Raporti sekret i Androkli Kostallarit: Çfarë thoshte Rexhep Qosja për Shqipërinë në vitet ’70

“Gazeta Shqiptare” ka botuar raportin sekret të ish-drejtorit të Institutit të Gjuhës dhe Historisë, profesor Androkli Kostallarit, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me vizitën që bëri në Shqipëri, profesori i Universitetit të Prishtinës, Rexhep Qosja.

Sipas dokumentit, i cili publikohet për herë të parë dhe i plotë, akademiku i njohur nga Prishtina, i cili asokohe mbronte disertacionin me një punim shkencor mbi figurën e Asdrenit, i ka deklaruar kolegut të tij shqiptar, Androkli Kostallarit, se “studionte marksizëm-leninizmin dhe nuk kishte botëkuptim tjetër përpos atij marksist-leninist”, se “vetëm socializmi do ta nxirrte Shqipërinë nga prapambetja e madhe”, “transformimi dhe krijimi i njeriut të ri, vepra kuptimplote”, “shumë domethënëse që Shqipëria vendi i parë në botë pa kisha e xhami” etj.

Qasjet e herëpashershme me qarqet politike të së majtës shqiptare, duket se nuk kanë qenë koniunkturale apo veprime të çastit, por të paramenduara dhe me bindje të plotë ndaj idealeve të tij të formësuara që nga koha e rinisë së hershme.

Kjo përshtypje të krijohet menjëherë ndërsa lexon raportin sekret me deklarime mjaft të indoktrinuara, madje tipike të një komunisti fanatik, ato që ka bërë akademiku Rexhep Qosja, gjatë vizitës disajavore që ai ka bërë në Shqipëri në vitin 1970, kur erdhi për të grumbulluar materiale dhe dokumente arkivore për disertacionin e tij mbi figurën e Asdrenit.

Deklarimet e prof. Rexhep Qosjes, të cilat gjenden në raportin që ka bërë për Komitetin Qendror të PPSH-së, kolegu i tij nga Tirana, Androkli Kostallari, duken tejet befasuese dhe gati-gati të pabesueshme. Themi kështu, pasi Jugosllavia e Titos së asaj kohe, pra periudha kur është formuar Rexhep Qosja si intelektual, vetëm emrin kishte komuniste.

Pa paragjykuar aspak botëkuptimin dhe formimin e prof. Qosjes, kundrejt bindjeve të tij politike, gjëja e parë që mund të diskutohet është vërtetësia e raportit. Pra, a i ka deklaruar vërtet ato gjëra prof. Qosja, apo janë shtuar a rregulluar nga shkruesi i raportit, i cili ka qenë edhe njeriu që e ka shoqëruar atë gjatë qëndrimit të tij disajavor në Shqipëri?

Po të kihet parasysh koha kur është hartuar ai raport, rregullat strikte që funksiononin në raste të tilla si dhe konsekuencat që mund të binin mbi personin që mund t’i sajonte apo shtrembëronte thëniet dhe deklaratat e personit që shoqëronte, automatikisht bie versioni se ato deklarata janë të manipuluara.

Një version tjetër që mund të hidhet për diskutim është se, ato deklarata janë bërë nga prof. Qosja, si një haraç i paguar prej tij, për të përfituar lehtësira në punën e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri. Por edhe kjo është pak e besueshme, po të kemi parasysh edhe vizitat e mjaft kolegëve të tjerë të prof. Qosjes në atë periudhë në Shqipëri (Idriz Ajeti, Hajrulla Gorani etj.), ku asnjë prej tyre nuk ka bërë deklarata të tilla, idenë me ato parulla e pllakate që kishte regjimi komunist dhe që gjendeshin kudo në vendin tonë.

