Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Obama përkrah myslimanëve në Muajin e Ramazanit

Obama ne xhami ne Baltimore

“Qendroj vendosmërisht në krah të komuniteteve myslimane amerikane për të hedhur poshtë, zërat që duan të na përçajnë apo të kufizojnë liritë tona fetare”

 

Presidenti Barack Obama ka uruar si zakonisht myslimanët e Shteteve të Bashkuara për fillimin e Muajit të Ramazanit duke i garantuar se Amerika do t’i mbrojë të drejtat e tyre nga ata që u kërcënojnë liritë fetare.
Sipas komentuesve të politikës, Presidenti ishte duke goditur tërthorazi politikanët e simbolizuar nga Donald Trump.
Miliona amerikanë i përkasin fesë myslimane, mes tyre edhe shumë shqiptaro-amerikanë. Ata filluan sonte muajin më të rëndësishëm të vitit për besimin e tyre.
Presidenti Obama tha se Amerika do të vazhdojë të mirëpresë emigrantë dhe refugjatë, pavarësisht “zërave që duan të na përçajnë”.
Presidenti nuk e përmendi asnjëherë me emër kandidatin republikan për president, por fjalët e tij nuk lanë shumë vend për dyshim.
“Qendroj vendosmërisht në krah të komuniteteve myslimane amerikane për të hedhur poshtë, zërat që duan të na përçajnë apo të kufizojnë liritë tona fetare apo të drejtat civile”, tha ai. “Unë mbetem i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat civile të të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga feja apo pamja e tyre. Unë i përmbahem gëzimit të humanitetit tonë të përbashkët dhe përkushtimit për paqe dhe drejtësi për të gjithë”.
Në javët e ardhshme, Presidenti Obama do të shtrojë një iftar në Shtëpinë e Bardhë për udhëhqës myslimanë amerikanë. (Përgatiti: Ruben Avxhiu/Illyria)

Please follow and like us: