“Brexit” godet ekonominë, shifrat në rënien më të fortë që nga kriza e 2009

Vendimi i Britanisë për të lënë Bashkimin Europian ka çuar drejt një përkeqësimi dramatik të aktivitetit ekonomik të vendit siç nuk ishte parë më që prej krizës financiare.

Të dhënat e indeksit “Markit’s Purchasing Manager’s Index” (PMI) tregojnë në korrik rënie të ekonomisë në nivelin më të ulët të regjistruar që prej prillit të vitit 2009.

Si sektori i prodhimit, ashtu dhe ai i shërbimeve kanë tkurrje, ndërsa frymëmarrje patën vetëm eksportet, të ndihmuara nga dobësimi i paundit. Raporti ka verifikuar aktivitetin e 650 kompanive të shërbimit nga sektorë që përfshijnë transportin, shërbimet e biznesit, ato kompjuterike dhe restorantet.

Kryeekonomisti i “IHS Markit”, Chris Williamson, ia faturon në një mënyrë apo një tjetër “Brexit”-it këtë të tatëpjetë të ekonomisë. “Nisur nga ngadalësimi rekord në sektorin e shërbimeve -thotë ai- mund të parashikoj akoma më shumë dhimbje në vazhdim, të paktën në periudhën afatshkurtër”.

Sipas Williamsonit, ekonomia britanike mund të tkurret me 0.4% në tremujorin e tretë të këtij viti, por kjo do të varet shumë nga vazhdimi ose jo i trendit aktual të rënies.

Por, ekonomisti Andrew Lilico, i cili gjatë fushatës së referendumit pati argumentuar se largimi nga blloku europian do t’i sillte përfitime Mbretërisë së Bashkuar, tha se të dhënat e PMI nuk përbënin aspak një surprizë dhe nuk tregojnë asgjë mbi impaktin afatgjatë të shkëputjes, duke shtuar se ngadalësimi ekonomik në periudhën afatshkurtër ishte i pritshëm.

Me pak i zymtë është nga ana tjetër peizazhi ekonomik i Eurozonës, ku ritmi i rritjes ekonomike është në përputhje me tendencën e përpara “Brexit”-it, ndërsa punësimi ka shënuar rritje.