Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtesë: 25 vjet nga Deklarata Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare

Ibrahim Rugova_Rexhep Ismajli_Fehmi Agani

Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi parashikoheshin tri opsione për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Ballkan: Kosova – Republikë, e barbartë me republikat tjera të Federatës Jugosllave, të krijohej Republika Shqiptare në Jugosllavi ose të bëhej bashkimi me Shqipërinë i të gjitha viseve shqiptare në Ballkan.

Ramadan Muçolli

Prishtinë, 22 korrik 2016 – Sot mbushen 25 vjet nga themelimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës. Ky këshill përbëhej nga gjashtë parti politike: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Parlamentare e Kosovës (PPK), Partia Fshatare e Kosovës (PFK), Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSDK) dhe Partia Republikane e Kosovës (PRK). Por, këshilli mbetej i hapur për parti të reja shqiptare që mund të formoheshin më vonë.

Ky këshill kishte për qëllim organizimin e jetës politike, koordinimin e veprimeve dhe ndërtimin e platformës dhe të strategjisë së përbashkët të veprimit për të realizuar synimet e shqiptarëve.

Kryetar i Këshillit u zgjodh Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së, partisë më të madhe të Kosovës.

Pask kohë më vonë, saktësisht më 28 gusht 1991, u themelua edhe Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi.

Në fillim, në përbërje të këshillit ishin gjithsej 9 parti politike shqiptare: pesë parti të Kosovës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar) dhe katër parti të hapësirave tjera shqiptare në ish-Jugosllavi (Partia e Prosperitetit Demokratik, me seli në Tetovë, Partia Demokratike Popullore, po ashtu me seli në Tetovë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia për Veprim Demokratik, me seli në Preshevë, Partia Demokratike Shqiptare, po ashtu me seli në Preshevë.

Kryetar i këshilli u zgjodh dr. Ibrahim Rugova.

Pak kohë më vonë, Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Jugosllavisë i ishin bashkuar edhe dy parti politike të Kosovës (Partia Parlamentare e Kosovës dhe Partia Popullore Shqiptare).

Më 11 tetor 1991, ky këshill e miratoi deklaratën politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe shqiptarëve në mbarë Ballkanin.

Deklarata u nënshkruar nga kryetarët apo përfaqësuesit e 11 partive politike.

Deklarata parashihte tri opsione për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptarëve në ish-Jugosllavi: Kosova të bëhej Republikë, e barabartë me republikat tjera të Federatës Jugosllave, të krijohej Republika Shqiptare në Jugosllavi ose të bëhej bashkimi me Shqipërinë i të gjitha viseve shqiptare në Ballkan.

Këto opsione do të determinoheshin nga e ardhmja e Federatës Jugosllave: e para, nëse nuk do të ndryshonin kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Jugosllavisë; e dyta, nëse do të ndryshonin vetëm kufijtë e brendshëm; dhe, e treta, nëse do të ndryshonin kufijtë e jashtëm.

Për këtë arsye, deklarata njihet edhe sot e kësaj dite si “deklarata e tri opsioneve”.

Qendra për informim e Kosovës (QIK), e cila funksiononte jashtë sistemit të informimit të Serbisë e Jugosllavisë dhe po bëhej strumbullar i sistemit të pavarur të informimit në Kosovës, ka publikuar lajmin për themelimin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Ksovës dhe deklaratën politike të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi.

***

Formohet Këshilli Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës

Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.

Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.

Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partive politike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera.

Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë.

Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

(Nga arkivi i QIK-ut, 22 korrik 1991)

Themeluesit e Keshillit Koordinues te partive Politike Shqiptare ne Jugosllavi

 

 

 

 

 

 

 

Deklarata politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi:

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:

Deklaratë politike

A) Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;

B) Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave;

C) Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më 1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë për sovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;

D) Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpër procedurë policore.

E) Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

 

  1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
  2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
  3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

  1. Lidhja Demokratike e Kosovës
  2. Partia e Prosperitetit Demokratik
  3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi
  4. Partia për Veprim Demokratik
  5. Partia Fshatare e Kosovës
  6. Partia Shqiptare Demokristiane
  7. Partia Parlamentare e Kosovës
  8. Partia Socialdemokratike e Kosovës
  9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
  10. Partia Popullore Shqiptare
  11. Partia Demokratike Shqiptare

 (Nga arkivi i QIK-ut, 11 tetor 19991)

Please follow and like us: