Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan: Kam ndjenja të posaçme për Kosovën, jemi vendi i dytë që ka njohur pavarësinë e saj

Erdogan: Kam ndjenja të posaçme për Kosovën, jemi vendi i dytë që ka njohur pavarësinë e saj

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan mori pjesë në programin “Takimi i madh me të rinjtë” në transmetimin e përbashkët të televizioneve ATV dhe A Haber, ku iu drejtua të rinjve nga Turqia dhe jashtë saj të cilët i ndjekin studimet në këtë vend, dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre

Gjatë programit, një student nga Kosova i cili ndjek studimet në Turqi, tha se Turqia është shembull për shtetin e tij sa i përket zhvillimit. Me këtë rast, Erdogan theksoi se në Kosovë ka shumë kryevepra dhe se do ta rigjallërojnë historinë atje.

Ai theksoi se në Kosovë kanë realizuar punime të ndryshme si ndërtimi i urave dhe xhami si dhe përmirësimi i mjedisit dhe se do të vazhdojnë me të njëjtën edhe në të ardhmen.

Duke njfotuar se në Turqi studimet i ndjekin 80 mijë studentë të huaj, Erdogan u shpreh se atyre ua kanë hapur dyert e të gjitha shkollave dhe se për ta nuk ka asnjë vështirësi.

Erdogan gjithashtu theksoi se ka ndjenja të posaçme për Kosovën, duke rikujtuar se Turqia është vendi i dytë që e ka njohur pavarësinë e saj.

“Vendi i dytë që e ka njohur Kosovën jemi ne. Ishin në Komisionin e Ministrave dhe po garonim me Amerikën se ‘a do ta njohin ata të parët, apo ne’. Prisja lajme nga bashkëpunëtorët dhe më thanë se ‘Amerika e njohu’, ndërkohë që ne jemi të dytët. Pra, kemi një kujtim të këtillë për Kosovën. Natyrisht, ende nuk e ka arritur numrin e dëshiruar të shteteve që e njohin atë, megjithatë, nëse nuk gabohem, ky numër ka arritur në 140. Bëra thirrje në Samitin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik duke thënë se ‘Nuk duhet të ngelë asnjë shtet nga mesi juaj që nuk e njeh Kosovën.’ Por, gjithkush i bën llogaritë e veta duke thënë se ‘Ne e kemi këtë problem’ e tjetri ‘Edhe ne e kemi këtë problem.’ Edhe ne kemi probleme, por nëse ju ngecni në këto probleme, atëherë asnjëri nga këto nuk mbaron”, tha Erdogan, shkruan AA.

Ai u shpreh se sa i përket kësaj, Turqia dallohet me vendimmarrje.

Duke dëshiruar që studentët kosovarë t’i mbarojnë me sukses studimet dhe të kthehen e të kontribuojnë në vendin e tyre, presidenti Erdogan u shpreh se “Do të ktheheni dhe do t’i shërbeni vendit tuaj e t’i vazhdoni punimet njëjtë sikurse ambasadorët tanë, konsullët dhe shefat e misioneve, dhe do t’i forconi lidhjet”.

Please follow and like us: