Festivali i filmit ballkanik në Pogradec/ Në konkurim 100 filma

Festivali i filmit Ballkanik në Pogradec/ Në konkurim 100 filma

Edicioni i gjashtë i festivalit “Balkan Film & Foof Festival”, Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë do të zhvillohet në Pogradec nga data 31 korrik-5 shtator. Në edicionin e këtij viti janë në konkurrim afër 100 filma nga të gjithë vendet e Ballkanit. Jashtë konkurrimit janë edhe 50 të tjerë. Pjesëmarrës në festival janë disa nga figurat më të spikatura të kinematografisë shqiptare si: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Pirro Milkani, Ndriçim Xhepa, Guljejm Radoja, Tinka Kurti, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Niko Kanxheri, Esat Musliu, Saimir Kumbaro, Xhevdet Feri, etj. “Presidente nderi e festivalit është Margarita Xhepa. Juria e festivalit është e përbërë nga pesë anëtarë, të gjithë autoritete në fushën e kinematografisë, dhe të gjithë joballkanikë. Këtyre u takon verdikti i fundit i ndarjes së çmimeve”, tregon drejtori artistik Eno Milkani. Të ndarë në disa kategori një vëmendje e madhe shkon dhe për filmin artistik me metrazh të gjatë, ku në konkurrim do të jenë filma nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, etj. “Në këtë program të konkurrimit Shqipëria do të përfaqësohet me filmin me metrazh të gjatë “Gjaku i shprishur” me skenar dhe regji nga Besnik Bisha”, tregon regjisori Eno Milkani, drejtor artistik. Me organizatorë Eno Milkani dhe Gerta Qurku gara e filmit do të jetë dhe për filmin e shkurtër dhe atë dokumentar.

Për pesë vjet me radhë festivali B3F është zhvilluar në javën e parë të shtatorit. E reja e këtij edicioni është që zhvillohet në javën e parë të gushtit, pikërisht në kulmin e sezonit turistik në Pogradec, nga ku pritet edhe një pjesëmarrje më e gjerë, jo vetëm nga banorët e Pogradecit, por edhe nga pushues të shumtë. Festivali do të shoqërohet edhe me disa aktivitete të tjera. Çdo natë në kinemanë verore pranë Galerisë së Arteve do të shfaqen filma me protagonist aktorin e shquar shqiptar Bekim Fehmiu në nderim të 80-vjetorit të tij të lindjes.

Në “Balkan Mish Mash Film Production” në bashkëpunim me UNESCO një grup kineastësh të rinj do punojnë në një projekt të veçantë, i cili ka për qëllim që, nëpërmjet videdokumentarëve, të evidentojë vlerat ende pak të njohura turistike të zonës duke u fokusuar tek Liqeni i Ohrit. Një koloni piktorësh, studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, nën drejtimin e prof. Vladimir Myrtezaj-Groshi do të punojë përgjatë një jave duke realizuar peisazhe nga Pogradeci. Këto punë do të ekspozohen në galerinë e qytetit natën e fundit. Në odeonin e qytetit, në një ekran të madh, do të shfaqen çdo natë filma shqiptarë të tipit komedi, raporton e përditshmja Sot. Një ekspozitë pikture nga autorët Anastas Kostandini dhe Arben Theodhosi do të jetë e hapur në galerinë e qytetit përgjatë gjithë ditëve të festivalit.