Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton para Trump, sondazhet në prag të zyrtarizmit të kandidatëve

Pas mbylljes së betejës së nominimit në kampin e partisë së saj, shënjestra e sulmeve të Hillary Clinton tani është rivali republikan, Donald Trump, të cilin nuk e kurseu nga shpotitë e saj gjatë fjalës së mbajtur përpara një organizate latino-amerikane në Uashington D.C.

“Javën e ardhshme në Kleveland, republikanët do të emërojnë dikë që mendon se hapje ndaj latinëve është të postosh në “Twitter” fotografinë e një tasi me “tacos”. Çfarë ndryshimi mund të bëjnë disa vite. Me temperamentin që ka,  Donald Trump është totalisht i papërshtatshëm për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara”, tha Clinton.

E ndërsa konventa republikane zhvillohet javën që vjen, një sondazh opinioni vë  shenjën e barazimit mes preferencave për ish-Sekretaren e Shtetit dhe miliarderin Njujorkez.

Anketimi i fundit i jep secilit kandidat 40% të votave, në një kohë kur muajin e kaluar, Clinton ishte në avantazh me 6 pikë përqindje. Marzhi i gabimit në sondazhin e realizuar në rang kombëtar nga CBS News/New York Times, është 3%.

Nga ana tjetër, sondazhi i realizuar nga “Uashington Post” dhe “ABC News”, vazhdon t’i japë epërsi ish-zonjës me një diferencë prej katër përqind të votave. I nominuari i supozuar republikan shkaktoi indinjate me deklaratat e lëshuara në fillimin e fushatës së tij kur tha se Meksika dërgon përtej kufirit përdhunues e trafikantë droge e u zotua të ndërtojë një mur në kufi për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Please follow and like us: