Albspirit

Media/News/Publishing

Kush është “i panjohur” që informoi të fortin e “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukalin, se po mbikqyrej

Gjergj Cukali, i forti i “Myslym Shyrit”, që kishte ngritur një rrjet të trafikut dhe shpërndarjes së kokainës në Tiranë, ishte vënë në dijeni se po mbikqyrej dhe po përgjohej. Për këtë arsye ai e ka mbyllur numrin e telefonit që përdorte dhe ka vënë në përdorim një numër tjetër. Pas këtij veprimi, telefonatën e parë e ka patur me mikun e tij Artur Tarja. I kërkon atij të shkojë te “21 Dhjetori” për të takuar dikë në vendin ku  bëhen çelësat.

Tarja shkon në vendin që i thuhet nga Cukali dhe zhvillon një takim me një person të panjohur për policinë. Hetuesit dyshojnë se i panjohuri e ka informuar atë se Cukali po ndiqej. Pasi është vënë në dijeni, Cukali kërkon ta paguajë “të panjohurin” për ta mbyllur këtë çështje. “Sa është kafja e kësaj pune”, mësohet t’i ketë thënë ai Tares, siç raporton Shqiptarja.com. Tarja e informon se personi do t’i kthente një përgjigje për këtë.

Ai i kërkon Cukalit të mos flasë me askënd dhe për “nja 10 ditë” të qëndrojë i izoluar e të shmangë daljet në rrugë.

Nisur nga këto biseda, prokuroria urdhëroi arrestimet e menjëhershme në grupin e Cukalit. 7 persona përfuduan në pranga, mes tyre edhe një grua, që konsiderohet si financierja e grupit, pasi mbante llogaritë e drogës së shitur.

Veç arrestimeve, prokuroria po heton për të zbuluar se cili ishte “i panjohuri” që dekonspiroi hetimet. Ka dyshime se ai mund të ketë qenë nga radhët e policisë apo ndonjë person i afërm me anëtarët e grupit hetimor që kishte njohje edhe me Artur Taren, krahun e djathtë të Cukalit.

Please follow and like us: