Albspirit

Media/News/Publishing

Klishetë antishqiptarë në veprat e autorëve të huaj

Armand Plaka

Mbi stereotipat antishqiptarë në veprat e autorëve të huaj

Stereotipat apo klishetë e përdorura mbi Shqipërinë e shqiptarët kanë bërë që shpesh bota letraro-artistike, por edhe opinioni publik europian e më gjerë, në kohë të ndryshme e sidomos në shekujt paraardhës, si pasojë edhe e mungesës së mjeteve moderne të informimit publik, të përftonin një imazh tejet negativ e shumë të deformuar. Por sigurisht, se një ndikim të madh e të pamohueshëm në gjithë këtë aspekt kanë pasur edhe autorë të huaj, reporterë e gazetarë, studiues, por edhe thjesht sharlatanë e aventurierë, të cilët – herë me dashje e herë pa dashje – kanë “kontribuar” masivisht në këtë çështje.

Ky fenomen ndeshet rëndom edhe sot e kësaj dite në forma më të rafinuara, por gjithsesi mundësitë e pafundme teknike që ofron koha në të cilën jetojmë, bëjnë të mundur që shumëkush të gjykojë në mënyrë të pavarur e të mos bie pré e tyre. Sigurisht se çështja e imazhit lidhet ngushtë edhe me zhvillimet e kahershme kulturore, ekonomike e politike të një vendi, apo të një kombi, dhe shpeshherë kufiri mes imagjinatës, mashtrimit, keqinformimit e realitetit është shumë i vogël, e nxjerrja në pah e tij është nganjëherë shumë e vështirë.

Spiridon Gopceviç, 1855 – 1928

 

Në një studim kritik të ndërmarrë para disa viteve, Dr. Michael Schmidt-Neke (shih: Pseudologia phantastica und Orientalismus: Albanien als imaginäre Bühne für Spiridion Gopčević, Karl May und Otto Witte. In: Jahrbuch der Karl-May-Gesellschaft, 2006), studiues e albanolog gjerman, trajton gjerësisht rolin negativ të shkrimtarit gjerman Karl May në fund të shekullit ‘19 e fillim-shekulli ‘20-të, në përftimin e një realiteti shabllon e negativ mbi shqiptarët (asokohe nën perandorinë osmane). Por kjo pikëpamje e tij, relativizohet në dukje në vitin 2012 (shih: “Thjesht produkt fantazie! Shqiptarët në veprën e Karl Mayt”, nga Lindita Arapi, Deutsche Welle, 30 Mars 2012) ku ai thotë thotë se: Megjithëse Karl May i përshkruan shqiptarët jo edhe me aq tone pozitive, nuk mund të provohet se ai e bën këtë me qëllim fyerjeje apo denigrimi. Për shkrimtarin shqiptarët ishin lëndë letrare, imazhi për ta i shërbente atij për të krijuar një letërsi aventureske plot të papritura, rreziqe e peripeci – ku në fund fitonte gjithmonë e mira ndaj së keqes”.

Në një “fiction” historik të kohëve të fundit, me titull: “Për në Shqipëri, Karl!” ( shih: “Nach Albanien, Karl! Eine andere Reise in das Jahr 1914”, Peter Marxheimer, Nordstedt, 2007), autori në lidhje me këtë çështje na e sjell më qartë ndikimin, thuajse në kufinjtë e monopolit, që kishte në atë kohë bota (jo vetëm e fëmijëve e adoleshentëve) gjermanike nga romanet e Karl May-it në lidhje me perceptimin ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, ndërsa thekson se: Pasi Shqipëria, “Vendi –me karakteristika mitike – i shqiptarëve”, për të, deri në atë moment ishte bërë i njohur thuajse vetëm falë tregimeve të udhëtimeve të Karl May-it. Ishte sfondi i përshtatshëm gjeografik i ëndrrave rinore dhe fantazive aventureske. Vetëm një mësues kujdestar i kohës së tij të gjimnazit ishte përpjekur dikur, për ta shfryrë iluzionin e bukur e bërë kësisoj të kuptueshme në të vërtetën e vet reale, provincën osmane në skajin perëndimor të Ballkanit. Për ta çliruar, le të themi, nga qenia që e mbante atë lidhur pas kulisave magjike të May-it. Harrojeni Karl May-in! – kishte kërkuar ai në mënyrë të paekuivoke, për të disatën herë.     

Dr. Schmidt-Neke, në vitin 2006, flet pikësëpari mbi Shqipërinë si hapësirë për fantazitë megalomane, jo vetëm të Karl May-it, por edhe të Spiridon Gopçeviçit e të Otto Witte-s, një sharlatan, i cili pretendoi se u shpall Mbret i Shqipërisë në pranverën e vitit 1913. Vepra negative e roli i Spiridon Gopçeviçit, shërbeu sipas studiuesit në fjalë, edhe si bazë e mëvonshme për përcjelljen e imazhit negativ mbi Shqipërinë e shqiptarët. Ai akuzohet se me trillimet e tij të shpeshta dhe me materialet e dorëshkrimet e parapaguara nga qeveria serbe e asaj kohe, solli shpesh dezinformim, keqinterpretim e paqartësi në opinionet e politikanëve e studiuesve të kohës. Sidoqoftw, profesori gjerman thekson më tej se studimet e tij, si pasojë, nuk mund të shërbenin si një bazë e mirëfilltë shkencore për t’u marrë me historinë e Ballkanit dhe se vepra e tij, megjithëse voluminoze, u harrua shumë shpejt. Madje po kështu dhe emri, vendi e data e prehjes së tij.

 Kapaku i librit të Karl May-it, Durch das Land der Skipetaren, botimi i parë, 1892-1898

Po aty ai shprehet se: “Stili i tij i pakrahasueshëm agresiv, polemik e cinik, që me kalimin e kohës shkoi madje deri në kufijtë e urrejtjes e përbuzjes për njerëzit e grupimet e caktuara kombëtare, i bën studimet e tij me të drejtë të pavlefshme për t’u marrë si bazë për të studiuar historinë e Ballkanit dhe pa një ristudim e plotësim të tyrin, as që mund të merren në konsideratë apriori; jo vetëm interpretimi jashtëzakonisht subjektiv i raporteve, por edhe para së gjithash manipulimi skrupuloz i fakteve, janë ato që shënjojnë veprën e tij”.

Përtej studimit të albanologut të sipërpërmendur, interesant është të theksohet se në kohën kur shkroi May, nisën të dalin në dritë shumë botime të firmosura nga udhëtarë gjermanë, austriakë, francezë, britanikë e amerikanë, veprat e të cilëve, shpesh bazoheshin në të vërteta e fakte të mbledhura nga terreni, por kishte ndër to, që jo vetëm nuk kishin shkelur kurrë në tokat e banuara nga shqiptarët, por edhe niseshin qysh në gjenezë me tendenca negative.

Atmosfera kaotike në të cilën ndodhej Shqipëria e asaj kohe, ku spekulantët e aventurierët, ardhur nga vende të huaja, kishin gjetur terren për të vënë në jetë planet e tyre, na jepet edhe në një shembull tjetër. Kështu, në një analizë të bërë nga një historian dhe analist amerikan në vitin 1913, për të famshmen “New York Times” (shih: Europe’s “Autonomous Albania” Absurd, Says prof. Hart; Albert Bushnell Hart; New York Times; 19.10.1913 ), pohohet se: “katër vjet më parë, një djalosh aventurier francez, me emrin Gabriel Louis Jaray, kaloi katër apo pesë ditë duke përshkuar Shqipërinë Veriore – duke e cilësuar veten modestisht si i pari europian që kishte ndërmarrë këtë udhëtim. Ai më pas i renditi ato çka pa në një libër me shënime, i cili në fakt nuk e meriton emrin që mbart, “L`Albanie inconnue” ( ose në shqip: Shqipëria e panjohur). Kështu, si kundërvënie ndaj autorit, profesori amerikan thekson me doza ironie se: një rajon, i cili është shënjuar në mënyrë të detajuar në hartat e inxhinierëve austriakë dhe ku janë shtruar sipërfaqe të tëra me hekurudhë, zor se mund të cilësohet “i panjohur”.

Por Gabriel Louis Jaray njihet publikisht për botimin e një libri (botuar në Paris nga shtëpia botuese “Hachette”, në vitin 1913, me 238 faqe) me mbresat e tij gjatë udhëtimit që ndërmori në trojet shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut, në vitin e largët 1909. Kësaj vepre madje, sapo doli në qarkullim, edhe vetë mediat amerikane i kushtuan vëmendje, duke marrë për bazë shumë nga përshkrimet e vlerësimet e tij mbi shqiptarët. Të botuara pikërisht në kohën kur edhe prof. Hart analizonte gjendjen në Ballkan e shkruante edhe për Shqipërinë, ato kishin ngjallur edhe një farë xhelozie nga ana e profesorit amerikan, pasi ky i fundit vetë, jo vetëm që s´ishte dakord me disa përcaktime të autorit, por fizikisht, me ç´konstatojmë, nuk kishte qenë ndonjëherë në vendin e shqiptarëve, gjë e cila e bënte atë të ndihej disi inferior.

Historiani gjerman, Dr. Michael Schmidt-Neke

Më e keqja është se pasazhe të veprave të studiuesve e reporterëve të huaj, u përdorën dhe u deformuan edhe më keq me qëllime kriminale edhe nga pseudostudiues sllavë ( dmth. serbë e malazezë), që kapnin në dukje nivele shumë të larta përfaqësimi, (deri në ish-kryeministra e politikanë rangjesh të larta), të cilët me zellin e tyre të tepruar antishqiptar, shkonin aq larg, saqë bëheshin fare qesharakë në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, trajtuar nga pikëpamja profesionale e djeshme dhe sidomos, e sotme. Kështu, nuk është e rastit që në përpjekje për të justifikuar krimet e masakrat ndaj popullsisë shqiptare, por edhe për të përligjur pretendimet e tyre hegjemoniste, në kohën e luftërave ballkanike (por edhe më parë), të lexoje se “shqiptarët janë njerëz me bisht”.

Ish- Kryetari i Këshillit të Ministrave të Serbisë, Vladan Gjorgjeviç (1844-1930), i cili më parë kishte ushtruar edhe profesionin e mjekut e atë të shkrimtarit, mbahet si përfaqësuesi më tipik i një plejade sharlatanësh, të cilët me penën e tyre jo vetëm që skuqën historinë, por duhet të turpërojnë sot e kësaj dite ata që i referohen me zell në studimet e tyre. Në botimin e tij më famëkeq, “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” (shih: “Arnauti i Velike Sile”, Beograd, 1913) ai shkruan ndër të tjera se: Ata janë trogloditë bashkëkohorë, njerëz që sot e kësaj dite banojnë nëpër shpella, me dhëmbë bishash të egra dhe jetojnë në gjakmarrje – të zvetënuar; janë gjaktrazues, për shkak se kryejnë marrëdhënie seksuale brenda gjinisë”.

Po ashtu në dritë dalin në këtë kohë një sërë botimesh të politikanëve e akademikëve serbë, të cilat me zell përktheheshin me turravrap në gjuhët kryesore të kohës (anglisht, frëngjisht e gjermanisht), ku më së shumti bien në sy veprat e Stojan Protiç (1857-1923), Grigorije Bozhoviç (1880-1945), Jasha Tomiç (1856-1922), Jovan Haxhi-Vasileviç (1866-1948) etj.  Këtë fenomen më së miri na e rrëfen edhe kapitulli i katërt i përmbledhjes së botuar në vitin 2004, ”Wild Europe: The Balkans in the Gaze of Western Travellers”, i antropologut slloven, Bozhidar Jezernik, që në mënyrë sinjifikative vjen nën titullin “Men with tails” (Burra me bisht). Studimi në fjalë shqyrton perceptimet e udhëtarëve dhe studiuesve europianoperëndimorë rreth shqiptarëve, përfshi edhe përshkrimet e tyre se në Ballkan, kishin ndeshur në “njerëz me bisht”.

Në një varg konstatimesh të tjera, nëse i referohesh shënimeve e librave të asaj periudhe kohore, gjen nga ana tjetër edhe vlerësime me karakter diferencues, ku për shembull, muslimanët shqiptarë paraqiteshin me plot vese e të meta, stigmatizoheshin e visheshin me ngjyrime shpesh ironizuese e ofenduese, duke sjellë jo vetëm përcjellje negative të realitetit për botën e jashtme, por edhe mbjellë përçarje mes komuniteteve fetare vendase, ku në ndonjë rast pré e tyre binin edhe vetë shqiptarët. Po ashtu, në disa raste ndesh edhe në diferencime me karakter krahinor.

Studiuesi gjerman (i vënë në shërbim të austro-hungarezëve si konsull për Shqipërinë Jugore në vitet 1843-‘47) Johann Georg von Hahn, i cili shënjonte në veprat e tij më së shumti Shqipërinë dhe shqiptarët e shekujve 18-19, megjithë simpatinë që ushqente për të krishterët shqiptarë dhe veprën e klerit katolik në zonat veriore të Shqipërisë, shfqet mirëkuptues e objektiv për të parë në sy realitetin dhe arsyet se pse shqiptarët ishin konvertuar në Islam.

Pati ndër to, edhe si historiani dhe publicisti austriak, Jakob Philipp Fallmerayer, përgjatë shekullit të XIX, që hodhën në treg përpos disa tezave interesante e provokative rreth fqinjëve tanë, edhe disa vlerësime raciste përgjithësuese e rezervuan ironi përçmuese ndaj shqiptarëve.

Në një aspekt tjetër, sigurisht se nuk duhen harruar kontributet e albanologëve të shquar të kohës (shekulli 19-fillshekulli ’20), të cilët nuk mund të renditeshin apriorì, si mbështetës të kauzës shqiptare apo të shiheshin automatikisht si përcjellës realistë e pozitivistë të imazhit të shqiptarëve në botë nëpërmjet veprës së tyre. Sidoqoftë, rezulton se një pjesë e madhe e tyre, siç dihet, kryesisht me origjinë gjermanike, ishin jo vetëm studiues të zellshëm të albanologjisë, por edhe mbështetës pa rezerva të çështjes shqiptare. Kështu, në një vlerësim të bërë nga Faik Konica (shih: “Sëmundja e Zotit Gustav Majer”, Revista Albania, Viti I, Nr. 8, 1897, fq 125) për albanologun e famshëm Gustav Majer, thuhej:  Asnjë shqiptar i vërtetë s’ka të drejtë të mos dijë emërin e Zotit Gustav Majer, mësonjëtor i math n’Oshtri (Austri), i njohur në gjithë botë. Midis aqë të diturve t’Oshtrisë qi kanë punuar për përparimin e gjuhës shqip, as një ndofta s’ka dëftyer aqë thellësi sa Gustavi Majer. I ka provojtur Evropës që gjuha shqip është një gjuhë për të qenë dhe për të vënë re, dhe nukë një gjuhë e poshtrë dhe pa vlerë siç thonë armiqtë. Andaj, gjithë Shqipëtarët kemi detyrë t’ia dimë për të mirë Zotit Gustav Majer, edhe si gëzohemi kur mësojmë që gjendet mirë, ashtu dhe na vjen liksh kur mësojmë që i është lajthitur shëndeti.   

Duhet theksuar nga ana tjetër, se një ndihmesë pozitive në këtë aspekt në atë kohë – përveç veprave me karakter letrar e të përgjithshëm informativ në lëmin e gjeografisë, historisë, etnografisë etj. – dhanë edhe pamfletet e mirëfillta politike si “Serbia dhe Shqipëria” e kreut të socialdemokratëve serbë, Dimitrije Tucoviç ( 1914) dhe e Leon Bronshtajn “Trocki”, (i cili përcolli për mediat ruse, gjermane e austro-hungareze, një seri reportazhesh nga fronti) që raportuan realisht e në mënyrë kritike mbi atrocitetet e serbëve e malazezëve ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike, por edhe kritikuan pikëpamjet e hershme të aristokracisë serbe (dhe jo vetëm) që i përdorte stereotipet ndaj shqiptarëve, shpesh si karburant për të ndezur makinerinë e saj gjakatare.

Në këtë drejtim shkonin edhe plot reportazhe e artikuj në mediat italiane, ato britanike, austriake, çeke, hungareze, skandinave, pjesërisht në ato franceze e sidomos, në ato amerikane të kohës, të cilat në përgjithësi ndikuan pozitivisht për përcjelljen e një imazhi realist të shqiptarëve, pavarësisht kritikave e shprehjeve të mosbesimit për të ardhmen e një Shqipërie të pavarur. Gjithsesi, duhet pranuar se shpesh në to ndjehej një tautologji joefektive, naivitet e mungesë njohurish të thelluara për “fenomenet” shqiptare të kohës e të djeshmen e tyre, ndikuar kjo edhe nga izolimi e pamundësia financiare për t’a furnizuar publikun me “lëndë të parë” nga terreni.

Sidoqoftë, përpjekja më e plotë dhe më realiste në këtë drejtim ishte ajo me titull “Golgotha shqiptare”, botuar nga hebreo-austriaku, Leo Freundlich në vitin 1913, mbetet padyshim një dokument me vlera të pamohueshme historike.

Kartolinë gjermane me imazhet e librit të Karl May-it, “Durch Das Land der Skipetaren”, viti 1900

Duke iu rikthyer albanologut gjerman, Dr. Schmidt-Neke, shohim se:”… burimi kryesor i May-it për të shkruar romanet e tij në lidhje me shqiptarët është me shumë gjasa Spiridon Gopçeviç me veprën e tij “Shqipëria e Epërme dhe Lidhja e saj” (në gjermanisht: Oberalbanien und seine Liga), botuar në Lajpcig në vitin 1881. ..Pikëpamjet e May-it e të Gopçeviç-it mbi shqiptarët, në shumë elemente përkojnë me njëri-tjetrin” dhe po sipas Dr. Schmidt-Neke(shih: “Thjesht produkt fantazie! Shqiptarët në veprën e Karl Mayt”, nga Lindita Arapi, Deutsche Welle, 30 Mars 2012), duket qartazi se May-it i kanë munguar burime me vlera të mirëfillta shkencore e realiste të emrave të tillë si studiuesi e njohur gjerman, Johann Georg von Hahn, apo Joseph von Xylander

Profesori gjerman në studimin e tij na zbulon edhe detaje të cilat nuk mund të gjenden në libra e studime, gjë e cila na e bën më të qartë misionin që kishte marrë përsipër ai që për Karl May-in do të shërbente si bazament (dis)informativ, ndërsa dikuthekson se:qëndrimet e tij politike ndryshonin shpesh, e në shumë libra dëshmohet qartë se ato ishin edhe detyra të parapaguara. Sidomos me veprën “Makedonien und Altserbien“ (në shqip: Maqedonia dhe Serbia e Vjetër), botuar në Vjenë në vitin 1889, ai mori dhe damkën si “The father of Serbian political ethnography“ (Babai i etnografisë politike serbe). …Libri i tij u subvencionua nga qeveria serbe asokohe në Beograd, e cila i paguante autorit një honorar të majmë dhe i merrte përsipër edhe kostot e shtypjes së librit.

 

Please follow and like us: