Albspirit

Media/News/Publishing

Përgjigje për ambasadorin turk në Tiranë

Hajro Limaj*

Kohët e fundit ambasadori turk në Tiranë, i nderuari Bajraktar, është bërë pjesë e medias shqiptare. Ai nëpërmjet shtypit dhe kanaleve televizive është shprehur se është në pritje të masave që duhet të marrë Shqipëria  ndaj institucioneve arsimore  turke që janë në Shqipëri, “si zgjatime të  organizatës së Gylenit”. Gjithashtu ai  deklarohet  për një listë kofidenciale  të emravetë të mbështëtësve  të Gylenit në vendin tonë. Unë e kuptoj mjaft mirë pozicionin e vështirë që ka z. Bajraktar, i cili, nëse nuk zbaton urdhërin që i ka dërguar Erdogani, do të shkarkohet dhe mund të ndiqet si shumë të tjerë edhe penalisht. Për të mos më keqkuptuar vlerësimet në lidhje me këtë qëndrim le t’ia lemë kryeministrit të Belgjikës, si një vend kyç i Bashkimit Europian.

Pas deklaratës për gazetën “Anvers” të këshilltarit për shtyp të ambasadës turke në Bruksel, Vejsel Filiz, të datës 18 Korrik, i cili u shpreh se Lëvizja “Gylen” është një organizatë terroriste dhe qeveria flamande ka marrëdhënie të mira me institucionet arsimore të kësaj lëvizjeje, gjë e cila tregon se kryeministri është duke mbështetur terrorin duke mbajtur marrëdhënie të mira me to, në reagimin e tij të ashpër, kryeministri Bourgeois deklaroi: “Këto deklarata janë të papranueshme, për më tepër, të lajthitura. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që një ambasador t’i mësojë qeverisë flamande dhe Kryeministrit se si duhet të veprojë.

Nuk e pranoj kurrsesi akuzën se po mbështesim ndonjë organizatë terroriste. Nëse ka ndonjë njeri që ka dijeni për praninë e ndonjë bashkëpunimi ilegal, besoj se duhet ta dijë se ai për këtë  duhet të paraqitet menjëherë përpara gjykatave të pavarura. Gjithashtu, nuk e pranoj që Lëvizja “Gylen” të jetë organizatë terroriste”. Për këtë arsye kryeministri i Belgjikës i kërkoi Bashkimit Europian të reagojë prerazi ndaj Ankarasë për deklaratat e bëra nga ana e ambasadës turke në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe. Kundërshtimet kanë qenë të ndryshme. Dikush heshturazi, dikush me deklarata. Qeveria e Kosovës zgjodhi të dytën, duke shprehur vazhdimin pa asnjë shqetësin të kolegjeve turke në këtë vend.

Sistemi arsimor i kolegjeve turke tashmë është në 160 vende të botës, me në krye Amerikën, Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Kanadanë, Zelandën e Re etj. Dhe këto natyrisht janë hapur edhe me mbështetjen e shtetit turk. Kështu kolegji i parë turk në Tiranë, 16 Shkurt 1993, është hapur nga ish-presidenti i asaj kohe, Turgut Ozal. Fillimin e ndërtimit të kompleksit të universitetit “Epoka” e përuroi ish-presidenti Gyl, presidenti para Erdoganit dhe nga e njëjta parti. Ish-kryeministri Erdogan, përveç herës së fundit, në çdo vizitë që bënte në Shqipëri vizitonte me madhështi kompleksin arsimor “Turgut Ozal”. Ky system arsimor në Shqipëri është hapur dhe funksionon në mbështetje të plotë të ligjeve shqiptare dhe është në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ky ishte shkaku që ministrja Nikolla, në përgjigje të kërkesës së Erdoganit, gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, iu përgjigj se kolegjet janë hapur dhe funksinojnë sipas ligjeve tona dhe nga kontrollet ato tregojnë korrektësinë ligjore. Universiteti turk, 4 vitet e fundit, në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare, shpallet universiteti më i mirë në Shqipëri dhe me vend të rëndësishëm në rajon. Po kështu edhe kolegjet, nxënësit e të cilëve kanë fituar shumë çmime në rang ndërkombëtar. Edhe pse ne jemi dy vende mike duhet kuptuar se me gjithë problemet që kemi jemi një vend ku mbizotërojnë ligjet e shtetit të së drejtës.

Neni i 41 i Marrëveshjes së Vjenës, e cila rregullon marrëdhëniet diplomatike u parashtron diplomatëve të vendeve të tjera që t’u binden ligjeve të vendit ku gjenden dhe se nuk kanë asnjë të drejtë që të përfshihen në çështjet e brendshme të tij. Ky është edhe shkaku që të gjitha vendet e Bashkimit Europian mbajmë një qëndrim të prerë ndaj kërkesave të tilla që vijnë nga ana e Ankarasë. Po kështu kërkesën e presidentit Erdogan që Fetullah Gyleni dhe strukturat e tij të njihen organizatë terroriste nuk e pranuan as OKB-ja dhe asnjë vend tjeter, si rezultat i së cilës ajo nuk është vendosur në asnjë listë të organizatave terroriste. Prandaj, z. ambasador, duke ju vlerësuar Juve dhe miqësinë me popullin dhe kombin turk, i cili në vitet 1997 dhe 1999 ishte në krye të aleatëve për  shpëtimin e Shqipërisë nga kriza e brendëshme dhe për të çliruar Kosovën, momente që i kam përshkruar plotësisht në librin tim “Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990-2000”.

Ne e duam dhe na vjen shumë keq që Turqia, veçanërisht 4 vitet e fundit, ka kaluar nga një krizë në tjetrën. Fatkeqësisht, edhe pse Bashkimi Europian dhe SHBA e kanë paralajmëruar z.Erdogan për veprimtarinë e tij tepër totalitariste, ai jo vetëm nuk ndryshoi kursin represiv, por e shtriu atë në të gjithë territorin e vendit. Liria e shtypit, liria e shprehjes, pavarësia e gjyqësorit, agresiviteti ndaj opozitës, rihapja e luftës në rajonet lindore dhe juglindore ku jetojnë qytetarët turq me origjinë kurde,  e rritën terrorizmin dhe ai sot është shtrirë në të gjitha qytetet e Turqisë. Ai vend i begatë dhe ai popull atdhedashës sot është ndarë në dy pjesë. Shqiptarët e duan shumë Turqinë dhe nuk mund të bëhen mbështetës as të Erdoganit dhe as të Gylenit. Por shtetin e drejton Erdogani dhe jo Gyleni. Dhe Turqia mbërriti në këtë derexhe gjatë qeverisjes së Erdoganit. Na vjen keq.

*Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë dhe drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

 

Please follow and like us: