Albspirit

Media/News/Publishing

Genc Ruli: Ne donim Reformën, Rama donte krizë politike. Vetëm Selami nuk kish kthim, Bregu dhe Patozi nuk do ndaheshin nga PD

 

Për historinë time personale, që jam familjar me çështjet kushtetuese, pasi kam marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së vitit ’98, drafti ka disa probleme. Megjithatë, mendoj se janë në një nivel të tillë që me një vullnet të mirë në zbatim ato mund të shmangen.

Fjala vjen te elementi “check and balance”. Me këtë draft rreziku i kontrollit që duhet të ushtrojë politika te gjyqësori është më i dobët.
Nuk ka më drejtësi të sistemit politik. Ndërsa çështja e koorporativizmit të gjyqtarëve ku ata zgjidheshin nga njëri tjetri dhe kontrollonin njëri-tjetrin, e ka shumë më të madhe tendencën.

Nga ana tjetër, nëse politika do të vazhdojë me vesin e vjetër ky fenomen do të theksohet.
Në momentin që zhvillohet vetting-u, për individët që nuk justifikojnë pasurinë ka vetëm largim dhe jo subjekt hetimi, gjë që duket e çuditshme.

Problem tjetër është se njeriun e fortë, atë që ne kërkojmë ta tërheqim në sistemin e drejtësisë, zor se do ta tërheqë.
Prokurorët specialë duhet të deklarojnë se pranojnë të përgjohen në telefonata dhe çdo mjet komunikimi të tyre dhe të familjarëve të tyre.
Por një njeri me dinjitet zor se do ta pranojë këtë. Këto janë më shqetësueset.

PD-ja e kishte të qartë që reforma ishte tashmë në axhendën politike. Ajo kërkonte një proces konsensual me pjesëmarrjen e saj sepse këto lloj reformash pa konsensus kurrë nuk legjitimohen. PD-ja ka qenë në një ankth, jo sepse Rama e kishte vënë në axhendë por se ajo ishte e vënë në axhendë nga ndërkombëtarët.

Bashës i është i dashur të përballet me këtë fenomen.

Basha ka qënë në pozitën që i duhej të thoshte një “po” të ëmbël në vend të një “Jo-je” të fortë.

Por a do të votonin reformën deputetë të PD-së pavarësisht qëndrimit zyrtar?

Unë besoj se përveç Eduard Selamit nuk do të kishte vota të tjera pro. As Majlinda Bregu, as Astrit Patozi nuk do të votonin jashtë qëndrimit të grupit të PD-së.

Kush doli më i fortë politikisht pas miratimit të reformës?
Në këtë reformë janë tre aktorë, secili me një axhendë të ndryshme. Janë ndërkombëtarët, të cilët kanë një problem të madh me Ballkanin që prej vitesh e kanë në një “karantinë sanitare”, sepse këto vende janë para rrezikut të bien pre e oligarkive politike dhe financiare. Shqipërisë i kishe ardhur radha për këtë axhendë. Reforma nuk ishte frymëzim i “Rilindjes”.

Më i fortë doli Meta, Basha apo Rama?
Po të ishte për Ramën, ai do të donte që historia të mbaronte me mënyrën se si nisi… Ai u shfaq qysh në krye të herës, si reformator i madh në krah të SHBA-ve e BE-së, duke krijuar dhe nxitur idenë se opozita është kundër saj dhe kundër reformës është dhe Meta, dhe se ndoshta ai do të ishte viktima e parë. Por në vendet e tjera, si Kroaci dhe Rumani është kryeministri ai që ka “inauguruar” reformat në drejtësi. Nuk do ta uroja këtë fat, por nëse do të kishim një drejtësi të paanshme, Rama do të ishte subjekt i supozuar i saj.

Po të ishte për konceptin e Xhafës dhe Ramës procesi i vettingut dhe emërimit të organeve kryesore të drejtësisë do të ishin bërë shumë më keq.
Në finale ishin argumentet e Partisë Demokratike që e sollën draftin në këtë formë, që u miratua.
Ndërsa LSI-ja në fillim ishte më e distancuar nga reforma për shkak se u mënjanua. Ajo ndoqi heshtjen. Ishte dinakëria e Ramës që nxiti daljen e LSI-së në skenë. Argumentet që kapi ajo ishin të sakta, së pari konsesusi me 140 vota dhe jo vota të trafikuara.

Moralisht me këtë qëndrim LSI-ja e ka më të lehtë koalicionin me PD?
Nuk mendoj. Qëndrimi i LSI-së duhet parë brenda kuadrit të liderit të saj. Kriza e kohëve të fundit e reformës u trasformua në krizë politike. Fusha e lojës nga egërsia e lojtarëve politikë vendas u la disa herë bosh pasi lojtarët dilnin dhe luanin edhe jashtë fushe. Ajo u mbush nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin të cilët ishin rishtarë dhe të pamësuar me politikën dhe konjukturën shqiptare. Ambasadorët më shumë u shfaqën dhe vepruan si “Krishti që përzë tregtarët nga tempulli”, ndërkohë që duhet të punonin në prapaskenë. Rama donte ta përdorte reformën për fushatë elektorale dhe së dyti ai ka synuar të godasë politikisht kundërshtarët, pra që PD-ja të mos votonte fare që ta nxirrte si bandë anti-reformatore. Në këtë lojë arriti të fusë edhe pa zellin e tij ndonjë ambasador. Këtu PD-ja ka një rol shumë të madh. PD-ja që iu drejtua njerëzve politikë në mesin e ndërkombëtarëve si Fleckenstein, Kukan, Nuland dhe Hahn. Toni i tyre nuk ka qenë as paralajmërues dhe as kërcënues.

Po fjalia e Ramës për librin hipotetik që do të mund të shkruante për reformën dhe prapaskenat e saj?

Kjo është një hiperbolë në letërsi ku Rama është më i zoti sesa si kryeministër. Një gjë do të lexohet mirë nga kushdo, se Rama është i pari që nuk e ka dashur reformën.
Marrë nga ABC News

Please follow and like us: