Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipja përtej qytetërimeve e studiuesit Asqeri Boçi

 

 

Çlirim Hoxha

 

Shqipja përtej qytetërimeve e studiuesit Asqeri Boçi, një vepër dinjitoze e shkencës Albanobalkanologjike shqiptare të kohës tonë

 

Një tjetër studiues i gjuhësh shqipe i shtohet radhëve të studiuesve shqiptar që po këmbëngulin mbi të vërtetën e shkrimit shqip, vjetërsisë së tij dhe trashëgimisë pellazgo-iliro-shqiptare. Pikërisht libri “Shqipja përtej qytetërimeve” e studiuesit Asqeri Boçi ka mbledhur në Muzeun Historik Kombëtar studiues, gjuhëtar, historian, shkrimtar, gazetar, intelektual të fushave të ndryshme, mes të cilëve edhe Prof. Dr. Emil Lafe. Nënë organizimin e Pen Qendra Shqiptare, Qendrës së  Studimeve Pellazgjike në bashkëpunim me Shoqatën “Labëria”, prezantimin e këtij libri e ka moderuar gazetari i njohur Çerçiz Loloçi. Rreth vlerave të librit “Shqipja përtej qytetërimeve” kanë folur Mjeshtri i Madh Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Dr. Rahmi Memushi, Profesor  Blerim Çela, studiuesi Agron Dalipaj, Prof. Dr. Luftulla Peza, Profesor Lirim Muho, studiuesi dhe shkrimtari Çlirim Hoxha, Drejtor i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë etj, si dhe ka përshëndetur në emër të Shoqatës “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha. Promovimi i librit “Shqipja përtej qytetërimeve” ngjalli debat dhe përplasje midis studiuesve të pavarur që mbrojnë teorinë se gjuha shqipe rrjedh nga pellazgjishtja dhe ilirishtja dhe se mbështetën studimin e Asqeri Boçit që Iliada dhe Odisea e Homerit janë kënduar dhe shkruar fillimisht në gjuhën shqipe, si dhe linjës zyrtare që mbronte teorinë, se shqipja nuk e ka prejardhjen nga pellazgjishtja. Madje përplasjet evidentuan kontradiktat që kanë sot përfaqësuesit e linjës zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhësisë, të cilët mbrojnë me fanatizëm kufirin e gjuhës shqipe që ka vendosur Profesori i nderuar Eqerem Çabej, kundrejt studiuesve të pavarur ose të organizuar në shoqata, që i konsiderojnë teoritë e Prof. Çabejt si “Muri i Berlinit” i gjuhës shqipe dhe që kërkojnë ta shembin atë, për ti dhënë gjuhës së lashtë pellazgo-iliro-shqipe oksigjenin e demokracisë gjuhësore të munguar, si dhe vezullimin e parë të krijuar qysh në agimet e epokës njerëzore. Në fund studiuesi Asqeri Boçi falënderoi të pranishmit dhe diskutantët për vlerësimin dhe oponencën që i bënë veprës së tij. Kisha kohë që po e prisja me padurim daljen në ditë të veprës unikale të studiuesit Asqeri Boçi, “Shqipja përtej qytetërimeve”. Kam qenë pjesëmarrës dhe referues në të tre simpoziumet ndërkombëtare që Qendra e Studimeve Pellazgjike e themeluar nga Profesorët Luftulla dhe Liljana Peza kanë organizuar gjatë viteve të fundit dhe kam ndjekur me ëndje dhe kërshëri kumtesat interesante të studiuesit të apasjonuar Asqeri Boçi. Kam lexuar pjesë të studimeve të tija mbi Homerin dhe veprat e tij epike, të botuara në shtypin e ditës dhe kamë mbetur i befasuar. Kam mbetur i befasuar nga thellësia e studimeve, nga njohja e thellë dhe e gjerë e gjuhës dhe e dialekteve të mrekullueshëm të gjuhës shqipe. Pa këto njohje kaq të thella Asqeri Boçi nuk do ta kishte shkruar dot një vepër të tillë. Duke lexuar librin “Shqipja përtej qytetërimeve”, krijova përshtypjen se Asqeri Boçi ka jetuar në të dyja epokat, atë të Homerit dhe atë të sotme dhe kjo m’u kthye në bindje. Nuk ka se si shpjegohet fakti që Asqeri Boçi e njeh kaq mirë Homerin dhe veprat e tij, sikur të ishin komshinj në një lagje të Zhulatit, të cilët i ka ndarë një gardh nga njeri tjetri, ku janë rritur bashkë. Mu duk se Homeri ia jepte Asqeriut të parit Iliadën dhe Odisenë e tij përpara se ti bënte publike në botën ilire të pellazgjisë antike.

Të njohësh kaq mirë gjuhën e Homerit, do të thotë ti bësh nder të vërtetës. Asqeri Boçi, ky homerist i talentuar e ka zbërthyer veprën e Homerit në çdo detaj gjuhësor, për të na dëshmuar me fakte dhe argumente se veprat e Homerit janë shkruar fillimisht në gjuhën shqipe, gjuhë e cila ishte dominante në të gjitha hapësirat e Mesdheut. Pikërisht, ashtu siç na dëshmon edhe studiuesi i famshëm Xhuzepe Krispi apo edhe De Rada, me Iliadën dhe Odisenë e Homerit zë fill letërsia shqipe dhe ajo evropiane. Zef Krispi ishte  dijetarë i famshëm arbëresh/shqiptar dhe i pari studiues i gjuhës shqipe, që më 1832 botoi librin e tij “Shqipja nëna e gjuhëve”. Krispi ka qenë lektor i gjuhës së lashtë greke dhe latine në një kolegj në Kalabri dhe i pari ka dalluar shumë fjalët shqipe në Iliadën e Homerit.  Krispi është padyshim  themeluesi i albanologjisë.  Krispi shkruante:

“Duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të shohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, te shqipja. Si nuk u dashka pra të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë, mbase më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit….. Dardanët, frigët dhe pellazgët, pa dyshim më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e së cilës vërehen sot te gjuha shqipe”.

Asqeri Boçi e çon më tej këtë sipërmarrje dhe merr dhe zbërthen Iliadën dhe Odisenë e Homerit, duke lundruar i sigurt në oqeanin e pa fund të gjuhës shqipe, të dialekteve emblematike të saj dhe pastaj futet thellë në gjuhën greke duke përdorur metodat gjuhësore krahasimore, por ngado që shkon, kudo ku qëndron, çfarëdo që shikon, i del përpara i vetmi burim i pashtershëm i gjuhës shqipe. Kaq e thellë dhe e paanë është gjuha shqipe, kaq e fuqishme është ajo sa që na tregon me vendosmëri këtë planet që ne e konsiderojmë shtëpia jonë e përbashkët, ku emrat e maleve, oqeaneve, deteve, lumenjve, qyteteve, fenomeneve të natyrës i ka emërtuar e para që në zanafillën e epokës njerëzore, siç shprehet edhe studiuesi italian Enco Gati në librin e tij “Ilirët”.

Asqeri Boçi nuk ka bërë gjë tjetër në librin e tij, por na ka treguar dhe dëshmuar se gjuha me të cilën fliste dhe shkruante Homeri ishte gjuha pellazgo-ilire, pra gjuha shqipe. Duke kaluar me durim dhe kërshëri çdo fjalë dhe varg të Homerit, Asqeri Boçi na sjellë përpara syve gjuhën shqipe në të gjitha dimensionet e saja, çka na befason me intuitën e tij të lindur për të njohur gjuhët dhe sidomos shqipen, ku rrotullohet i gjithë diversiteti gjuhësor ballkanik dhe mesdhetar.

Të lexosh sot me kaq lehtësi gjuhën shqipe brenda gjuhës greke, këtë vetëm Asqeri Boçi mund ta bëjë, duke na bindur se greqishtja nuk është gjë tjetër veçse gjuha shqipe paksa e deformuar. E padyshim, ai na ka sjellë nga kohët e lashta të antikitetit pellazgo-ilir pjalmin e zgjoit mbretëror, ku u përgatit gjuha e parë e njerëzimit, rrënja që do pillte gjuhët e tjerë që do gumëzhinin anë e këndë botës.

Gjatë këtyre viteve kam konstatuar se ne shqiptarët jemi gati të mohojmë vetveten. Jemi gati në mosbesim absolut kur bëhet fjalë për kulturën tonë të lashtë, për gjuhën tonë si nëna e të gjitha gjuhëve, për heronjtë e antikitetit, për perëndit, luftërat dhe veprat madhore të ndërtuara nga njeriu. Shumë studiues të djeshëm dhe të sotëm nuk e kanë për gjë dhe pa u thelluar i referohen apo i drejtohen greqishtes për të shpjeguar një frazë filozofike, një fenomen kozmik, një ngjarje sportive, një hero të mitologjisë. Iu duket dituri e madhe referimi tek greqishtja. Disa na thonë se mitologjia pellazgo-ilire është ngatërruar me mitologjinë greke dhe është e vështirë ndarja apo përzgjedhja?! Është kryekëput gabim. Ata, pra grekët, serbët e ndonjë tjetër nuk i kanë dhe i sajojnë. Ne i kemi dhe i mohojmë. Kjo është fatkeqësia më e madhe e shkencës tonë gjuhësore, historike dhe arkeologjike. Për të dëshmuar të vërtetën mbi gjuhën, historinë, arkeologjinë pellazgo-iliro-shqiptare studiuesi Asqeri Boçi iu fut më durim për një dekadë të tërë zbulimit të së vërtetës dhe sot na shfaqet me veprën e tij dinjitoze, “Shqipja përtej qytetërimeve”, të një studimi gjuhësor thellësisht shkencor që do ti bënte nder çdo katedre. Të mos harrojmë që vetëm për 200 vjetët e fundit grekët mundën të falsifikojnë të gjithë historinë, mitologjinë, gjuhësinë dhe arkeologjinë pellazgo-ilire dhe përmes një fabrikimi spektakolar mundën t’i mbushin mendjen botës se e gjithë kjo trashëgimi u përket helenëve. I gjithë ky fabrikim denoncohet hapur nga studiuesi francez Martin Bernal në veprën e tij madhore “Athina e Zezë” botim i shtëpisë botuese “55”, e cila na tregon se nga cili kontinent erdhën grekët në trojet shqiptare. Gjatë vitit të kaluar Asqeriu, Lirim Muho dhe unë ndërmorëm një ekspeditë studimore në Apolloni, ku pamë nga afër dhe lexuam, përmes Asqeriut, shkrimet e lashta në muret dhe kishat e saj. Ishin të gjitha fjalë të gjuhës së përditshme shqipe dhe nuk kishin të bënin me latinishten apo greqishten, siç rreken të në mbushin mendjen disa studiues. Edhe në historinë e Shqipërisë kur flitet për antikitetin, qytetet e lashta të Orikut, Apolonisë dhe Durrahut na i quajnë koloni greke?! Dhe a e dini pse? Thjeshtë sepse në muret e tyre ka shkronja të ashtuquajtura të alfabetit grek?! Për Asqeri Boçin dhe shumë nga ne kjo nuk do të thotë asgjë, sepse ato fjalë dhe fjali janë të gjuhës shqipe, pavarësisht me çfarë shkronjash janë shkruar. Në ata shekuj zotërinj, në Mesdhe dhe gadishullin Ilirik, të kthyer në mënyrë tinëzare në gadishulli Ballkanik, nuk ka pasur fare grek apo etni greke. Edhe nëse ka pasur diku, ata nuk kanë qenë në tokën dhe ishujt ku sot është Greqia. Kemi gjetur harta të vjetra të Ballkanit, Mesdheut dhe Europës në Bibliotekën Kombëtare të Londrës, atë të Vatikanit dhe biblioteka të tjera, por ato na tregonin shtrirjen e Ilirisë pellazgjike. Studiuesi Asqeri Boçi në veprën e tij “Shqipja përtej qytetërimeve” na sjellë në vëmendje pasurinë më të madhe gojore të njerëzimit, Gjuhën Shqipe, që për mua UNESKO duhet ta mbrojë si të tillë. Duke kaluar me intuitën e tij gjuhësore nëpër krahinat e Shqipërisë, jug-veri Asqeri Boçi na tregon Homerin dhe veprat e tij Iliadën dhe Odisenë. Ai kthehet në Greqi dhe u thotë grekëve të sotëm që gjuha me të cilën ju flisni sot është shqipja dhe se, greqishtja e vjetër nuk është gjë tjetër veçse ilirishtja antike. Një studim të tillë nuk e kam ndeshur deri më sot nga asnjë gjuhëtar shqiptar, qoftë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhësisë, por kam ndeshur autor të huaj dhe studiues shqiptar të pavarur, që na kujtojnë se njerëzimi nisi të flas së pari përmes gjuhës shqipe. Janë me dhjetëra autor të tillë që na tregojnë “Ujkun”, por ne vazhdojmë të pyesim; “Ku janë gjurmët”?! Asqeri Boçi nuk kërkon të sfidoi askënd me veprën e tij “Shqipja përtej qytetërimeve”, por parashtron studimin e tij në gjerësi dhe thellësi mbi gjuhën e parë të njerëzimit, gjuhën pellazgo-ilire, ose gjuhën e perëndive siç shprehej i shndritshmi arvanitas Aristidh Kola. A ka fjalë apo shprehje që hanë diskutim në veprën e Asqeri Boçit? Pa dyshim që ka, ndaj dhe Asqeriu na fton në debat. Në veprën e tij Asqeri Boçi na argumenton me fakte se ilirishtja e ka prejardhjen nga pellazgjishtja dhe gjuha shqipe nga ilirishtja, si një ujëvarë e pandalshme e antikitetit deri në ditët tona. Me këtë vepër Asqeri Boçi mbron doktoraturën në shkencat gjuhësore, por ai nuk ka pasur këtë qëllim, por na jep sot shansin që së bashku edhe me autor të tjerë të kësaj fushe, Akademia jonë e Shkencave apo Instituti i Gjuhësisë ta pranoi këtë vepër në fondin e studimeve të tyre, qoftë edhe si një hipotezë pune. Sot jemi bërë shumë studiues dhe autor që në këto 20 vitet e fundit po ngulmojmë mbi të vërtetën e gjuhës tonë të lashtë, të historisë pellazgo-ilire. Pavarësisht se jemi të pavarur apo të organizuar në shoqata, ne gjithsesi jemi jashtë institucioneve shkencore të shtetit shqiptar dhe atij kosovar. Me këtë rast do ti kërkoja Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës të shkunden nga myku, të hapin dyert (në qoftë se ka) e mendimit studimor të ri,  pa pasur frikë nga paragjykimet, nga presionet e vendeve fqinj dhe të marrin në konsideratë dhe të mbështesin pa ekujvok botimet që i bëjnë nder gjuhës dhe kulturës shqipe, mbi të cilën duhet të shkruhet e vërteta historike që do t’u mësohet brezave në shkollat tona. Duhet falënderuar  studiuesi i talentuar Asqeri Boçi, i cili me studimet e tij mbi Homerin dhe veprat e tij, ka zbuluar, ashtu si autor të tjerë, një të vërtetë të madhe, që Iliada dhe Odisea janë kënduar dhe shkruar në gjuhën pellazgo-iliro-shqipe në fillim, pastaj nga shqipja janë përhapur në gjuhët e tjera të botës. Urojmë  të mos jetë kjo vepra  e fundit në këtë fushë, pasi brezat duan të dinë më shumë për gjuhën shqipe, gjuhën e perëndive!

 

Please follow and like us: