Albspirit

Media/News/Publishing

“Hemiltonët” shqiptarë që do ta shpëtojnë vendin nga korrupsioni

Nga: Donald Lu

Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu gjatë Aktivitetit ‘Historia Amerikane në Këndvështrimin e Adoleshentëve’ (21 qershor 2016)

 

Kush mund të më thotë se ç’lloj kapeleje është kjo? Është një kapele me tre cepa, shumë e njohur në Angli dhe në kolonitë amerikane gjatë periudhës së luftës së Shteteve të Bashkuara për pavarësi.

Kush e di titullin e teatrit muzikor më të suksesshëm për momentin në teatrin Broduei në qytetin e Nju Jorkut? Po ju ndihmoj pak, është historia e një personazhi shumë të njohur të historisë amerikane.

Është ‘Hemilton,’ një nderim nëpërmjet muzikës rep për një nga themeluesit e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Ju ftoj të shohim një video nga ky teatër muzikor. [luhet video në sallë]

‘Hemilton’ është një histori shumë e pasur dhe interesante, pasi ai filloi jetën duke mos pasur asgjë dhe arriti të bëhej një nga personazhet më të famshëm të historisë amerikane. Ai u lind në Karaibe si fëmija i jashtëligjshëm i një gruaje të martuar dhe një tregtari skocez, i cili nuk ishte bashkëshorti i saj. Shumë shpejt ai mbeti jetim. Filloi të punonte në moshën 11 vjeçare. Dhe arriti të shkonte në Kolegjin e Mbretit (sot Universiteti i Kolumbias), të bëhej shefi i kabinetit të Gjeneralit Xhorxh Uashington dhe, më pas, një nga themeluesit e Kushtetutës Amerikane. Ai vdiq gjatë një dueli me Zv. Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Aron Bjur.

Albumi i teatrit muzikor ‘Hamilton’ është për momentin në vendin e tretë të renditjes së albumeve më të shitura në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjë më gëzon pasi është ritregimi i historisë së një heroi amerikan tek një brez tërësisht i ri nëpërmjet muzikës rep. Nëse nuk e keni dëgjuar albumin, unë e shkarkova javën e kaluar në tabletin tim dhe është i jashtëzakonshëm.

Historia amerikane është e mbushur me histori të tilla mahnitëse të njerëzve të zakonshëm përgjatë periudhave të jashtëzakonshme. Periudha revolucionesh, zhvillimi teknologjik dhe trazirash sociale. Ato janë histori këmbënguljeje, sakrificash vetjake dhe guximi të jashtëzakonshëm përballë të pamundurës.

Përse është kjo e rëndësishme për ju dhe përse është kjo e rëndësishme për Shqipërinë? Unë mendoj se edhe shoqëria juaj po kalon nëpërmjet ndryshimeve mahnitëse dhe pozitive. Po bisedoja me një mikun tim, i cili po ndihmon në ndryshimet e reformës për drejtësi në Kushtetutën shqiptare. Unë i thashë që shpresoja se ai ishte duke mbajtur shënime, që një ditë të tregonte historinë e pabesueshme se si një grup i vogël ekspertësh ligjorë të guximshëm, punuan ditë e natë për muaj të tërë, për të shpëtuar këtë vend nga një sistem i korruptuar dhe i politizuar prokurorësh dhe gjykatësish. Ashtu si Aleksandër Hemilton, ata po punojnë përballë presionit të elitave politike dhe politikanëve të fuqishëm, për të shkruar një Kushtetutë për këtë vend, e cila do t’i rrezistojë shekujve të ardhshëm.

Në mbyllje, dua të them se historia amerikane është e rëndësishme për të gjithë ju pasi jam i sigurtë se midis publikut të sotëm kemi Xhorxh Uashingtonin, Tomas Xhefersonin, Eleonor Ruzveltin, dhe Amelia Eijhartin e ardhshëm. Përgjatë jetës tuaj, ju do të përjetoni ndryshime dhe mundësi të mëdha. Unë shpresoj që historia e hershme amerikane të mund t’ju ofrojë disa histori frymëzuese, se si një popull tjetër ndërtoi shtetin e tij gjatë një demokracie të re.

Please follow and like us: