Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri si kastigues gjykatash dhe gjykatësish

Një ditë pasi gjykata vendosi shkarkimin nga detyra të drejtorit të Policisë, Haki Çako, në kuadër të hetimeve për pajisjen përgjuese, dy personat të prekur direkt në këtë aferë, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama, kanë reaguar duke përdorur gjuhën e forcës. Ministri shprehu që dje mbështetje për oficerët e shkarkuar, një sinjal që merr kuptime të tjera në kushtet e një personi që është në presionin hetimor. Kryeministri, pasi i kërkoi ndjesë Italisë për një vendim gjykate – diçka e paprecedentë edhe në imagjinatën politike – sot doli kundër gjykatësit që dha vendimin me një batare akuzash.

Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshili i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës! Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë Ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të verë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë? Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman e rimori çekiçin në dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre”, shkruan Rama në Facebook.

Duket se dështimi i reformës kërkon një përgjigje teatrale, ku i miri gjendet në një betejë me të keqen. Dhe kështu, me këtë gjuhë, kryeministri provokon, apo kërkon të provokojë një betejë imagjinare deklaratash me gjyqësorin, apo me gjyqtarët. Për të arritur…ku? Me siguri në frenimin e një vendimi konfirmues në Apel. Të shihet sesi kryeministri “harron” prokurorinë në këtë çështje.

Please follow and like us: