Rita Ora dhe Jay Z

Rita Ora është një nga këngëtaret më të suksesshme, aktore, stiliste mode dhe një nga yjet me më shumë lidhje dhe ndikim në botën e artit. Ajo ka qënë pjesë e jurisë së X Factor në Britani.

Ajo vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias britanike, ndaj Daily Mail i ka kushtuar një reportazh historisë së jetës së saj.

Sipas gazetës, ajo suksesin ia dedikon katër anëtarëve të familjes së saj, mamasë Vera, babait Besnik, vëllait Don dhe motrës Elena.

Duke folur për “Evening Standard”, Rita Ora kujton: “Ne jetonim në Earls Court. Në një dhomë të gjithë. Motra më bezdiste pasi përsëriste mësimet me zë, kurse unë doja të flija”.

Vëllai i saj lindi në vitin 1998 dhe familja u zhvendos në Kensal Rise, ku babai bleu një pub të quajtur Queen’s Arms.

Nëna e saj, Vera, studionte mjekësi gjatë ditës dhe natën punonte si kamariere. Tani ajo punon si psikiatre.

Rita më vonë ndoqi shkollën e njohur “Sylvia Young Theatre School”. Hapat e parë në muzikë i nisi kur këndonte në pub-in e babait. Në atë kohë, kur ishte 15 vjeç, nëna e saj u prek nga kanceri në gji. Rita e la shkollën për t’u kujdesur për nënën, e cila e mori veten plotësisht.

Pas disa provave, shansi doli. Kjo falë një ylli të muzikës hip hop, Jay Z. Menaxherja e saj, Sarah Stennet, që ka çuar përpara karrierën e Ellie Goulding, Jessie J dhe Conor Maynard, e prezantoi atë me të madhin Jay Z.

Brenda 48 orësh ajo nënshkroi një kontratë me shtëpinë e tij diskografike. Rita u ‘fsheh’ në një studio dhe regjistroi këngën e saj të parë, hitin R.I.P me Tinie Tempah, që menjëherë u bë numri një në listat muzikore në mbarë botën.

Motra e saj është pjesa e Team Ora dhe e ndjek nga pas në turnetë botërore. Rita ka një dobësi për nënën e saj, gjë që e shfaqi edhe në Glamour Woman Of The Year, ku Rita u shoqërua nga nëna e saj.

Perandoria e saj zgjerohet vazhdimisht dhe tani ajo është një yll edhe në botën e modës. Aktualisht ka shtëpi në Britani, SHBA dhe në Kosovë.

E pyetur për suksesin e saj, ajo thotë: “Duhet të kesh këshilltarë të mirë. Unë kam njerëz shumë të mirë. Motra dhe familja imë mbikëqyrin të gjitha gjërat dhe bizneset e mija. Është si një perandori e vogël e mirë. Po përpiqem të krijoj diçka, që familja ime të jetë mirë.”

Në një intervistë për “The Sun”, Rita Ora flet se si prindërit e saj u larguan nga Kosova drejtë Londrës. Ajo është krenare për familjen e saj dhe popullin shqiptar, madje shpreson ta inkorporojë muzikën e Kosovës në tingujt e saj. “Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”, thotë Rita, e cila mendon të mbajë koncerte në Kosovë dhe ta ndihmojë vendin e saj.

Intervistat e para të punës janë gjithmonë të sikletshme, sidomos kur mega-ylli i muzikës hip-hop Jay Z, i shtron pyetjet. Por, këngëtarja britanike Rita Ora padyshim se mbeti e impresionuar pas takimit me reperin amerikan: ajo nënshkroi kontratë me labelin e tij. Londinezja me këmbët në tokë – e cila ishte vetëm 17 vjeçe kur i’u bashkua labelit të Jay-Z, “Roc Nation – thotë: “Këndoja në baret e Londrës dhe në fund dikush më vuri në kontakt me Jay Brown-in, dorën e djathtë të Jay-Z”.

“Kam qenë shumë nervoze. Por, gjëja e mirë ishte se unë nuk e dija se do ta takoja Jay-Z-in atë natë. Po ta dija këtë do të kisha aritmi në zemër gjatë rrugës për në aeroport. Ishte befasi. Më thanë se do ta takoja ekipin e tij. Eca në dhomën e tij e ai ishte aty. Kisha të veshur një T-shirt të Run-D.M.C., dhe flokët e këmbët i kisha të lagura, sepse binte shi. Isha e lodhur. Nuk ishte momenti ideal. U futa brenda, e pashë dhe thash: ‘Oh, më duhet ta bëj’ dhe menjëherë arrita të shqiptoja vetëm ‘hey’ dhe i zgjata dorën”.

Super ylli i muzikës hip-hop nuk ishte i shqetësuar nga këmbët e lagura – ai u bë bosi i saj që nga ajo ditë. Dhe ishte Jay-Z që shkoi me Ritën në radion njujorkeze Z1000, kur debutoi hitin e saj të parë për audiencën amerikane.

Rita thotë: “Jay-Z është shef i mahnitshëm. Ai dëshiron që çdo gjë të funksionojë dhe që kompania e tij “Roc Nation” të jetë e suksesshme”.(Raela Hafizi)