Albspirit

Media/News/Publishing

“Përgjigje për replikën e Stefanit”

“Përgjigje për replikën e Stefanit”

 

Nga Carlo Bollino

Dy ditë më parë shkruajta një opinion të shkurtër mbi ngërçin që po bllokon reformën e drejtësisë nga ana e opozitës, duke rrezikuar të hedhë në erë një kthesë historike për të ardhmen e vendit. Partia Demokratike, duke iu referuar një parimi të sovranitetit (të injoruar në raste të tjera shumë më të rëndësishme, si për shembull ai i negociatave për kufirin detar me Greqinë), kërkon si kusht për të votuar reformën që misionit të monitorimit ndërkombëtar t’i hiqet pushteti ekzekutiv për të zgjedhur gjykatës dhe prokurorë, duke u lejuar vetëm një rol “vlerësuesish moralë”.

Në analizën time, i lejova vetes të sugjeroja që ndoshta, për hir të reformës, kryeministri Edi Rama do të bënte mirë ta pranonte këtë “kufizim”, edhe me koston e thënies ‘jo’ aleatëve të tij ndërkombëtarë. E pati bërë këtë në kohën e armëve kimike dhe ajo ‘jo’, e vendosur në interes të shqiptarëve, nuk e futi Shqipërinë në asnjë listë të zezë ambasadorësh apo krerësh të shteteve. As në atë të Obamës, i cili, në fakt, më pas, e priti në Shtëpinë e Bardhë qeverinë shqiptare. Presupozimi në analizën time ishte ai, që reforma e drejtësisë, në tërësinë e saj, vlen shumë më tepër se një nga elementët e saj (edhe shume të rëndësishëm, por, sipas mendimit tim, jo vendimtar) dhe që Edi Rama do të bënte mirë të siguronte reformën dhe stabilitetin e vendit (jo vetëm të qeverisë së tij!) në shkëmbim të një kompromisi të fundit.

Reagimet ishin të shumta, por më kuriozet ishin ato të mbërritura nga gazetarë dhe simpatizantë të opozitës: në vend që të heshtnin, edhe për faktin e vetëm që i jepja të drejtë propozimit të tyre, shpërthyen në fyerjet e tyre të zakonshme. Kur dikush tregon hënën me gisht, budallenjtë shohin gishtin. Jo të gjithë reagimet ndaj analizës sime vinin nga paaftësia për ta kuptuar, por më tepër nga frika se dikush do të më dëgjonte me të vërtetë dhe, duke rënë kështu alibia e vetingut ndërkombëtar, PD do të ndodhej përballë detyrimit politik për të votuar një reformë të drejtësisë, të cilën, në realitet, nuk e duan.

Mes reagimeve të painfektuara nga paragjykimi i zakonshëm politik, lexova, ndërkohë, me vëmendje atë të kolegut Andrea Stefani, të publikuar në faqe të parë të gazetës “Dita”. Edhe Andrea është kundër propozimit tim dhe këtë e thotë duke argumentuar një numër pikash, për të cilat do të provoj të përgjigjem, duke u përpjekur kështu të fokusoj më mirë mendimin tim. Para së gjithash, një premisë: t’i heqësh rolin ekzekutiv misionit ndërkombëtar në përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, nuk do të thoshte aspak të heqësh procedurën e vetingut. Filtri mbetet në duart e organizmave shqiptarë, me një rol orientues (politik e moral) shumë të fortë nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të vazhdonin të kishin fuqinë për t’i rekomanduar edhe Parlamentit se cili nga kandidatët, sipas mendimit të tyre, nuk do të ishte i denjë për të patur detyrën e gjykatësit apo prokurorit.

Nga ana tjetër, që çështja nuk është e qartë as edhe për vetë ata që po merren me reformën, kjo zbulohet duke lexuar draftin, që Parlamenti duhet ta votojë. Në projektligjin “Rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 7 parashikon që “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pasi verifikon listën dhe raportin e ILDPKI-së, mund të fshijë emrat në listën e aplikantëve, me qëllim rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në procesin e përzgjedhjes. Lista e përditësuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i dërgohet Avokatit të Popullit”.

Më pas, ama, duke lexuar tekstin bashkëngjitur amendimeve kushtetuese, zbulon se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e humb kompetencën e tij ekzekutive që “të fshijë emrat në listën e aplikantëve” dhe merr mbi vete vetëm atë të “japë rekomandime për Avokatin e Popullit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve” dhe “kontribuon për kontrollin e figurës”.

Kështu pra, ndryshimet kushtetuese parashikojnë “rekomandimin” e thjeshtë të vëzhguesve ndërkombëtarë, që Partia Demokratike e vendos si kusht për ta votuar reformën. Mbetet vetëm që të rregullohet në të njejtin drejtim edhe teksti i projektligjit, për t’i hequr kështu edhe alibinë e fundit opozitës. Propozimi im “skandaloz” ishte vetëm ky. Në këmbim të asaj fraze për ta korrigjuar, Parlamenti më 21 korrik mund të votonte njëzëri paketën e reformës mbi drejtësinë, që përbëhet nga shtatë ligje, qindra nene te tjera dhe nga 36 faqe ndryshimesh kushtetuese.

Ambasadori amerikan Donald Lu, pasi e kuptoi që reforma tashmë rrezikon të mos kalojë në Parlament, në deklaratën e tij të fundit publike të 15 korrikut, duket se u ka dhënë dorë të lirë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që të gjejnë një kompromis, pa vendosur më kushte për vetingun, pasi, nënvizon ai, “Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë”.

Edi Rama duket i bindur, po të dëgjosh deklaratat e tij, se nuk ka më ç’të bëhet, pasi Basha dhe Berisha nuk e duan reformën. Ka mundësi që të jetë e vërtetë, por nëse nuk u hiqet atyre edhe kjo alibi e fundit, nuk do të jepet kurrë siguri për këtë. Loja është tashmë tepër e rëndësishme për t’u bazuar vetëm tek një bindje. Në rast se reforma kalon, edhe me një veting të ridimensionuar ndërkombëtar, për Drejtësinë shqiptare dhe, për rrjedhojë, edhe për Vendin, do të vinte një stinë e rilindjes morale dhe etike me rëndësi historike. Ndërsa, në rast se, në të kundërt, çdo gjë mbetet siç është, më 21 korrik reforma në variantin kalvinist që do t’i pëlqente kolegut Andrea Stefani, do të dështonte nga votimi në Kuvend dhe Shqiperia do të zhytej në një periudhë tensionesh të reja politike dhe pastabiliteti. Për më tepër, duke mbetur edhe pa asnjë reformë.

Është pikërisht kjo periudhë e mungesës së stabilitetit politik dhe ekonomik që duhej t’i trembte të gjithë, me përjashtim të Doktorit, i cili, që prej tre vitesh, ëndërron vetëm këtë çast.

Nuk mund të përjashtoj që skepticizmi im ndaj rëndësisë që kryeministri dhe shumë analistë shqiptarë i japin vetingut ndërkombëtar të vijë nga që jam italian. Për vite me radhë jam marrë në Itali me luftën kundër mafies dhe me luftën kundër korrupsionit dhe shumë herë gjatë karrierës sime gazetareske kam rrëfyer aq shumë histori magjistratësh dhe politikanësh italianë të komprometuar, sa për të mos besuar verbërisht se mjafton të kesh një pasaportë të huaj që të vlerësohesh automatikisht si zyrtar pa mëkate. Ajo çka ka vlerë me të vërtetë sipas mendimit tim është që ligjshmëria të bëhet një parim i pranuar nga të gjithë dhe se më tej të ketë instrumenta kontrolli (mes të cilëve përfshij median e ndershme), të cilët në momentin e përshtatshëm të dinë të denoncojnë gjyqtari e korruptuar dhe që opinioni publik më pas të ketë vullnetin për ta dënuar. Se, që drejtësia të funksionojë, nuk mjafton vetëm një reformë e mirë, por kërkohet edhe një ndërgjegje e madhe shoqërore.

 

*Gazetar, botues i Shqiptarja.com dhe Report.Tv

Please follow and like us: