Albspirit

Media/News/Publishing

Për tregtarët e luleshtrydheve dhe vajzën nga Mirdita

Nga: Mero Baze

Më bëri përshtypje protesta e fermerëve te luleshtrydheve.

Pesë apo gjashtë vjet më parë, kur fermeri i parë i Frakulles pati guximin e duhur për të importuar farën nga Greqia dhe për ta mbjellë në tokat pjellore të Frakulles, të gjithe e quajten pak të marre, pak idealist, por pati dhe nga ata që e përgëzuan. Nëse ky fermer i parë do të dështonte, unë jam dakort që qeveria t’ja rimbursonte humbjen, sepse guxoi e hodhi një hap të madh, nga ata që çojne para shoqërine tonë dhe prodhimet bujqësore.

Mirpo ai fermer as u ankua, as i kerkoi ndihmë njeriu. I mbolli, i korri, i shiti , fitoi…

Por, si gjithnjë shqiptaret me mendje aspak krijuese, ju sulën te gjithë luleshtrydhes. Nga 1 fermer që ishte para 6 vjetesh, sot jane 65 fermerë që mbjellin vetëm luleshtrydhe, vetëm në një fshat. Nuk kanë pyetur as ku do ta çojnë ta shesin prodhimin, as sa është kapaciteti blerës i tregtarëve të shumicës, as çmimin që do të dalë në treg, duke qene nje superprodhim etj, etj. Dhe sot ja ku janë.

Luleshtrydhet e tyre po kalben në arë, sepse çmimi që ata u vënë është më i lartë se ne Gjermani dhe standarti i tyre skandaloz. Ata nuk ecin me logjikën sa vlen prodhimi i tyre, por sa lekë u duhen.

Por, sikur te mos mjaftonte superprodhimi, ata kanë hapur me shumë zelll, një hendek të gjerë mosbesimi mes tyre si prodhues dhe konsumatorit. Me pesticidet e hedhura në mënyrë amatore e jashte logjikës, me hormonet për pjekjen sa më të shpejtë dhe rritjen e masës se frutit, ata ju kanë futur tmerrin blerësve.

Njerëzit po ju largohen luleshtrydheve, si djalli temjamit. Nëse guxon të hapësh një të tillë, veçse është sa një mollë e s’ka ere gjëkundi luleshtrydheje, brenda gjen filiz të gjelbër të mbirë. Vërtet kujtoni se do t’ja japë dikush femijës një frut të tillë?

Përse nuk tentojnë të kapin tregun e huaj meqë tregu vendas s’ka fuqi blerëse, ndonëse unë do të thosha se tregu vendas i abandonon qëllimisht duke i konsideruar te rrezikshme.

Nëse do të tentonin tregun jashtë, do të shkonin në laborator për çertifikatë pastërtie, por nuk jua mban, se i kanë dendur jashtë çdo norme me hormone pesticide. Ata ja kanë mbyllur vetë rrugët vetes dhe ne i kemi lënë të vetëvriten.

Një biznesmen nga Tirana, që drejton një kompani të madhe financiare ndërkombëtare, ka ngritur në Myzeqe një fermë të madhe, që prodhon vetëm luleshtrydhe për Itali dhe ai prodhon sa tre herë gjithë Frakulla, por të gjitha i shet dhe të gjitha ja merr Italia. Arsyeja është së pari, se ai është organizuar në prodhimin bujqësor, dhe së dyti ka përgjegjshmërinë të prodhojë luleshtrydhe dhe jo klonime të tyre të rrezikshme.

Po përtej këtij fakti, shfaqet kriza reale e bujqësisë shqiptare e cila vuan nga standartet e prodhimeve bujqësore, nga mungesa e qendrave të grumbullimit dhe organzimi i tregut të sigurt të tyre.

Unë u zbraza inatin atyre fshatarëve të Frakullës, që i kërkojnë Edi Ramës t’u blejë luleshtrydhet, por bujqësia jonë është një një fazë ku çdo investitor, përveç atyre që e nisin punën duke gjetur tregun fillimisht, mund të dështojë. Erion Braçe bërtet që Europa të hapë dyert për prodhimet e Divjakës, për shkak të ndjeshmërisë që ka si deputet i përkushtuar, por Europa nuk është një person, por një burokraci që ka rregullat e veta.

Para se të trokasësh në dyert e tyre, duhet të jesh i çertifikuar dhe mbi të gjitha i organizuar paraprakisht për të prodhuar produkte për eksport. Dhe Erjoni bashkë me deputetët e tjerë, duhet të luftojnë për një bujqësi me standart, dhe jo të vajtojnë pranë arkave të pashitura të elektoratit të tyre. Ky është përkushtim ndaj humbjeve të tyre, por në fakt politika duhet të bëhet udhërrëfyese e shpresave të tyre.

Kjo është kriza reale e bujqësisë shqiptare.

Të gjitha gazetat po ngrejnë në qiell një vajzë nga Mirdita që ka ardhur e ka bërë fermë dhish në Mirditë. Më bën përshtypje se të gjithë i qajnë hallin asaj, sikur ka bërë një mrekulli që ka bërë biznes dhe nuk është marrë me politikë, për çfarë dhe ka mbaruar shkollën. Kjo është e dhimbshme.

Të gjithë ata që bëjnë sikur lavdërojnë vajzën, qajnë hallin e tyre, se shumica e tyre janë pikërisht ata që presin ndonjë gjë nga politika dhe s’kanë provuar kurrë një ditë të marrin një vendim për të bërë biznesin e tyre. Vajza vjen nga një vend perëndimor dhe e di si ngrihet mirqënia në një familje të re. Vetëm me punë dhe vetëm duke hapur biznesin esaj.

Fakti që biznesi i asaj ishin dhitë, duket shumë interesante në Tiranë, por askund në botë s’ka biznese për të cilat të vjen turp dhe biznese fisnike. Përveç drogës dhe prostitucionit, si biznes personal dhe trafikimit ndërkombëtar të armëve si biznes shtetëror, çdo biznes është biznes. Dhe ajo vajza nuk vlen për t’u përgëzuar që “nuk ka pritur nga politika”, por vlen për t’u përgëzuar që ja ka dalë. Por nëse ne e lëmë bujqësinë në këtë stad ç’organizimi, atëhere do të bëjmë një reportazh tjetër për atë vajzën, që s’ka ku shet djathin, që s’ka kush i merr qumështin, që s’ka kush i vaksinon dhitë etj.

Deri më sot ekziston për shembull një treg turistik, që udhëtojnë drejt Jugut se është mishi i mirë. Por nëse e lëmë kështu jashtë kontrollit, mos u çudisni që ata barinjtë andej të bëjnë sikur risin keca i t’i mbushin me hormone, dhe të shkatërrojnë dhe atë treg mishi që ekziston si destinacion turistik për shkak të shijes.

Bujqësia jonë ka kaluar nga organizimi diskriminues socialist, në një fazë primitve, jo efiçente, ku çdokush ropatet të nxjerrë bukën e gojës, pa u vetëpaguar. Dhe nëse e lëmë në këtë fazë, do të ketë gjithnjë devijime të rrezikshme si ajo e prodhuesve të luleshtrydhes, shembuj suksesi që mund të ngecin rrugës, si ajo e fermës së dhive të një vajze të kthyer nga Italia, dhe fshatarë të dëshpëruar të Myzeqesë që u mungojnë tre- katër qendra grumbullimi apo agjentë shitjesh, që t’u planifikojnë prodhimin dhe t’u garantojnë shitjen e tyre, para se ata të ulen të mbjellin. Për këtë ndoshta i duhet kërkuar llogari Edi Ramës, dhe jo pse nuk u shiten luleshtrydhet, të cilat me aq nam të keq sa kanë marrë, do lënë pa punë breza fermerësh që do tentojnë ta bëjnë atë punë.

Please follow and like us: