Një presidente grua?

13323658_1331208906894343_438919977134094563_o

Nga Silvi Bakiri

Po. Është plotësisht e natyrshme që një grua të bëhet Presidente, nëse ka zgjedhur të merret me politikë. Edhe në Shqipëri.

Në SHBA, ku gara presidenciale ka nisur prej disa kohësh, kjo është e rëndësishme në mënyrë të veçantë sepse gruaja, në këtë rast, nuk përfaqëson thjesht dhe vetëm një komb, por sepse ajo përfaqëson në një farë mënyre forcën e gruas… në krye të vendit më të fuqishëm në botë! Njësoj siç Barack Obama pashmangshëm përfaqësoi thyerjen e madhe përkundër presidentëve jet’ e mot të bardhë të SHBA-ve. Hillary Clinton e ka quajtur këtë “revolucioni i fundit” pas atij që u shënjua prej Presidentit aktual Obama.
Tashmë, pranë fitores së Primareve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Clinton, disa ditë më parë ka postuar në adresën e saj zyrtare në facebook një video që përforcon mesazhin e saj në këto zgjedhje. Videoja e shkurtër disa minutëshe është vetëm njëra prej kundërpërgjigjeve të radhës ndaj kandidatit të djathtë, fitues për forcën Republikane, Donald Trump, përgjigje si gjithnjë në mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, aq thelbësore për të majtët në SHBA.
“Natyrisht që ka rëndësi kur tallesh me njerëz me aftësi të kufizuara, fyen gratë apo kur inkurajon vende me supremaci për të bardhët. Amerika bën qëndresë kundrejt shteteve që i trajtojnë gratë si kafshë e po kështu njerëzit e racave të tjera si edhe besimeve të ndryshme. Çfarë po ndodh me standardet morale që SHBA ka vendosur? Cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve tanë nëse presidentët janë racistë?! Besimtarë myslimanë dhe emigrantë meksikanë luftojnë në krah të Ushtrisë sonë. Donald Trump duhet të mësojë diçka prej tyre!”
Ky mesazh i H.C. është sa solidarizues me votuesit e saj potencialë, aq edhe strategjik. Kjo, sepse është më shumë sesa i qartë fakti se që dikush të synojë të jetë në krye të një shteti, aq më tepër në krye të SHBA-ve, duhet ta ketë për detyrim dhe prioritet krijimin e një klime të mirë mes ‘të ndryshmëve’ të barabartë. Pyetja është: Sa gjasa ka që një individ-votues të zgjedhë të votojë për një kandidat që diskriminon pakicat, gjykon njerëzit e racave të tjera, është seksist, homofob apo fyes ndaj kujtdo që mendon “ndryshe”? Është fakt ama, se urrejtja mund të arrijë të bëjë bashkë një elektorat më shpejt dhe më me efiçencë. Nëpër botë ka ende plot njerëz racistë, diskriminues, seksistë e homofobë. Ata sigurisht do të bashkoheshin me shpejtësinë e erës, në mënyrë akute, në bazë, dhe nuk do të nguronin të votonin dikë që i jep zë emocioneve të tyre negative. Dihet po ashtu se këta të fundit janë shumë më të manovrueshëm se të tjerët sepse janë emocionalisht shumë më vulnerabël ndaj çdo zgjidhjeje të jashtme, sado e përkohshme qoftë ajo. Ndërkaq, njerëzit ‘open’ janë shumë më pak të manipulueshëm meqë vendimi i tyre për të qenë pranues të të ndryshmëve vjen si rezultat i një procesi racional të të menduarit. Në rastin e parë kemi të bëjmë me votues emotivë, të acaruar, që presin vetëm ‘një komandë’ për t’u hakmarrë me votë pro republikanëve dhe thirrjeve ‘të çuditshme’ të Trump-it. Në rastin e dytë, votuesi është më “i vështirë” por edhe më i arsyeshëm, e si rrjedhojë më i qëndrueshëm.
Dhe për të ardhur në logjikën e fillimit, kandidatja Hillary Clinton, sipas kësaj vije, përveçse ka sigurinë se do të afrojë një elektorat ‘të shëndetshëm’, duke kandiduar, ajo është njëkohësisht duke përfaqësuar vetë njërën prej “kategorive” që Trump anashkalon ose fyen: Gratë.
Një ish-zonjë e parë, një zonjë dhe një zyrtare vjen nga një jetë përpjekjesh të forta e gjithashtu vështirësish, por përherë në ngjitje të shkallares politike në SHBA, për t’i dhënë edhe një herë shansin votuesve amerikanë të zgjedhin atë që u duhet, jo liderin burrë dhe populist të radhës që ndërron taktikat e djeshme me taktika të tjera sot, por që gjithsesi nuk ka një strategji për të ardhmen.
Liderja me eksperiencë dhe etikë të vlerësueshme apo biznesmeni cinik e hokatar me fatet e shtetasve të tij? Kush fiton?