Po të kemi parasysh edhe raportin e hartuar për aktorin e famshëm nga Kosova, Bekim Fehmiu (botuar në “Gazeta Shqiptare” në muajin gusht 2015), gjatë vizitës së tij në Shqipëri, asgjëkund nuk gjen deklarata të tilla… Por gjithsesi, bindjet politike janë e drejtë e çdo njeriu dhe askush nuk mund t’i imponohet kurrkujt… Bashkëngjitur raportit të prof. Kostallarit, në dosjen përkatëse që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 14. Komiteti Qendror i PPSH-së, struktura), ndodhet dhe një studim i prof. Rexhep Qosjes, mbi Letërsinë në Kosovë dhe hierarkinë e vlerave të krijuesve kosovarë.

Një gjë tjetër mjaft interesante që vihet re në dosjen ku ndodhet raporti në fjalë, janë edhe disa poezi në dorëshkrim që kanë për autor Jakup Çerajën dhe Agim Vincën, dy intelektualë dhe krijues të njohur të viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Ata ia kanë besuar krijimet e tyre Qosjes, për t’i sjellë në Tiranë dhe për t’i botuar ato në ndonjë gazetë, porosi e cila u krye, pasi poezia e Vincës u botua.

Thamë pak më sipër “interesante”, pasi Agim Vinca në atë kohë është frymëzuar nga “akti heroik” i 14-vjeçares Shkurte Pal Vata nga Dukagjini, e cila humbi jetën aksidentalisht teksa punonte si vullnetare në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Dhe kësisoj, ai ka shkruar një poezi (apo më saktë një poemë), për vajzën e ndjerë së cilës iu akordua titulli “Heroinë e Punës Socialiste”.

Për të qenë më korrektë në gjykimin tonë, themi se sot këto poezi duken “jashtë mode”, por në kohën kur janë shkruar ishin më se normale dhe “të modës”, e të tilla krijime gjeje pothuaj te pjesa më e madhe e poetëve tanë. Por gjëja “interesante” që thamë pak më lart, është indoktrinimi i poetëve shqiptarë përtej kufijve politikë, si rasti në fjalë i Vincës.

Gjithsesi, këto gjëra dhe rasti i mësipërm duhen parë e gjykuar për kohën kur janë shkruar dhe rrethanat në të cilat është ndodhur autori. Raportin në fjalë të prof. Androkli Kostallarit po e botojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim, së bashku me faksimilet përkatëse.

Raporti i Prof. Dr. Kostallarit për Komitetin Qendror(Shënimi me shkrim dore mbi raportin)Shoku Behar, sipas kërkesës suaj po ju dërgoj dy relacione të përmbledhura mbi disa mendime të shprehura nga studiuesi Rexhep Qosja dhe mbi gjendjen e sotme të Letërsisë Shqipe në Kosovë.Me nderime A. Kostallari

RELACION MBI PUNEN E KRYER GJATE QENDRIMIT NE VENDIN TONE NGA BASHKEPUNETORI SHKENCOR I INSTITUTIT TE PRISHTINES, REXHEP QOSJA

Prej datës 6 deri 28 janar 1970 qëndroi në Shqipëri i ftuar nga USHT, Rexhep Qosja, punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Rexhep Qosja, megjithëse relativisht është një punonjës i ri në atë Institut dhe nuk ka shumë vjet që punon në fushën e kritikës dhe të historisë së letërsisë, gëzon një emër të mirë në rrethet e kritikëve dhe studiuesve të atjeshëm. Përveç punës që bën në Institut, jo shumë kohë më parë atij i është ngarkuar që të lexojë leksione në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës për disa shkrimtarë nga më të shquarit të Letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare dhe të periudhës 1912-1919. Duket që Rexhep Qosja është një kritik me talent dhe një punonjës i zellshëm në fushën e studimeve të historisë letrare. Ai ka një horizont të gjerë letrar dhe premton për punë serioze në lëmin e studimeve të letërsisë shqiptare. Duke qenë një punë mjaft efektive e produktive dhe që ka bashkëpunuar vazhdimisht në shtypin letrar të Kosovës, si në “Jeta e Re”, “Rilindja” etj., ai ka mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër të botojë dy përmbledhje esesh e studimesh për autorë të letërsisë shqiptare të së kaluarës, të letërsisë së sotme si dhe të disa shkrimtarëve të letërsisë që zhvillohet sot në Kosovë. Ndaj prodhimit të vet të deritanishëm duket se ai mban një qëndrim modest, duke e quajtur gjithçka që ka botuar deri më sot ‘punë të rinisë së tij krijonjëse’. Ai pranon se në studimet e tij ka mjaft naivitet dhe mendime që mund të rrëzohen, por vë në dukje se qëllimet e tij kanë qenë gjithmonë vetëm për mirë, të nxjerrë në pah traditat e letërsisë sonë të së kaluarës dhe të pohojë forcën krijuese artistike të popullit shqiptar në ditët e sotme. Në studimet e tij dhe në takimet që pati me shokë të ndryshëm, ai ripohoi se; “s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist-leninist”, se mundohet të studiojë metodologjinë marksiste-leniniste, pavarësisht se sa ia ka arritur kësaj gjëje. Por duhet thënë se në punimet e Rexhep Qosjes vihet re një farë eklektizmi që vjen, si duket, për shkak të rrethanave të formimit të tij, pjesërisht, dhe për shkak të moshës së tij ende të re. Gjatë qëndrimit të tij prej tri javësh në vendin tonë, Rexhep Qosja punoi për të grumbulluar material për temën e disertacionit “Jeta dhe vepra e Asdrenit”, me të cilën do të mbrojë doktoraturën brenda dy vjetëve të ardhshëm.

Duke punuar intensivisht para dhe pasdite, ai mundi që të studiojë të gjithë fondin e pasur të Asdrenit në Arkivin e Shtetit, të konsultohet me revista dhe gazeta të kohës që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare e që japin material për temën në fjalë, si dhe të shfrytëzojë dokumente të arkivës së Vjenës që ndodhen pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë që kanë të dhëna për veprimtarinë politike dhe shoqërore të Asdrenit. Puna për grumbullimin e materialit ishte mjaft e frytshme dhe ai u largua i kënaqur se ia arriti plotësisht qëllimit, duke mbledhur të dhëna shumë më tepër se ç’mendonte. Për të kryer këtë punë Rexhep Qosjes iu dha e gjithë ndihma e mundshme nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë dhe nga institucionet e tjera ku punoi. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, me gjithë kohën e kufizuar, për shkak të materialit të pasur që i doli përpara, Rexhep Qosja vizitoi qytetet e Vlorës, Fierit, Durrësit, Krujës e Shkodrës. Një sërë qendrash industriale dhe institucionesh social-kulturore të këtyre qyteteve, Apoloninë, kalanë e Petrelës, ekspozitën “25 vjet Shqipëri Socialiste”, ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, Galerinë e Arteve, Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare, Muzeun Etnografik dhe Arkeologjik, asistoi në shfaqjet e Teatrit Popullor, Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore; pati takim me Drejtorin e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, Androkli Kostallari, me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, me shefin e sektorit të Historisë së Letërsisë Shqipe pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, Koço Bihiku, me shefin e redaksisë së Letërsisë Shqipe pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, shokun Dhimitër Fullani, me drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, shoqen Marika Vogli, dhe me Drejtorin e Bibliotekës Shkencore të USHT, Mihal Hanxhari.

Gjatë këtyre takimeve ai u shpreh për një varg çështjesh; po i përmbledhim më poshtë. Gjatë vizitave të ndryshme dhe në biseda ai u shpreh me entuziazëm për sukseset e ndërtimit socialist të Shqipërisë. Ai tha se: “I bëhet zemra mal” kur shikon zhvillimin e vrullshëm të Shqipërisë në këta 25 vjet që të bindin se “mund të shkurtohet historia”. “Kryesorja, – tha ai, – është se ju të gjitha këto i bëni duke u mbështetur në forcat tuaja”. Ai tha se është i bindur se vetëm socializmi mund ta shpëtonte popullin shqiptar nga gjendja e mjeruar dhe e prapambetur në të cilën ndodhej në të kaluarën. Këtë gjendje, siç tha ai, e njihte vetëm përmes leximeve, por edhe të kujtimeve të babait të vet, i cili për 12 vjet ka jetuar në Shkodër, para Luftës së Parë Botërore, dhe ka lënë atje të vdekur nga mjerimi, sëmundjet dhe uria, gjithë të afërmit e tij. 2. Rexhep Qosja tha se, krahas përparimeve të mëdha në lëmin ekonomik e kulturor, atij i ka bërë përshtypje të veçantë fakti se Shqipëria ka ndryshuar dhe fizionominë e njeriut, është formuar njeriu i ri me tipare të reja. Në mënyrë të veçantë lëvizja për çrrënjosjen e besimeve fetare dhe çlirimin e plotë të gruas, si i çmonte ai ngjarje të një rëndësie të madhe. “Është shumë domethënëse, – tha ai, – që Shqipëria është vendi i parë në botë pa kisha dhe xhami”. “Feja, – tha ai, – topit dhe çorodit ndërgjegjen e popullit, kurse për fat të keq në Kosovë, ka ende një ndikim të fortë. Atje ka Medrese dhe gjenden njerëz të cilët në vend që kursimet e tyre t’i falin për të ngritur një shkollë, i përdorin për të shkuar në Qabe”. 3. Rexhep Qosja, përshëndet me nderim të veçantë sukseset që janë arritur në lëmin e arsimit, kulturës, shëndetësisë, e sidomos të shkencave albanologjike. Ai thoshte se ndihej krenar se qendra e studimeve albanologjike, tash është Tirana, se këtë krenari të ligjshme ai e ndjen në mënyrë të veçantë kur grupi i shkencëtarëve shqiptarë mori pjesë në simpoziumin për Skënderbenë, dhe tregoi nivelin e shkencës shqiptare. “Këtu, tha ai, është bërë një punë kolosale, ju keni ekipe të forta shkencore me shkencëtarë të rangut evropian. Ne atje punën tonë e quajmë vetëm punë suplementare të punës që bëhet këtu, ka rëndësi shumë të madhe që punën shkencore e keni vënë mbi baza shkencore”. 4. Duke folur për përpjekjet që bëjnë sot në Kosovë intelektualët e vërtetë shqiptarë, Rexhep Qosja tha se ata akuzohen shpesh për tradicionalizëm, nacionalizmë etj. Por ai kishte bindjen se interesi i atjeshëm për traditën është i domosdoshëm dhe i ligjshëm, është përpjekje për të afirmuar qenien kombëtare, – siç u shpreh ai. “Ka njerëz, – tha ai, – që thonë se letërsia shqiptare fillon vonë, pas viteve 1945.

Duke mohuar traditën, ne kanë dashur të na përjashtojnë, prandaj, në qoftë se të tjerët punojnë 8 orë, ne duhet të punojmë 16 orë, për të zbuluar traditën tonë dhe për të pohuar forcën krijuese të popullit tonë”. Botimin e një sërë veprash të mëdha të punës sonë të sotme në Kosovë, si “Para agimit”, “Lumi i vdekur”, veprat e Sterjo Spases, të Ali Abdihoxhës (këto të fundit janë duke u përgatitur për shtyp), Rexhep Qosja i shpjegoi, veç të tjerash, edhe me faktin se letërsia që zhvillohet sot në Kosovë, lëvron kryesisht poezinë, ajo nuk ka sot për sot një prozë reprezentative, prandaj dhe botimi i këtyre veprave ka rëndësi të madhe për t’u dëshmuar të tjerëve për nivelin e zhvillimit të letërsisë artistike të popullit tonë, kur dihet se proza e madhe është, në fund të fundit, shenjë e pjekurisë së një letërsie të caktuar. Me këtë shpjegoi dhe faktin që disa nga romanet e sotme shqiptare atje përkthehen edhe në serbokroatisht. Rexhep Qosja tha se, ndonëse në Kosovë është botuar shumë gjatë 20 vjetëve, vetëm në këta vjetët e fundit po vërshon letërsia shqiptare. Ajo tani zë vendin dërmues, 50% të botimeve. 5. “Natyrisht që, gjithë puna që bëhet atje, – tha ai, – ka vështirësi. Tani atje luftohet ‘për të përmirësuar strukturën’, që do të thotë përmirësimi i raportit midis elementit shqiptar dhe joshqiptar në drejtimin e punëve”.

Sipas mendimit të tij, ky raport sot lë ende për të dëshiruar, ndihet mungesa e kuadrove në sektorë të ndryshëm. Me këtë ai shpjegoi edhe ngutjen e vet për të doktoruar brenda dy vjetëve, si një detyrë që ia kanë ngarkuar, sepse edhe ngritja e Universitetit tani në fund kërkon që të aftësohen dhe të doktorohen kuadro të intelektualëve shqiptarë. “Veç, – tha ai, – 55% e studentëve të Universitetit janë shqiptarë. Dhe do të duhet që jo vetëm leksionet t’i dëgjojnë shqip, por dhe literaturë t’u jepej shqip, sepse ata nuk e kanë të lehtë të shfrytëzojnë literaturën në serbisht. Në këtë drejtim kanë rezistencë nga vetë studentët, të cilët nuk e kuptojnë dot literaturën në gjuhë të vjetër”. 6. Rexhep Qosja tha se, sipas mendimit të tij, do të ishte krejt normale dhe e dobishme për të shpeshtuar kontaktet kulturore me Shqipërinë, që të vijnë në Prishtinë grupe studiuesish dhe shkencëtarësh shqiptarë, grupe artistike, grupe teatrale etj. “Te ne vijnë për të lexuar leksione, – tha ai, – profesorë nga Franca e Gjermania Perëndimore, kurse duhet të vijnë më parë nga USHT”. Edhe lidhur me temën e vet të disertacionit, Rexhep Qosja tha se do të ishte më mirë të udhëhiqej nga studiuesit e këtushëm, sepse atje, për mungesë specialistësh, detyrohet ta udhëheqë një linguist. Në takimin me Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare dhe me Drejtorin e Bibliotekës Shkencore, të USHT-së, ai shprehu kërkesën për t’i dërguar bibliotekës sonë, Bibliotekës së Institutit Albanologjik të Prishtinës, të gjitha botimet e këtushme, duke premtuar që edhe ajo bibliotekë do të dërgojë si shkëmbim të gjitha botimet e saj. Ai porosit njëkohësisht edhe një listë librash e botimesh periodike, të cilat ia dhuron nga bibliotekat në fjalë, kryesisht nga Biblioteka e USHT-së, që bëri ç’ishte e mundur për t’ia plotësuar kërkesën e tij. 7. Rexhep Qosja njoftoi se në mars a më vonë, do të kremtohet 10-vjetori i themelimit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës dhe inaugurimi i Universitetit të Prishtinës. Ai tha se në këtë kremtim, ia do zemra të marrin pjesë të dërguar nga USHT-ja, sidomos nga shkencat albanologjike. “Kjo gjë, – shtoi ai, – është biseduar midis disa shokësh, është biseduar se do të ishte më mirë të dërgohen ftesat më parë, apo universitetet atje, por unë nuk i di më tej dhe nuk jam autorizuar të bisedoj për këtë”.

Rexhep Qosja u largua nga vendi ynë me përshtypjet shumë të mira për pritjen dhe ndihmën që iu dha për të krijuar dhe punuar për atë që kishte ardhur. Ai tha se këtu nuk punoi tri javë, por disa herë më shumë, sepse pati ndihmën e pakursyer të disa shokëve që ia shpejtuan dhe ia lehtësuan punën. “Këtu, – tha ai, – jo vetëm që e kam ndjerë veten si në shtëpinë time, por dhe e ndjej veten të privilegjuar nga ato lehtësira që m’u krijuan për të grumbulluar material për temën, kam qenë në kushte më të mira se në Prishtinë”. Duke u larguar, ai shprehu falënderimet për pritjen vëllazërore, për ndihmën e pakursyer për mundësinë që iu krijua për të kryer sa më mirë punën për grumbullimin e materialit për temën e disertacionit.