Albspirit

Media/News/Publishing

Si duhet kuptuar propozimi i Metës për qeveri teknike?

Propozimi i aleatit të Edi Ramës, për një qeveri ekspertësh pas miratimit të reformës në drejtësi të enjten, është pritur me shtangie dhe habi. Si ka mundësi që aleati i dytë më i madh i koalicionit propozon prishjen e qeverisë? A mos ka vallë ai një pakt me Berishën ashtu sikurse flitet? A mos është kjo një manovër e re për të friksuar Ramën dhe për të sanksionuar dështimin e reformës?

Për të kuptuar deklaratën e Metës duhet shikuar konteksti i plotë i saj. Fillimisht Meta flet për klimën e mosbesimit që ekziston mes palëve. Sipas të gjitha gjasave, me anë të saj, ai nënkupton frikën që ka opozita se mos Rama e përdor reformën e miratuar për revansh dhe hakmarrje politike. Ndaj ai propozon: Meqë reforma është e rëndësishme për fatet e vendit dhe integrimin, secili duhet të sakrifikojë. Në emër të saj, edhe Rama le të tërhiqet nga kryeministër. Kështu opozita nuk ka më frikë nga përdorimi politik dhe ajo kalon edhe propozimin e fundit të Nuland: me veting të kontrolluar nga ndërkombëtarët.

Vetrëm ky do të qe një shpjegim i mundshëm i formulës së Metës: “Qeveri ekspertësh pas votimit të reformës” .

Ja ç’ka thënë fjalë për fjalë Meta:

“Dhe për t’i hequr kujtdo çdo lloj meraku dhe frike dhe duke shpresuar në patriotizmin e të gjithëve, absolutisht që miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues, kaq i lodhshëm dhe kaq i rrezikshëm për të ardhmen, jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh, e cila pas miratimi të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.

Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi, që nga ky moment, të jap dorëheqjen si Kryetar Parlamenti, në qoftë se kjo i shërben kompromisit, ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj dhe të gjithë përfaqësuesit politik të bëjnë të njëjtën gjë”.

Pra ai i bën thirrje patriotizmit të Ramës për të sakrifikuar në emër të miratimit të reformës. Unë, deklaron ai, jam gati të sakrifikoj. Por sipas shume gjasjave një thirrje e tillë mund të lexohet nga socialistët si një shantazh i pastër, aq më tepër tani që qarkullojnë zërat për një pakt të fshehtë Meta- Berisha dhe për rezonancën e tyre në distancë (Lapsi.al)

Please follow and like us: