Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti turk takohet me opozitën pas dështimit të grushtit të shtetit

Në një lëvizje që shihet si përpjekje për uljen e tensioneve politike, presidenti turk u takua të hënën me opozitën. Presidenti Recep Tayyip Erdogan priti në takim udhëheqësin e Partisë Kombëtare për Veprim, Devlet Bahceli dhe udhëheqësin e Partisë Popullore Republikane, (CHP) Kemal Kilicdarolgu. Partia kryesore pro kurde në vend, HDP, nuk ishte e ftuar në takim.

Takimi afro tre orësh erdhi mes shqetësimeve në rritje mbi shtimin e masave të rrepta pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti. Kritikët thonë se ndërsa të gjitha partitë opozitare janë shprehur kundër grushtit të shtetit, presidenti ishte i detyruar ta mbante takimin në fjalë. Ata thonë se duhet bërë shumë punë për të ndërtuar një konsensus politik për të tejkaluar krizën.

SHQETËSIME PËR MASAT E ASHPRA

Autoritetet turke lëshuan të hënën urdhër arreste kundër gazetarëve, akademikëve dhe punonjësve të linjave ajrore, në kuadër të operacionevee kundër personave që thuhet se kanë lidhje me klerikun mysliman në mërgim, Fetullah Gulen, i cili akuzohet si drejtuesi i grusht-shtetit të dështuar.

Autoritetet lëshuan urdhër arreste për ndalimin e 42 gazetarëve. Ndaluan 31 akademikë dhe pushuan 211 punonjës nga kompania e fluturimeve Turkish Airlines. Turqia po ashtu ndaloi tre ushtarë të arratisur nën dyshimet për pjesëmarrje në sulmin ndaj kompleksit turistik Marmaris në Detin Egje ku presidenti Recep Tayyip Edogan po kalonte pushimet kur ndodhi puçi me 15 korrik. Zoti Erdogan ka thënë se nëse do të kishte pritur 15 minuta më shumë në hotel, ai do të ishte vrarë ose marrë peng. Ende po vazhdojnë kërkimet për katër ushtarë të tjerë.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu njofton se shkrimtari i njohur Nazli Iliçal është mes gazetarëve që kërkohen të merren në pyetje. Ai ka qënë kritik ndaj zotit Edogan dhe ka kundërshtuar goditjen e mbështetësve të klerikut 75 vjeçar Fetullah Gulen që jeton në Amerikë që nga viti 1999.

KËRKOHET EKSTRADIMI

Ankaraja ka fajësuar klerikun Gulen për kryengritjen që la rreth 290 njerëz të vdekur dhe ka kërkuar ekstradimin e tij. Uashingtoni thotë se po shqyrton dokumentet e dërguara ntga Tuqia, rreth siç thuhet, përfshirjes së tij në grusht shtetin e dështuar, por nuk ka ndërmarrë asnjë angazhim për ta kthyer atë. Zoti Gulen ka hedhur poshtë se ka patur gisht në përpjekjet për rrëzimin e Erdoganit. Prokurorët kërkuan ndalimin e gazetarëve duke thënë se nuk ishin aktivitetet gazetareske arsyeja e ndalimit, por aktivitetet e mundëshme kriminale. Mes 31 akademikëve, përfshihen profesorë nga Stambolli dhe provincat e tjera. Ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar 40 njerëz në Akademinë e Luftës me qendër në Stamboll. Shtypja e Erdoganit ka qënë e zgjeruar. Qeveria ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë tre mujore dhe ka ndaluar më shumë se 13 mijë njerëz në ushtri, drejtësi dhe institucione të tjera. Media turke javën e kaluar raportoi se ministria e arsimit pushoi nga puna 15,200 mësues në të gjithë vendin, ndërsa ministria e brendëshme pushoi nga puna 9 mijë punonjës. Po ashtu edhe 1,500 të tjerë u pushuan nga puna në ministrinë e financave dhe mijëra të tjerë në sektorë të ndryshëm të vendit. Bordi turk i arsimit të lartë kërkoi dorëheqjen e 1,577 dekanëve të universiteteve.

ALEATË TË VJETËR, TANI KUNDËRSHTARË

Gulen jeton në një qendër fetare islame të themeluar nga turko-amerikanët. Filozofia e tij përzjen një formë mistike të fesë islame me vëndosmërinë për mbështetjen e demokracisë, arsimit, shkencës dhe dialogut ndërfetar. Lëvizja e tij ka dhjetëra shkolla në Shtetet e Bashkuara. Dikur, Erdogan dhe Gulen kanë qënë aleatë, por mes tyre filloi ndarja gjatë hetimeve për korrupsion në Turqi në vitin 2013, për të cilën udhëheqësi turk fajësoi zotin Gulen. Kleriku në mërgim po ashtu ka kritikuar sundimin autoritar në rritje të zotit Erdogan, ndërsa udhëheqësi turk ka ndërmarrë një fushatë të gjerë kundër lëvizjes Gulen./VOA

Please follow and like us: