, të gjitha brenda një hapësire kohore pre një ore. “Ishte hera e parë që ndodhi brenda 5 vitesh,” tha Bregman.

Kjo ishte historia se si Ahron Bregman po priste një telefonatë nga Ashraf Marwan në zyrën e tij ditën që spiuni vdiq. Ja pse Bregman ndjehej shumë fajtor. “Isha një hero i madh kur e zbulova atë,” shkroi më vonë Bregman. “Por një njeri shumë i vogël pasi ai vdiq”. “Ja ç’ndodh me ne gazetarët. Jemi ndonjëherë kaq të vendosur të zbulojmë diçka, por harrojmë gjërat rreth nesh. Familjen tonë, familjen e tij, ne jemi qenie njerëzore si fillim”.

* * *

A u hodh vetë Marwn apo u shty? “Të vrisje atë nuk kishe pse i jepje një shtyrje fizike,” tha Bregman. “Mund t’i kenë thënë: Ti ke dy djem, nëse do që ne t’i lemë të qetë ata, duhet të hidhesh. Ndoshta diçka e tillë. A do të ketë qenë një e shtyrë fizike apo psikologjike?”.

Policia britanike i identifikoi dy personat që ndodheshin në ballkonin e Marwan kur ai u hodh për vdekje, por kurrë nuk i kanë bërë publik emrat e tyre. Të gjitha informatat që kanë të bëjnë me jetën apo vdekjen e Marwan lidhen me 6 të dhëna që përfshijnë:

Hosni Mubarak, presidenti i Egjiptit gjatë kohës së vdekjes së Marwan, ishte i vetmi lider kombëtar që sugjeroi publikisht fajtorin. Nëse Egjipti fshihet pas vrasjes së Marwan, ata sigurisht e bënë atë të duket ndryshe. Funeralit i spiunit në Kajro ishte shtetëror. Flamuri egjiptian dhe dekoratat ushtarake të Marwan rrethonin arkivolin. Djali i Mubarak, Gamal, ishte i pranishëm, madje dhe vetë presidenti lëshoi një deklaratë duke thënë: “Unë nuk dyshoj në besnikërinë e tij”.

Por të njëjtën gjë tha edhe Zvi Zamir, ish-kreu i Mosad. Marwan spiunoi në mënyrë besnike për Izraelittët për para dhe për ego, më tha Zamir në një intervistë në apartamentin e tij në Tel Aviv. Por tani, vdekja e spiunit Marwan ka mbetur edhe në mendjen e 90-vjeçarit Zamir. “Asnjë ditë e vetme nuk kalon pa pyetjen torturuese që i bëj vetes në kokë, nëse mund ta mbroja më mirë atë,” shkruan ai në biografinë e tij “Me sy të hapur”.

Gjatë hetimit, gruaja e Marwan, Mona tha se besonte ishin agjentët e Mosadit që e kishin vrarë bashkëshortin e saj. Por kjo nuk kishte shumë gjasa të kishte ndodhur sipas hetuesve, për faktin se të vrasësh një ish-agjent se emri i tij u zbulua dukej një dekurajim i madh për rekrutët e rinj. Edhe pse Izraeli besonte se Marwan ishte një agjent i dyfishtë, që punonte edhe për egjiptianët, ata nuk bënë gjë dhe në heshtjen e tyre, besonin se ai ishte besnik i kauzës së tyre.

* * *

Në fund të qershorit, 6 muaj pas përpjekjes sime të parë për të kontaktuar me familjen e Marwan, një përgjigje erdhi nga Ahmed, djali i vogël i spiunit. Ahmed pranoi të më takonte gjatë një vizite në Londër nga shtëpia e tij në Kajro në fillim të korrikut. E takova në hollin e hotelit Grenn Park. Nxorra telefonin nga xhepi për të regjistruar bisedën, i shqetësuar se nuk do dëgjoheshim nga zhurmat e ambientit apo boritë e makinave, pasi qëndruam jashtë. “Mendoj se duhet ta regjistrojmë të dy këtë,” tha Ahmed duke vendosur telefonin e tij pranë timit.

Ai fliste me superlativa për babain e tij. “Marwan ishte një njeri plot jetë, shumë i sjellshëm dhe i qeshur, vështirë se i sosej ndonjëherë durimi”, thoshte Ahmed. Ahmed dhe i ati i tij ishin shumë të afërt. Atyre u pëlqente të flisnin për futboll. “Tani babai është në duart e Zotit”. E pyeta për gjendjen e tij mendore kohët e fundit. “A e di ti se çfarë ndodhi?” pyeta unë. “Sigurisht që e di, të gjithë e dimë. Ngjarja ndodhi në rrethana tepër të çuditshme. Po bëhet një hetim, dhe në hetim janë shfaqur shumë prova. Gjykatësi tha se ai e refuzonte idenë se babai im e kishte marrë vetë jetën e tij. Nuk ka asnjë provë që e dëshmon një gjë të tillë”.

Sigurisht që fakti që babai i tij nuk kreu vetëvrasje hap diskutim për pyetje të tjera. Ato pyetje kalojnë dhe në kokën time.

“Unë nuk jam në paqe,” thotë Ahmed. “Por e pranoj atë çka ndodhi. E pranoj……” (një pushim i gjatë)

“E pranoj që babai im nuk është më këtu. Është një fakt. A më mungon? Sigurisht që më mungon. A uroj që të kisha kaluar më shumë kohë me të? Sigurisht që po. Ai ishte i ri, shumë i ri. Por ja që ndodhi. Çfarë mund të bëj? Besoj se kurrë nuk do mundemi t’i drejtojmë dikujt gishtin për ta bërë përgjegjës për këtë që ndodhi. Ndonjëherë dikush duhet të pranojë limitin e asaj çfarë mund të bëjë”.

“Pse mendon se e vranë?”, pyeta unë.

“Sepse unë jam një baba vetë…e nuk do e bëja një gjë të tillë, të vetëvritesha,” tha Ahmed.

“A jeni i shqetësuar se mos ketë pasoja, madje dhe tani?”

“Gjithnjë ka pasoja për atë çka njerëzit thonë apo bëjnë. Megjithatë, gjërat janë vendosur në gjykatë. Gjërat janë të vendosura në shoqëri. Historia vetëm sa shpaloset. Ja pse përpiqem të jem i kujdesshëm”.

“Kush e vrau babain tënd?” (Një tjetër pushim i gjatë)

“Dikush që i interesonte vdekja e tij,” tha Ahmed. “Kishin një arsye që e bënë. Nëse heton se kush ishte ky person (Marwan) se çfarë bënte? Atëherë mund të gjesh një numër të madh arsyesh.

Pas bisedës me të, pyesja veten se pse Ahmed kishte pranuar të takohej me mua, një gazetar i huaj. Mona, bashkëshortja ime gjithnjë kontrollonte duke më marrë në telefon nëse Ahmed mos kishte thënë ndonjë gjë që mund të vinte jetën tonë në rrezik.

E pyeta Ahmedin se çfarë kishte mësuar nga babai i tij. Ahmed tha: “Njëherë babai më tha, çdo gjë që doja ta mësoja nga bota ishte atje, publike. Nuk ke pse mundohesh shumë duke kërkuar, çdo gjë është atje”.

Bregman i dedikoi një libër Marwan-in, një heroi të Egjiptit. Dhe tani, pasi kanë kaluar kaq kohë nga shqyrtimi i rastit, është vështirë mos të kuptosh se ishte Egjipti ai që fitoi më shumë nga vdekja e Marwan. Më pas janë dhe ata trupat e tjerë egjiptianë, të hedhur nga ndërtesat e larta në Londër.

Vdekja e Marwan është një tjetër mister që vështirë të injorohet. Edhe Bregman nuk e përjashtonte idenë se egjiptianët kishin gisht në vdekjen e Marwan./TO/