Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA shtojnë presionin, Nuland-Bashës: Miratim të shpejtë të reformës në drejtësi

Kur afati për miratimin e reformës në drejtësi është në orët e fundit, presioni ndërkombëtar sa vjen dhe rritet.

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit për Çështje Europiane dhe të Euroazisë Victoria Nuland i telefonoi sot udhëheqësit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha për të nxitur përparim lidhur me përpjekjen për reformën në drejtësi.

Në një njoftim të ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se Ndihmës-Sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit midis Z. Basha dhe Kryeministrit Rama për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi.

Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Ndërsa PD deklaruar se, kreu demokrat Lulzim Basha e ka informuar Nuland  mbi ecurinë e reformës në drejtësi.

Basha rikonfirmoi qendrimin e Partisë Demokratike në mbështetje të formulës së vendeve të rezervuara të propozuar nga SHBA dhe BE që prej muajit shkurt 2016 për institucionet e reja të sistemit të drejtesisë, si dhe e njohu ndihmëssekretaren e Shtetit me zgjidhjet e propozuara nga Partia Demokratike për thjeshtimin e arkitekturës së drejtësisë në funksion të moskapjes politike.

Duke theksuar se korrupsioni në drejtësi është produkt dhe pasojë e korrupsionit politik, z.Basha nënvizoi vendosmërinë e opozitës për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në veçanti për votimin biometrik dhe elektronik si prioriteti kryesor i demokracisë shqiptare.

Please follow and like us: