Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë strategjie po ndjek Blushi për partinë e re?

Ben Blushi nuk e ka lënë as sot pa e shfrytëzuar tribunën e parlamentit, për të folur për një klasë politike të ezauruar dhe të falimentuar e cila është krejtësisht e shkëputur nga problemet reale të njerzve. Blushi ka këmbëngulur edhe njëherë pranë kolegëve të tij se do të kishte qënë ndryshe po ta kishin çuar kushtetutën tek elektorati, ndoshta ajo nuk do rrezikonte të dështonte siç duket se do të ndodhë në 21 korrik. “Ju përgatitët një gjë në kuti të mbyllur dhe si të gjitha gjërat që nuk marrin ajër, ajo tani mban erë” u tha ai deputetëve. Si kundërshembull për këtë Ben Blushi solli nismën e tij dhe të 9 deputetëve të tjerë që kanë firmosur një propozim për zgjedhjen e presidentit nga populli. “Ju pjesa, tjetër e parlamentarëve të partive të mëdha nuk e firmosët atë, se jeni nën zgjedhën e kryetarëve, por vetëm në një javë, ne arritëm të marrim mbi 10 mijë firma në popull për zgjedhjen e presidentit”.

Blushi e ka dhënë këtë shembull për të dëshmuar edhe njëherë një tezë që ai po e përsërit prej kohësh. Se parlamenti është shnedrruar në pjesë të një kaste e cila e mbyllur në kullën e saj të fildishtë, as nuk shqetësohet për problemet reale të shqiptarëve. Pasi për një kohë të gjatë ka vënë gishtin mbi mëkatet e Rilindjes, mbi shtimin e varfërisë, mbi largimin masiv të shqiptarëve, kundërshtari i Ramës në PS, po përpiqet të tregojë se dy partitë e mëdha janë shndërruar në pengesë për vendin.

Natyrisht që kjo është një optikë e re që i shërben krijimit të shtratit për forcën e re politike që Blushi thuhet se do të themelojë në shtator. Dhe ai nuk le shembull pa treguar se kjo klasë politike e ka mbaruar misionin e saj, si djathtas si majtas. Por pasi vërteton këtë Blushi ofron dhe zgjidhjen: Nuk duhen marrë vendime në klane të mbyllura politike, por duhen konsultuar zgjedhësit.

Kjo do të jetë me sa duket edhe strategjia e forcës së tij të re politike. Jo vetëm anatemimi i partive të mëdha, por edhe bërja aktive e njerzve të paangazhuar deri më sot. Kështu që nuk do të jetë çudi që në shtator krahas një force të re politike, të përvijohet edhe një parti që i përshtatet formave të reja të komunikimit. Që para se të marrë vendime dhe të elaborojë ide, të konsultohet me njerzit përmes rrjeteve sociale. Të mbrojë kauza pasi i ka pyetur ata. Blushi po bën provën e parë përmes votimit online për presidentin nga populli. Prezumon që drafti kushtetues po dështon se nuk zgjodhi të njëjtën rrugë. Nuk është çudi që nesër ai të krijojë një parti që nuk do të ketë më si mjete beteje, armët, mitingjet, qëndrestarët, ish sigurimsat, por popullin e madh të rrjeteve sociale dhe Facebokun. 

Please follow and like us: