Albspirit

Media/News/Publishing

Rita Ora fituese e çmimit “Renowned Achiever Award”

Rita Ora 1

 Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greiçevci, ka bërë të ditur se këngëtarja e njohur Rita Ora e ka fituar çmimin “Renowned Achiever Award” të revistës “Migrant Woman”.

Në emrin e Ritës, e cila nuk mund të ishte vetë e pranishme në ceremoni, çmimin e ka pranuar ambasadori Greiçevci, i cili ka thënë se është ndjerë i nderuar që i është dhënë mundësia ta pranojë këtë çmim në emër të superyllit Rita Ora.

“Çmimi prestigjioz i është ndarë me votat e publikut, në mesin e konkurrenteve të tjera të shquara, si Amal Alamuddin”, ka thënë Greiçevci, raporton Koha.net.

Çmimi “Renowned Achiever Award” i jepet personaliteteve që nuk kanë lindur në Britaninë e Madhe, por që kanë arritur famë në fusha të ndryshme, që janë bërë model në vendin e lindjes dhe kanë ndikim tek të tjerët, si qytetarë të respektuar britanikë.

Ambasadori Greiçevci ka thënë se Rita Ora është lindur në Kosovë, është rritur dhe është bërë e famshme në Britani të Madhe, porse tash u takon të gjithëve, i takon gjithë botës.

“Rita ka frymëzuar aq shumë të rinj, ka prekur aq shumë zemra dhe ka ndryshuar aq shumë jetë. Prandaj, të gjithë krenohemi me të”, ka thënë Ambasadori i Kosovës në Britani.

Ai ka falënderuar publikun që ka votuar Rita Orën dhe e ka përgëzuar kryeredaktoren e revistës “Migrant Woman”, Mirela Sula, punën e së cilës e ka cilësuar “një punë e shkëlqyer në promovimin e grave migrante në Britani të Madhe”. (r.m.)

Please follow and like us: