Albspirit

Media/News/Publishing

Turqit që nuk e donin puçin e prapë nuk festojnë

Një nga arsyet e dështimit të puçit ushtarak në Turqi fundjavën e kaluar ishte edhe guximi i njerëzve të thjeshtë që i dolën përpara tankeve. Megjithatë disa prej tyre nuk festojnë me entuziazëm.

 

Ngjarjet dramatike të ditëve të fundit në Turqi kanë zgjuar kujtimet tek aktivisti i të drejtave të njeriut, Celalettin Can. Me ushtrinë që bën grusht shteti, ai lidh torturën dhe dhunën. Në vitin 1980, kur ai jetonte në Stamboll, ushtria turke mori pushtetin. Kjo ngjarje preku edhe jetën e tij. Can rrëfen se si është arrestuar. “Dy makina më zunë papritur rrugën. Policët zbritën, më hodhën një thes në kokë dhe më dërguan në presidiumin e policisë. Aty filloi marrja në pyetje: goditje në tabanin e këmbës, elektroshok, varje kokëposhtë, lënie pa gjumë dhe sharje. Dy ditë me radhë tortura.”

12 shtatori 1980 është puçi i fundit ushtarak i suksesshëm në Turqi. Me pasoja të rënda: Brenda pak ditësh arrestohen më shumë se 650.000 vetë. Jo vetëm njerëz me pikëpamje të majta si Can, por edhe liberalë dhe kurdë. Udhëheqja e ushtrisë shfuqizoi nga detyra qeverinë dhe deklaroi ligjin e luftës.

Türkei Unruhen 1971Trazira në vitin 1971, kur ushtria ndërmori edhe puçin ushtarak

Jo triumfues

Një nga simbolet e puçeve ushtarake ka qenë sheshi Taksim – simbol edhe i puçit të vitit 1980. Edhe javën e kaluar qëndruan aty ushtarë të armatosur, që donin të merrnin pushtetin në dorë. Por dështuan, ndërkohë këtu njerëzit bëjnë foto për albumet e tyre. Shumë turq u dolën ballë puçistëve. Sidomos përkrahësit e presidentit Erdogan, tani ata e shohin veten si triumfues.

Celalettin Can është i lehtësuar që puçi dështoi që në fillim, sepse sipas tij „pavarësisht se nga cila anë vjen – një puç ushtarak nuk do të thotë asgjë të mirë. Nuk ka rëndësi se kujt i drejtohet ai, në fund të fundit e paguan çmimin Turqia, forcat e saj progresiste dhe kurdët.“

E megjithatë ai nuk i bashkohet dot entuziazmit të përkrahësve të Erdoganit. Ai e ka qëndrimin të qartë: Në përpjekjen për puç u përplasën për pushtet dy sisteme autoritare. „Para 36 vjetësh puçi nuk drejtohej kundër një qeverie, por një pjese të madhe të shoqërisë, kundër atyre që luftonin për një të ardhme të emancipuar dhe demokratike. Pavarësisht, nëse ishin studentë apo njerëz të biznesit. Këtë zhvillim donte të ndalte ushtria atëherë.“

Kundër autokratëve kundër ushtrisë

Pas puçit po vuan demokracia në Turqi. Viktimat civile të përpjekjes për puç varrosen me thirrjet “Zoti është i madh”. Forcat religjioze po i përdorin edhe varrimet për të demonstruar forcën e tyre. Në qytetet e mëdha patrullojnë mbrëmjeve përkrahësit e qeverisë. Shumë kritikë të qeverisë i tremben fuqizimit të forcave religjioze rreth presidentit Erdogan.

Dështimi i puçit i vjen për shtat Erdoganit. Celalettin Can thotë se „pas përpjekjes për puç, Erdogani do ta ketë më të lehtë të bëjë realitet përfytyrimin e tij për një sistem autoritar, autokratik. Për demokracinë kjo është po aq e rrezikshme sa një puç ushtarak.“ Megjithë 19 vite burg pas puçit ushtarak të vitit 1980, Celalettin Can i ka mbetur besnik bindjeve të tij politike: Kundër autokratëve dhe kundër ushtrisë.

Please follow and like us: