Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (2)

  

Në këtë pjesë do të lexoni jetëshkrimin e shkurtër

për Alizot Emirin dhe mbresat e Dritëro Agollit.

 

JETËSHKRIM I SHKURTËR

 

ALIZOT EMIRI – është lindur në Gjirokastër me 3 shkurt të vitit 1914, në një familje autoktone gjirokastrite.

Për arsye ekonomike ndërpreu shkollën dhe filloi të punonte qysh në moshë të vogël. Nga viti 1928 deri në 36, në moshën 14 – 22 vjeçare ka punuar në Gjirokastër në postë, në gazetën “Demokratia”e shitës librash e gazetash. Në periudhën 1936-1938, për arsye ekonomike, Alizoti u detyrua të shkojë në Kuçovë e Tiranë, ku punoi si çentralist e telegrafist.

Në vitin 1939, së bashku me vëllanë, Mufitin, që ishte student në Lice, hapën në Gjirokastër, në një ambient me qira, librarinë me emrin “Dante Alighieri” ( më vonë e quajtur “Librari Internacional”), e cila funksionoi deri në vitin 1947.

Gjatë kësaj periudhe ata sollën në librari literaturë në gjuhët italiane e franceze, për arsye se këto gjuhë njiheshin nga inteligjenca që kishte studiuar në perëndim, si dhe nga rinia studentore, që i mësonte ato në liceun e Gjirokastrës.

Krijuan lidhje me shtëpi botuese italiane, si dhe agjensi të shpërndarjes së librit e gazetave, të cilat furnizonin periodikisht librarinë me letërsinë e kërkuar nga lexuesit. Në librari sillnin periodikë (gazeta e revista), botime letrare nga kryeveprat e letërsisë botërore, si dhe botime enciklopedike, si “Larousse”, “Enciclopedia italiana” etj.

Më vonë u lidhën me E.S.I.-n (Edition Social International) të Francës, nëpërmjet së cilës sigurohej sjellja në Gjirokastër e literaturës përparimtare në gjuhën frënge, si “Cahier de la Jeunesse”, “Clartè”, etj.

Nëpërmjet xha Braçes, babait të tyre, që punonte në postë, arritën të shmangnin kontrollin e çensurës së pakove me literaturë të ndaluar, që iu vinte nga jashtë.

Në librari-kartoleri kanë tregtuar gjithashtu pllaka gramafoni, të prodhuara në shtëpitë diskografike italiane, ku, përveç repertorit klasik, kishin sjellë dhe pjesë të repertorit të këngëve popullore shqiptare, të kënduara nga Tefta Tashko, si dhe këngët polifonike, të regjistruara nga Neço Muka.

Libraria e vëllezërve Emiri u kthye në një qendër të vërtetë kulturore, veçanërisht për rininë studentore të Gjirokastrës. Në këtë librari zhvilloheshin diskutime të zjarrta të rinisë atdhetare.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, vëllezërit Emiri, shprehën haptaz urrejtjen dhe protestën kundër atij pushtimi.

Mufiti, studenti i shkëlqyer i vitit të tretë i universitetit të mjekësisë të Padovës në Itali, i ndërpreu studimet për t’u aktivizuar në lëvizjen antifashiste në Gjirokastër.

Vëllezërit Emiri nuk pranuan të futen në organizata fashiste, si dhe refuzuan të shesin në librarinë e tyre në Gjirokastër gazetën fashiste “Popolo d’Italia”. (Për këtë arsye Konsulli i Sarandës ua mbylli librarinë në Gjirokastër për 6 muaj).

Pavarësisht nga kjo, shpërndarja e literaturës përparimtare nuk u ndërpre. Ajo shpërndahej ilegalisht nga Mufiti tek shokët e tij me ide përparimtare.

Vëllezërit Emiri kanë marrë pjesë në protestat e demonstratat antifashiste dhe qëndrimi i tyre antifashist ra në sy të pushtuesve.

U arrestuan si disfatistë në mars të vitit 1942, mbas ceremonisë së përkujtimit të luftës së Mashkullorës, kur karabinieria fashiste gjeti të ngritur flamurin, në të cilin ishte qëndisur thirrja: “Sot në zëmrat tona, nesër në malet e Shqipërisë”! Alizotin e arrestuan në Gjirokastër, kurse Mufitin e arrestuan në Tiranë. U mbajtën dy muaj në burg dhe u dënuan nga gjyqi ushtarak fashist me një vit kondicionel seicili, për veprimtari subversive (kundër okupacionit).

Me 4 Tetor 1943 Mufiti u vra në moshën 23 vjeçare nga forcat gjermano-balliste, të cilët qëlluan me mortaja nga kalaja e Gjirokastrës mbi popullsinë, që po ngjitej në lagjet e sipërme për t’u mbrojtur.

Alizoti e ka mbështetur aktivisht luftën kundër pushtuesve, duke qënë ndërlidhës i Zonës së Parë Operative, si dhe me ndihma të ndryshme financiare ose materiale, si makina shkrimi e letër shkrimi.

Mbas luftës Alizoti, në kujtim të vëllait të vrarë, jep disa herë ndihma për shkollat e qytetit, me mjete e artikuj shkollore, në ndihmë të nxënësve të varfër.

Në fillim të vitit 1946, drejtues të pushtetit qëndror, që ia njihnin Alizotit prirjet e veçanta për tregti, i patën propozuar të fillojë punë në strukturat shtetërore të tregtisë në Tiranë, por më parë duhej të bëhej anëtar i partisë komuniste. Alizoti nuk e pranoi këtë kusht! Nuk donte të inkuadrohej në struktura partiake.

Më 22 korrik të vitit 1947, Alizoti u arrestua dhe mbas rreth 5 muaj hetuesie, më 10 dhjetor të atij viti, dënohet nga gjykata ushtarake Gjirokastër. U akuzua për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor, si dhe për pjesëmarrje në një organizatë tradhëtare për përmbysjen me dhunë të pushtetit. (Në pjesën e IV të librit, në shkrimin: “Zgjidhja e situatave ekstreme”, janë dhënë sqarime për këtë akuzë absurd).

Alizoti ka qënë qytetar me horizont, njeri me ide përparimtare, i mendimit të lirë e për tregun e lirë. Ai u karakterizua nga shpirti i protestës ndaj padrejtësive, por kurrsesi njeri i dhunës.

Edhe mbrapa hekurave kundërshtoi padrejtësinë e dënimit. Pas kësaj, me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor masa e dënimit iu ul nga 10 në 4 vjet.

Pas daljes nga burgu, në fund të vitit 1951, Alizoti punoi fillimisht si radioteknik privat , më vonë si shitës në ndërmarrjen shtetërore tregtare, pastaj hapi një aktivitet privat me dyqan kinkaleri-kartoleri.

Mbas vitit 1956, kur aktivitetet private u ndaluan, ka punuar librar në Gjirokastër, deri sa doli në pension në vitin 1973.

Më 12 nëntor 1983 ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë, pranë familjes në Gjirokastër. Populli i Gjirokastrës e nderoi Alizotin, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në kortezhin e përmortshëm të përcjelljes për në varreza. Në heshtje të plotë!

Pa fjalë! Pa… “I paharruar kujtimi …”!

Lufta e “klasave” i qëndroi mbi kokë Alizotit, “besnike”, edhe pas vdekjes së tij.

Eshtrat e tij prehen në varrezat e qytetit të Gjirokastres, të atij qyteti, ku ai kaloi gjithë jetën dhe ku ka lënë një emër!

Në qoftë se do të formulonim një C.V. për Alizotin, ajo do të ishte si më poshtë:

 

Arsimi e kultura

U arsimua si autodidakt e u kulturua nëpërmjet leximit të pandërprerë të librave, si dhe frekuentimit të ambienteve kulturore e artistike. Pra, kishte shkollën e madhe të jetës e të librave. Kishte një shkrim të bukur e estetik, një kaligrafi të veçantë.

 

Profesionet

Në kushtet e një fukarallëku të skajshëm, në një vend me nivel mjaft të ulët zhvillimi, i lindur e rritur në një familje të varfër, pa asnjë trashëgimi pasurore, Alizoti u përpoq për mbijetesën e familjes, duke filluar gjithçka thuajse nga zerua. Përvetësoi dhe ushtroi disa profesione: Përdarës poste, shitës librash e gazetash, çentralist, radioteknik, fotograf, tregtar kinkaleri – kartoleri, riparim stilografësh e çakmakësh, artizan prodhim zarfa e kutia, por mbi të gjitha “LIBRÀR”.

Në morinë e profesioneve të ushtruara nga Alizoti, lexohet përpjekja e veçantë e tij për ta përballuar jetën me dinjitet në ato kushte të vështira.

 

Gjuhët e huaja

Zotëronte gjuhën italiane në nivel mjaft të mirë. Në italisht Alizoti kish lexuar kryeveprat e letërsisë italiane dhe asaj botërore, të cilat nuk ishin të përkthyera në shqip. Njihte në nivelin e komunikimit gjuhët frengjisht, greqisht, gjermanisht.

 

MBRESA E KUJTIME PËR ALIZOTIN

Biseda me shkrimtarin e shquar Dritëro Agolli

Këto mbresa e kujtime Dritëro Agolli na i ka treguar, kur ai plotësoi dëshirën tonë, duke na ftuar në shtëpinë e tij, më 22 janar 2011. E ndjemë veten shumë mirë që Dritëroi tregonte me kënaqësi e qeshte vazhdimisht, duke portretizuar personalitetin e babait tonë, Alizotit.

Ne kishim dëgjuar nga babai të fliste me shumë konsideratë për Dritëroin si shkrimtar i shquar. Me shumë kënaqësi ai kujtonte takimet e bukura e plot humor me të.

Zotia e vlerësonte veçanërisht Dritëroin si njeri, që pavarësisht nga pozita e lartë shoqërore që kishte, ishte i thjeshtë dhe dinte e donte t’i respektonte njerëzit. Alizoti e ndjente veten shumë të respektuar e të vlerësuar në shoqërinë me Dritëroin dhe kjo i sillte kënaqësi të veçantë. Nëna jonë, ndjesë pastë, që jetoi dhe shumë vjet mbas vdekjes së babait, na kujtonte dhe na lutej, që të gjenim mundësinë ta takonim Dritëroin, të pinim një kafe me të e ta falenderonim në emër të gjithë familjes sonë, për respektin që kish treguar, në ato kohë të vështira, ndaj babait tonë, Alizot Emirit.

Ne e falënderuam me mirënjohje të thellë Dritëroin, që na e plotësoi këtë dëshirë.

Besojmë që edhe ai u kënaq me praninë tonë në shtëpinë e tij. Na priti bashkë me zonjën Sadie. Na gostitën e na sajdisën. Na respektuan si fëmijët e Alizot Emirit, si fëmijët e mikut! Mbesa dhe nipi i Dritëroit na bënë fotografi. Një kujtim i veçantë për ne. Me miratimin e tij, ne regjistruam në diktofon tërë bisedën e ngrohtë me të. Edhe ne i treguam disa histori nga ato të Zotes. Ai qeshte me gjithë shpirt dhe, pas çdo historie, përsëriste vlerësimet e tij për mënçurinë, finesën, kulturën e, sidomos, për humorin e zgjuar e të dashur të Alizotit.

 

E KISHA MIK ALIZOTIN

Pjesa e parë e bisedës me Dritëroin, 22 janar 2011:

E kisha mik.

Në Gjirokastër vërtitshim nga vërtitshim dhe vinim te libraria e Alizotit, që e kishte në Qafën e Pazarit, kur ngjiteshe lart në krah të majtë. Kishte një librari që e mbante shumë mirë, po edhe i tërhiqte njerëzit. Unë e vlerësoja shumë Alizotin dhe, kur e takoja, se në atë kohë vija shpesh me shërbim në Gjirokastër, ndjeja një kënaqësi të madhe, sepse ai ishte shumë i këndshëm në fjalët, në bisedat, dinte shumë nga përvoja e tij për jetën, në përgjithësi, por dinte shumë edhe nga historia e librat, sepse, siç thonë të vjetrit, ishte njeri i kënduar. Kishte një humor të hollë kur tregonte, një humor të tillë prej një intelektuali të lartë. Jo një humor banal, por ishte me një humor të rrallë. Në përgjithësi, njerëzit e atëhershëm në Gjirokastër ishin njerëz me humor dhe kanë patur një origjinalitet në këtë fushë. Edhe kur ishin në tavolinë apo në sofër, në kafene apo shtëpira, nuk ndaheshin nga humori. Edhe Alizoti e kishte përvetësuar këtë gjë nga jeta e përditshme. Por, ai e dinte shumë mirë historinë, lexonte libra, dinte gjithë ngjarjet historike të Shqipërisë: të Shqipërisë së lashtë dhe të Shqipërisë së asaj kohe. Me një fjalë, ai ishte një enciklopedi e tërë. Ndofta nga kjo mënçuri që kishte marrë edhe nga jeta, edhe nga libri, në bisedë ai ishte shumë i këndshëm dhe nuk mërziteshe të rrije me të. Nuk i përsëriste gjërat, nuk i ritregonte ato, këtë e kishte inat. Veçanërisht, ajo që më bënte mua përshtypje atëherë, kishte një farë përçmimi për ata që nuk silleshin mirë, që premtonin shumë dhe nuk bënin gjë.

Më kujtohet, kur isha një herë me shërbim në Gjirokastër. Kishin dalë shumë libra marksiste- leniniste, por kishte filluar edhe seria e vëllimeve të Enver Hoxhës.

-Paske shumë nga këto – i thashë unë, kur hyra në librari.

-Mor, kisha më shumë, – tha -, por kam vajtur në Komitetin e Partisë dhe i kam vënë mbi tavolinë çdo instruktori dhe punonjësi të partisë, dhe iu kam thënë: këto janë ato librat, që duhet t’i dini ju, se jeni marksistë dhe ju duhet t’ia shpjegoni popullit. Ju nuk merrni asnjë libër nga këto. Rrallë tek- tuk ndonjëri merr, kurse ju nuk vini ndonjëherë te libraria ime për të parë, të shfletoni një libër, prandaj unë po jua jap këto libra të gjithëve dhe mblidhni paratë e m’i sillni në librari. Librat nuk jua fal dot unë, mund t’ua falnin autorët, Marksi apo Engelsi. Unë i kam marrë për t’i shitur, prandaj po jua jap, në vend që të vinit vetë t’i merrnit, po ua sjell unë këto libra. Edhe shita gjithato –tha.- Vajta dhe në Komitetin Ekzekutiv, shita dhe atje. Por më kanë mbetur edhe ca, do t’i shpie dhe ato libra aty, që t’i kenë. Kështu, që dalëngadalë këto libra politikë po më shiten. Librat letrarë i marr, se janë më kuriozë për t’i lexuar. Ja dhe ty, po të mos ta kesh marrë andej nga Tirana, kam një libër të vjetër, mirë bën ta marrësh.

E mora dhe e kam edhe sot në bibliotekë. Nga ky fakt mendoja një ditë: ja si duhet të jetë librari. Duhet të dijë librat që ka, duhet të dijë përmbajtjen dhe t’u thotë: kjo është e dobishme për ty. Sot ka lloj- lloj librash, ka për të gjithë profesionet, mirëpo librarët nuk janë si librarët e dikurshëm, siç ishte Alizoti.

Pastaj Alizoti më thotë: -Do dalim të rrufisim një kafe?

– Po mirë dalim- i thashë – vemi tek rrapi, te klubi i gjuetarëve.

– Atje vijnë pleq e do na mërzisin – më tha – më mirë vemë te Cile Muka.

Cile Muka kishte një pijetore të tij, ishte njeri që kujdesej për të tjera gjëra, por dhe ato i bënte me mjeshtëri, kështu që të dy ishin mjeshtra. Në atë kohë kisha botuar te “Zëri i Popullit” shkrimin “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi“.

Pimë nga një kafe e nga një gotë raki. Cilja na vuri edhe nga një gotë tjetër përpara dhe Alizoti i tha: Ç’pate që më vure flakën! Që nga ajo kohë, sa herë që veja në Gjirokastër ju thoshja shokëve: “ku do ta rrufisim?”- siç thoshte Alizoti, ose kur më vinin përpara ndonjë gotë tjetër, u thosha: “Ç’patët që më vutë flakën“!

Njëherë isha në librari te Zotia, kur zhvillohej festivali në Gjirokastër dhe ngjiteshin grupet folklorike nga Qafa e Pazarit. Binin daullet e mëdha të Dibrës e të Tropojës, sa tundeshin dhe librat nga gjëmimi i tyre.

– E mo Zote – i thashë – si të duket kjo hare?

– Shumë mirë tha, gjithë minjtë e Gjirokastrës do ikin e nuk do mbetet asnjë mi. Nga zhurma e këtyre daulleve do ikin nga Libohova, do ikin tutje, edhe e kemi mire këtë gjë, sepse në çdo pesë vjet pastrohet Gjirokastra nga minjtë…

Po i tregonte shumë bukur. Unë i përsëris dhe përsëritja nuk ka ato nuanca që kishte, kur i tregonte ai vetë.

Ka plot historira edhe janë të bukura, jo banale, janë të kulturuara e nuk të ofendojnë.

Ma tregonte Agim Shehu, kur kish pyetur një herë Alizotin:

– Ku është Basho Thomai, Ramiz Harxhi dhe Lefter Dilua, ku janë?

– Ja, po zbresin Qafën e Pazarit dhe këndojnë himnin e flamurit – i tha Zotia, se miq i kishte dhe bënte humor me ta, se për Alizotin ata ishin si patriotë e rilindas të rinj. Alizoti ishte njeri me humor të madh shumë.

Na tregonte në Gjirokastër se, kur erdhi një herë Enver Hoxha, e pa te dera e librarisë Alizotin, e takoi dhe e përqafoi. Alizoti u gëzua shumë që e panë ta përqafonte Enveri, se në Gjirokastër kishte disa njerëz që i kujtonin biografinë e i thoshin që në vitet 30 kishte shkruar kështu e kishte bërë ashtu (se Alizoti ka qenë dhe gazetar, ka shkruar në gazetën “ Demokracia”).

Alizoti ishte njeri i zgjuar dhe me kulturë të madhe, jo vetëm me atë kulturën e lashtë, por edhe me kulturën e re, pas Luftës së Parë Botërore, pas Luftës së Dytë, pas luftës Nacionalçlirimtare. Dinte shumë mirë vendet më interesante të Gjirokastrës, por dinte akoma më mirë të jepte këshilla. Për shembull, kjo godinë po prishet, ose ky mur i kalasë ka difekte nga koha.

– Hajde t’i tregoj – më tha mua një ditë. – E sheh si ka mbirë bar nëpër mur, bar edhe fiq. Këta do të lëshojnë rrënjë e do të bjerë ky mur, por nuk më dëgjojnë, se më thonë që ky bar e mban këtë mur.

Janë torollakë, se ky bar lëshon rrënjë që hyjnë brenda. E kam fjalën që interesohej, jo vetëm si njeri i librave, por edhe për ambjentin, për pastërtinë e qytetit, për monumentet e kulturës të Gjirokastrës. Se, kur ne kemi qenë nxënës në Gjirokastër, ato monumente rrinin në këmbë, ishin të mira dhe të bukura. Kohët e fundit, tani, meqë nuk kujdeset njeri, është shkatërruar një pjesë e madhe e tyre dhe është fatkeqësi.. Po të kishim ne aq njerëz sot, siç ishte Alizoti,ndryshe do të ishte pamja e Gjirokastrës dhe e librarive, edhe e të tjerave.

Ju bëni mirë me këtë libër për Alizotin dhe duhet të mblidhni edhe kujtime të tjera, se duhet të ketë në Gjirokastër të moshuar që kanë kujtime të shumta për atë, veçanërisht për fjalët e tij të rralla.

++++

 

Më datën 9 shkurt 2011 shkova në shtëpinë e Dritëroit, për t’i treguar të redaktuar transkriptimin e bisedës, që kishim regjistruar në diktofon.

Më pritën si djalë shtëpie. Zonja Sadie doli tek dera, Dritëroi u ngrit në këmbë, sikur do të takonte Alizotin. U ndjeva i respektuar më shumë sa duhej.

Unë u dhashë një dhuratë simbolike, një CD me koncertin për pjano, të luajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me 28 janar 2011 nga mbesa e Alizotit, pjanistja Almira Emiri, të shoqëruar dhe me një fletë palosje me programin e koncertit dhe CV-në e pianistes. Ju bë qejfi.

Zonja Sadie na solli gotat me raki.

– Pasi e morët ju në telefon, – tha ajo -, Dritëroi ka qenë tërë kohën i menduar, duke risjellë në kujtesë njohjen me Alizotin. Kjo i ka sjellë kënaqësi, sepse njohja me të bën pjesë në kohët e bukura të jetës së Dritëroit. Sot u ngrit që me natë dhe u ul të shkruante përsëri për Alizotin. Dritëroi tani nuk shkruan dot me dorë, sepse i dridhet pak, po ja që për këtë shkrim e zotëroi këtë “mosbindje”.

Më vuri përpara fletën e shkruar me dorë nga Dritëroi.

-Po të bëj një fotokopje të këtij dorëshkrimi, që ta keni kujtim nga dora e Dritëroit.- tha zonja Sadie.

– Tani do vazhdosh t’i shkruash ti ato, që do të flas unë! – më tha Dritëroi.

Dhe vazhduam të hedhim në letër mendimet e Tij: Ai fol e unë shkruaj…

– Më mbeti merak, – tha, – se në bisedën e parë ne nuk i bëmë disa konkluzione për Alizotin. Se Alizoti nuk qe dosidò!

Sapo mbaruam së shkruari, iu luta të shikonin atë “hyrjen”, që kishim përgatitur Ibrahimi dhe unë. Ja lexova. Më dëgjuan deri në fund.

– Shumë mirë e keni bërë, – tha Dritëroi, që mori dhe miratimin e zonjës Sadie. – Mund ta vini dhe në hyrje të kësaj bisede, por hiqe atë epitetin “i thjeshtë”, që keni shkruar për Alizotin!

– Po njeri i thjeshtë ishte Alizoti! – këmbëngula unë.

-E ke gabim! – më korigjoi Dritëroi.- Nuk ka njerëz të thjeshtë, ky është një term i mbetur që nga kohët e herëshme. Njeriu është shumë i komplikuar. Dhe Alizoti nuk ka qenë njeri i zakonshëm! Ka qenë njeri i ditur, i mençur… .

– Po nuk shkon, që ne fëmijët të shprehemi për babain tonë me të tilla vlerësime! – u mundova të justifikoj unë formulimin.

Ata të dy insistuan. E hoqëm epitetin “i thjeshtë”, por ne femijët përsëri hezituam të shtojmë epitete. Le të mbetet më mirë kujtimi i Alizot Emirit vetëm me vlerësimet, që i bëjnë miqtë e shokët e tij, pa mbivlerësimet e natyrshme të fëmijve.

Megjithëse mbaruam së shkruari, biseda vazhdoi natyrshëm. Ishte kujtimi i jetës së trazuar plot përplasje, aksidente, sfida e gëzime, që kaloi Alizoti, të cilat e bënë të meditonte Dritëronë e të gjente ngjashmëri në të edhe zonja Sadie. Biseduam më pas për sojllinjtë e për sojsëzët, që bashkëjetojnë në shoqërinë njerëzore në çdo kohë, ku sojsëzët u hipin në kurriz sojllinjve dhe gjithsesi ankohen, edhe pse janë kaluar.

Biseduam për mosmirënjohjen aq dëshpëruese me të cilën paguhen nderet e mëdha, të bëra me shpirtmirësi nga sojllinjtë.

-Eeeeh…!!!

E vlente psherëtimën! Dhe në këto raste Sadia shkonte drejt e tek Dritëroi i ulur, përulej mbi kokën e tij, i kapte fytyrën me të dy duart dhe e puthte në ballë. E bënte aq natyrshëm këtë veprim! Prania ime nuk ishte pengesë për këtë rit të bukur e shumë njerëzor në moshën e tyre. Unë e admiroja përherë e më shumë këtë gjest hyjnor! Tamam kur ndonjë kujtim e dëshpëronte Dritëroin, kur shqetësimi i tij rritej, ajo, që ia ndiqte me vëmendje gjëndjen shpirtërore, shkonte dhe i puthte ballin.

Më dukej sikur ai lloj kontakti ishte çudibërës, dhe Dritëroi menjëherë çlirohej…

Ky veprim aq i gjetur më ngjante me urimet që na bënte gjyshja e nëna, kur ishim te vegjël: “Ju maaarrsha të keqen”!

Dhe mendova: ka pasur shumë të drejtë Dritëroi, që i ka kënduar Sadies, “xhindes” shkodrane, këtij engjëlli mbrojtës.

– Sillna dhe nga një gotë! – i tha Dritëroi. Donte ta çokisnim, megjithëse mosha 80 vjeçare ia ka vështirësuar lëvizjen e dorës. U ndjeva edhe më shumë si djalë shtëpie. Gota e parë ishte gota e mikpritjes, e sajdisjes. Gota e dytë ishte e muhabetit, ishte e Alizotit! Së paku ta ngjaja babanë për rakinë!

– Kam shkruar ca vargje për ato që biseduam. Do t’i gjej- tha Dritëroi dhe po kërkonte nëpër letra…-.Ja, më duket se është kjo:

Përulja e madhe

S’gjen dhimbje më të madhe, në ke parë

Njerinë e ndershëm në mjerim e vaj,

Kur lutet i përulur, zemërvrarë,

Dhe ndihmë e shpresë pret nga maskaraj.

Eeh, çfarë pene do duhej për të përshkruar atë që përjetova unë! Sigurisht isha personi i gabuar në vendin e duhur.

Duke hedhur këto rreshta jam ndjerë jo vetëm i pa aftë, dhe kjo është plotësisht e justifikuar, por dhe i pasjellshëm, kur e kam shkruar emrin e Dritëroit thjesht, pa asnjë përcaktor, si “Zoti Dritëro”, “Xha Dritëro”, etj. Këto përcaktorë i kanë bërë gjithmonë më të respektuar emrat e më të moshuarve.

Përcaktorët më ngjajnë me piedestalin mbi të cilin ngrihen monumente – emrat e të moshuarve. Dhe sa madhështi u japin monumenteve piedestalet!

Çudi, me emrin e Dritëroit, në kënd-vështrimin tim, këta lloj përcaktorësh, përkundrazi, nuk përbëjnë aspak një piedestal!

Si është e mundur?! Si mund të shpjegohet kjo?!

Ndoshta nga që ky emër përfaqëson një nga malet më të larta të kulturës kombëtare. Nuk mund të vihet mali mbi pjedestal!

Emri DRITËRO, e ka brenda vetes piedestalin!

 

NË RADHËN E TË PARËVE…

– Pjesa e dytë e bisedës me Dritëroin, dt. 09 shkurt 2011:

 

Në qoftë se do të kishte një mundësi, që të bëhej një histori e librarëve shqiptarë, unë në radhën e të parëve do të vendosja Alizotin. Pse?

E para, Ai e njihte vlerën e librit dhe e njihte historinë e librit. Në historinë e shpikjeve të njerëzimit, thuhet se dy shpikje të mëdha kanë qenë të parat: shpikja e rrotës dhe shpikja e librit.

Asgjë nuk mund të lëvizë pa levë dhe pa rrotë në natyrë dhe asgjë nuk mund të lëvizë në mendje pa libër. Këto Alizoti i dinte, prandaj kishte nderim dhe dashuri për librin.

E dyta, si rrjedhim i të parës, Ai, librarinë e tij, që ishte një lokal i vogël, nuk e shikonte si një shitore të zakonshme zarzavatesh, apo kinkalerish, por si një qelizë, si një bërthamë kulture dhe gjithë ç’kishte brenda këtij lokali, ai i njihte si një bibliotekë shtëpie, siç kam unë në një dhomë biblotekën time, që njoh jo vetëm vlerën e librave, por edhe vendin ku zenë radhë këto libra dhe prandaj Alizoti, kur vinte ndonjë dashamirës libri për të blerë diçka, i tregonte këtij dashamirësi vlerat e çdo rafti libri. Tani, në ditët tona, mua më vjen keq që nuk ka librarë të tillë. E shohin librin siç shohin një patate, një presh, një hudhër apo një këmishë me një kravatë me lulka.

E treta, Alizoti i shikonte blerësit e librave me syrin e një psikologu. Fjala vjen, një fëmijë apo një plak e orientonte se çfarë libra i përshtateshin këtyre kategorive dhe, në të njëjtën kohë, nuk i fyente, por u thoshte merrni ç’të doni, por këto gjëra që po ju them unë i kam nga përvoja. Për moshat e rritura nuk kishte ndonjë këmbëngulje cilat libra do merrnin. Ai vetëm rekomandonte, por për fëmijët tregohej shumë i kujdesshëm dhe i sjellshëm dhe me takt pedagogu, duke u thënë: kur të rriteni këto libra, që kërkoni do të jenë shumë të vlefshëm për ju.

Këto mendime që thashë, megjithse pak të zgjatura, i kam si rrjedhojë e njohjes sime me Alizotin që në moshën e rinisë dhe më vonë.

Unë ju falënderoj ju që më bëtë të kujtoj Alizotin, që e kisha mik të ngushtë, që kur veja me shërbim si gazetar në Gjirokastër, nuk rrija pa e takuar edhe në librari edhe në kafe, dhe në shëtitje.

Ai, siç e kam thënë dhe në fillim, ishte një nga njerëzit më të këndshëm në biseda. Dinte shumë historira dhe ishte një patriot i ndershëm.

 

 

Please follow and like us: