Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima: Prishja me Ramën për shkak të reformës në PS

Koço Kokëdhima është përpjekur të sqarojë sot përmes gazetës së tij “Shekulli” “të vërtetën” e marrëdhënieve me Edi Ramën. Meqenëse marrëdhënia e tij me kryeministrin aktual ka qenë përherë influencuese në vendimmarrjen politike, leximi i prishjes së saj ka njëfarë interesi. Kokëdhima përpiqet të hedhë poshtë në editorialin e porositur se ka patur përfitime nga Bashkia e Tiranës për shkak të qenies së Edi Ramës në krye të saj. Kjo sepse asokohe Kokëdhima ishte ndër biznesemenët më të mëdhenj dhe nuk kishte nevojë për një gjë të tillë. Editoriali i jep përgjigje një opinioni të publikuar dje, por ai në mbylljen e vet, sqaron arsyet pse Kokëdhimës i bënë dalje.

Dhe kjo lidhet me reformën në PS që ai propozoi e që e futi në konflikt me të moçmit e partisë.

“Kokëdhima nuk donte ta konsideronte se reforma e tij për të zhbërë strukturat e atrofizuara në bazën e partisë, kishte pengesa brenda vetë saj, nga qendra në bazë. I mësuar me kontaktet me elektoratin, hallet e tyre jo vetëm gjatë fushatave të vitit 2013 dhe 2015, por edhe në takimet e përditshme, njoftimet që i vinin nga zyrat e ngritura në rajonin e Vlorë-Gjirokastrës, ai e kishte të qartë atë që po bënte: një parti të hapur për të rinjtë, për profesionistët, për të mënjanuarit dhe të përçmuarit e të majtës, duke ia hequr rolin e qehajait një grushti njerëzish, prej të cilit partia ishte kthyer në një parti familjare, që trashëgohej dhe mbyllej brenda një trungu. Por “projekti pilot”, siç do ta cilësonte Gramoz Ruçi në Kongresin e PS-së, po shembte themelet e një ngrehine politike, prej të cilës njerëzit vetëm sa ishin larguar, sepse nuk e gjenin veten dhe nuk i pranonte njeri brenda. A ishte ky një projekt që cenonte pozitat e Edi Ramës në PS? Përkundrazi. Me një anëtarësi të trefishuar vetëm në rajonin Vlorë-Gjirokastër, fitore bindëse kryetarësh bashkish në zgjedhjet e vitit 2015 në të pesë bashkitë problematike në zonën ku drejtonte Kokëdhima, e majta ishte në kulmin e saj…”, thuhet ndër të tjera në editorialin e “Shekulli”.

E lexuar thjesht: Edi Rama zgjodhi Gramoz Ruçin përpara Kokëdhimës për një keqlexim politik, sipas gazetës. Pasi formula e Kokëdhimës jep shumë përfitime, kurse ajo e Gramozit atrofizon partinë.

E çuditshme pra si ka mundësi që kësaj radhe Edi Rama nuk zgjodhi Rilindjen!

Please follow and like us: