Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Pipa: Skandal!

 Agim Pipa's Profile Photo 

Aeroporti i Rinasit shpall kapitullimin para 3 banditëve me maska. Të cilët, pasi kanë prerë murin rrethues me tela me gjëmba, kanë hyrë me një automjet tip Benz dhe kanë sulmuar furgonin e një Banke private, duke grabitur, sipas të dhënave të ReportTv, rreth 3 milionë Euro.

Më pas automjeti i grabitësve i është drejtuar njërës prej portave kryesore të aeroportit, dalja e personave VIP, kanë thyer pengesën e portës dalëse dhe janë arratisur bashkë me thasët e 3 milionë eurove.

Ky është një skandal i madh. Në kushtet kur siguria e aeroportit Nënë Tereza thuhet, se i ka të gjithë parametrat e ruajtjes dhe sigurisë së njerëzve dhe kapitaleve, brenda përbrenda territorit të aeroportit. Kane kaluar rreth 2 orë nga ngjarja dhe Policia e Shtetit nuk ka ende asnjë informacion mbi zhvillimin e ngjarjes, që e bëri stacionin e policisë së aeroportit të kapitullojë para tre njerëzve ordinerë.

Më e pakta, komandanti i postës së policisë shtetërore të aeroportit duhet të ishte në pranga, sëbashku me efektivin e policisë, që ruan aeroportin. Dhe më pas, nën hetim, të gjitha rojat e kamerave të sigurisë. Por, sipas meje, nga çasti i kapitullimit të aeroportit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të japë dorëheqjen dhe Ministri i Rendit të dorëzojë pranë kryeministrit edhe ai kërkesën për dorëheqje.

Mjaft më, me marioneta, që ruajnë aeroportin vetëm kur hyjnë e dalin udhëheqësit e lartë të partive, të qeverive, Kuvendit dhe ata farë deputetësh rondokopë, injorantë dhe perversë.

Vendi im. Më vjen shumë keq, që të kanë katandisur në këtë gjendje. Më vjen shumë keq…

Unë, ndjehem shumë i fyer, për atë çfarë po ndodh në vendin tim! Nga karikatura e mosmiratimit të Reformës në Drejtësi prej sharlatanësh, që ushqehen me djersën dhe gjakun e 3 milionë shqiptarëve, deri tek pasiguria e jetës në qytetet, fshatrat, lagjet ku jetojmë.

Ky është një skandal. Më vjen shumë keq vendi im; më vjen shumë keq…

Please follow and like us: