Albspirit

Media/News/Publishing

Po ky, ç’pati? (Përgjigje Gjongecajt, Fugës e të tjerëve për Akademinë e Shkencave)

Po ky, ç’pati? (Përgjigje Gjongecajt, Fugës e të tjerëve për Akademinë e Shkencave)

Një intervistë e prof.Pëllumb Xhufi në DITA për gazetarin Xhevdet Shehu, botuar më 10 maj, kishte në fokus Akademinë e Shkencave dhe dhe katandisjen e saj aktuale, si pasojë e një “reforme” të vitit 2007 që nxorri në rrugë shumë specialistë e shkencëtarë të instituteve të ndryshme që vareshin nga Akademia. Është një gjendje që vazhdon edhe sot dhe duket se nuk e shqetëson shumë qeverinë aktuale.

Si reagim ndaj kësaj interviste, akademiku Artan Fuga ka bërë një shënim në gjatë në faqen e tij në facebook, ku duke iu drejtuar gazetarit Shehu si intervistues, në fakt e kishte me z.Xhufi. Sipas Fugës, akademia para 2007-s ishte “veçse një karakatinë, me të gjitha institutet e saj në gjendje të vajtuar, një ngrehinë sovjetike, e plakur, e ngurtësuar ideologjikisht, jashtë kohës, e drejtuar nga persona që abuzonin me pozitën e tyre në kryesinë e saj” etj. Gjithsesi, Fuga sqaron se nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e reformës së 2007-s, por në procesin e mëpasshëm.

Në vijim, DITA botoi dje reagimin e Besnik Gjongecajt ndaj intervistës së Xhufit, nuk mungojnë disa etiketime që vetë Xhufi i trajton në këtë përgjigje që po botojmë. Gjongecaj deklaron se ishte pjesëmarrës kryesor në hartimin e reformës së 2007-s,por “jo në zbatimin e saj të mëpasëm”, për të cilën bie dakord se nuk është zbatuar siç ishte hartuar.

Një përgjigje pra, për dy replikuesit, jep Pëllumb Xhufi në këtë shkrim dërguar DITA-s.   

 

****

Prof. Pëllumb Xhufi

Më erdhi nga nuk e prisja. Pasi e lashë të shuhej në heshtje zëmërata e një akademiku, të cilit, për dreq, në një intervistë për “Ditën” ia zura emrin në gojë, megjithëse jo aq për keq, ja ku ja befi me uturimë një komsomolas tjetër që më turret gjithë vrer. Mua, “fëlliqsirës, komunistit, hoxhistit, omaristit, kriminelit, imoralit, pseudoshkenctarit”. Falë zotit, vetëm kaq! Megjithatë, edhe aq ishte mjaft për të ndezur edhe tek unë dellin e keq që fshihet tek sejcili nga ne. Miq e dashamirës të shumtë më telefonuan ditën e djeshme, dikush i shqetësuar për këtë sulm “të paprovokuar”, dikush për të më qetësuar e ndonjë tjetër edhe për të më yshtur kundër “agresorit”. Prej tyre dhe prej vetë filipikës së Gjongecajt mësova se kush ishte ky individ: pedagog i Universitetit të Agronomisë, Ministër pa erë i Arsimit i erës berishiane, i larguar nga Shqipëria më 1997 (pse?), emigrant në Kanada, i rikthyer në Shqipëri në 2005 me “rikthimin e demokracisë”, por i pavlerësuar nga ish-shokët demokratë, të cilët u mjaftuan t’i besojnë hartimin e një “dokumenti” mbi reformën në kërkimin shkencor, të cilin as nuk ia lexuan, as nuk ia zbatuan, por e çorrën dhe e hodhën në koshin e  plehrave. Sipas tij, reforma në letër e vitit 2007 ishte një mrekulli, që duhet nxjerrë nga arkivat e duhet lexuar nga të gjithë, por “zbatimi i saj ishte një nga masakrat institucionale më të turpshme të ndodhura ndonjëherë në këtë vend”.

Çudi, mua që nuk kam pasur ndonjë rol, as në ideimin e as në zbatimin e reformës berishiane të 2007, Gjongecaj nuk heziton të më mbulojë me një lumë epitetesh. Por kur vjen fjala për t’i thënë emrin ndonjërit prej atyre reformatorëve “shpirtëzinj që vinin në mbledhje vetëm për të shkatërruar”, apo për të na thënë se kush ishin “zbatuesit” e reformës në fjalë, atij fillon t’i merret goja dhe nuk ua shqipton dot as emrin, jo më t’i shajë për miliardat e lekëve të hedhura në erë, për shkatërrimin e kapaciteteve shkencore, për atrofizimin e Akademisë së Shkencave, për degradimin moral e intelektual të universitetit. Megjithatë, kritika e drojtur, ndonëse anonime, ndaj reformës së vitit 2007, gati-gati ma bëri simpatik “agresorin” Gjongecaj.

“Nuk e paska vetëm me mua “komunistin”, thashë, “e paska dhe me “neokomunistët” e  Berishës” dhe gati-gati e pranova rolin e karremit që më kishte besuar pena e tij për të nxjerrë mllefe të vjetra me kameratat e partisë së vet. Akoma më shumë, nga leximi më i qetë i shkrimit, kuptova se Gjongecajn e mundonte edhe diçka tjetër: Të informonte opinionin publik se autori i “dokumentit programatik” të vitit 2007 për reformimin e shkencës ishte pikërisht ai, dhe jo ndonjë tjetër. M‘u kujtua përralla me gjel (kokosh), që gjyshja ime më tregonte sa herë që unë i dërdëllisja për trimëritë e ditës.

“Kokoshi”, më thoshte ajo, “sa herë që ndonjë nga pulat “e tij” bën vezë, ngjitet majë plehut për t’i thënë botës se e kishte bërë edhe një kokërr tjetër”. Ndoshta ky ishte meraku më i madh i Gjongecajt, dhe për këtë e mirëkuptoj plotësisht. Jetojmë në ditë të këqia. Të rrëmbejnë bukën nga dora dhe idetë nga mendja. Ai nuk e ka me mua, mendova. E ka me zbatuesit e reformës, të cilët  ia injoruan e ia deformuan projektin gjenial. Prandaj, u kujtova se njeriu i duhur që mund ta thoshte një fjalë me vend e me mend për çështjen e zbatimit të reformës së vitit 2007, është pikërisht Artan Fuga, i cili në polemikën e paprovokuar me mua e hoqi fundin mënjanë, duke e rreshtuar veten jo me “ideatorët” e reformës së vitit 2007, por me zbatuesit e saj. Ja pra, po i jap një adresë të saktë Gjongecajt, me shpresë se herën tjetër do gjejë ku të shprazë mllefet e tij. Me këtë rast, duke i gjetur këtë punë të re, i kërkoj ndjesë Fugës, që në intervistën time i ndërrova pozicionin, duke e quajtur “reformator”, ndërkohë që ai paska qenë vetëm “aplikator” i saj.

Megjithatë, me mendje të ftohtë, më duhet të them se ashtu si me Fugën, edhe me Gjongecajn biem dakord në një pikë: që gjendja në kërkimin shkencor sot është në e vajtueshme, dhe që as Akademia e Shkencave nuk u bë promotori e katalizatori i kërkimit shkencor, dhe as Universiteti nuk u kthye në një laborator të kërkimit shkencor, përkundrazi. Tani është radha ime ta pyes Gjongecajn. A vërtet mendonte ai se Universitetet shqiptare ishin në gjendje të krijonin kushtet për të kryer veprimtari shkencore, të shtonin numrin e pedagogëve për të reduktuar orët e leksionit e për t’u lënë atyre kohë të lirë për punë shkencore, të hapnin laboratore, biblioteka, studio për çdo fushë të dijes, t’u bënin vend studiuesve që vinin nga institutet e Akademisë, të financonin projekte të përbashkëta me universitetet e huaja, të financonin kualifikimin e pedagogëve të rinj e formimin e studentëve premtues në fusha prioritare. A mund të ndodhnin këto, kur financimin e veprimtarive didaktike e shkencore të Universiteteve reforma e 2007 ia besoi në një masë të madhe përfaqësuesve të bizneseve të mëdha (dridhem kur përmend këtë fjalë!), që presupozohej se “digjeshin” për të qenë anëtarë të bordeve administrative të universiteteve dhe për të kontribuar për përparimin e shkencës, mu tamam siç ndodh në Gjermaninë e Krupp-it e të Tissen-it. A mund të reformohej Universiteti, kur në krye të tij u vunë militantë të hapur ose të fshehtë partiakë, pa merita akademike, pa profil shoqëror, njerëz shpesh të paditur, shpirtzinj e të korruptuar. Nëse gjërat janë katandisur kaq keq, a ia vlente të prishej Akademia e Shkencave si institucion që kryente studime të thelluara në disa degë jetike e me rezultate të njohura botërisht në fushën e shkencave albanologjike, në atë të fizikës bërthamore, të sizmikës apo të hidroenergjitikës.

Me ligësinë e një hajni, Gjongecaj thotë se unë sot e 10 vjet po përtyp e ripërtyp argumentet që atë kohë i ka shprehur Prof. L. Omari, një nga drejtuesit e Akademisë së dikurshme të Shkencave. Tani, Prof. Omari është vjehrri im dhe ky cub mendon se duke më kujtuar këtë fakt, do të më kompleksojë e do të më shtyjë të veproj, siç bën soji e sorollopi i tij, që janë gati të mohojnë shoqëritë, miqësitë e krushqitë për të qenë “politikisht korrekt”. Përkundrazi, vlerësimi dhe respekti im për Prof. Luan Omarin rritet pambarimisht, sa herë që hiena të pështira si Gjongecaj dhe Frankenshtajni i tij i dikurshëm turren ta kafshojnë. Ashtu si i janë turrur të gjithë atyre njerëzve të ditur e patriotë, nga Aleks Buda, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Dhimitër Shuteriqi, Arben Puto, Selami Pulaha, Jup Kastrati, Frano Prendi, Kristo Frashëri, Selim Islami e plot të tjerë që kanë bërë historinë e arsimit e të shkencës shqiptare. Ashtu si i janë turrur, me ulurima ose me heshtje, në atë kohë e në këtë kohë, Abedin Çiçit, Teki Tartarit dhe të gjithë atyre profesorëve-shkencëtarëve të Institutit Bujqësor, që i ngritën shkencat bujqësore e zooteknike shqiptare në nivele botërore, aq sa diploma e Institutit bujqësor të Tiranës ishte e vetmja diplomë shqiptare që njihej jashtë shtetit. Kjo nuk është nostalgji, është histori, dhe historia, thoshin latinët, është mësuese e jetës.

E pra, lidhur me përmendjen e sistemit gjerman Max-Plank-Institut, për të cilin Gjongecaj qenka fyer aq shumë, unë nuk e kam sjellë si shembull për t’u imituar, por si një zhvillim të ri që flet për trendin e sotëm për të ngritur institute elitare të kërkimit, që financohen me para publike dhe që i përkushtohen vetëm kërkimit. Gjermania e cila zbatoi e  para sistemin humboldian të integrimit të shkencës në universitet, ka arsyet e veta, të shëndosha mendoj, që duke filluar nga vitet 1950 iu kthye krijimit të instituteve të tilla kërkimore shkencore. Sigurisht, ne nuk jemi në gjendje të imitojmë Max-Plankun. Por, ne mund t’i qëndrojmë shumë mirë një modeli që është afër Max-Plankut e shumë më afër nesh për nga tradita e problematika dhe që e kemi patur për 30 vjet. Ky model që unë i jam referuar vazhdimisht,  është ai i Akademive të vendeve si Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Çekia, Polonia, Hungaria, vende këto që kanë për referencë kulturore Vjenën e Habsburgëve, ku i ka rrënjët e saj edhe shkenca albanologjike për të cilën unë shprehem e më takon të shprehem. I sygjeroj Gjongecajt t’i hedhë një sy veprimtarisë së Akademisë “sovjetike” të Tiranës, për të kuptuar realisht se me çfarë është marrë ajo. Dhe më tej, le t’i hedhë një sy edhe faqes elektronike të Akademisë Austriake për të kuptuar si funksionon një Akademi së cilës shkencat albanologjike i detyrohen shumë, duke filluar nga emri. Përndryshe kam frikë se edhe atë, nga padija, do ta stigmatizojë ndonjë ditë si “sovjetike” duke i krijuar probleme të tjera politikës sonë të jashtme. Dhe atëhere bota do thonë: Mirë me Pëllumbin, por me Austrinë ç’pati? Sepse në Austri e duan dhe e ruajnë Akademinë e tyre 300-vjeçare, nuk e shkatërrojnë pas 30 vjetësh jetë siç e bën vrasësit e paguar të Akademisë shqiptare të Shkencave.

Please follow and like us: