Albspirit

Media/News/Publishing

Meidani: “Me këtë poshtërsi politike-mediatike nuk ecet më tej”

Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj atyre që i ka quajtur sulme dhe shpifje ndaj tij dhe familjes së tij, konkretisht djalit të vet, Denion Mejdani. Reagimi i tij është riprodhuar nga të gjitha mediat dhe mes të tjerave ai shprehet se:

“Nuk kisha ndërmend të reagoja, siç dhe nuk kam reaguar deri tani ndaj një paturpësie të tillë, sepse kam bindjen, por dhe kam besuar e besoj se nuk ia vlen të harxhosh qoftë dhe një mili-kalori për çoroditjet apo pisllëqet e këtyre shëmtirave të turpshme të tranzicionit shqiptar. Veçse po më rezulton se ky lloj shëmtim-frymëzimi ka ardhur, jo vetëm sot por dhe më parë, nga sipër, me direktiva të KQ-së së sotme! Kot nuk thotë populli që “peshku qelbet nga koka”.

Dhe kjo është një e keqe shumë e madhe! Ky është kulmi i poshtërisë njerëzore në një sistem të ashtuquajtur demokratik, aq më keq për të imituar në sjelljen drejtuese ndaj njerëzve gjarprin që “ecën dhe fshin gjurmët me bisht”. Prandaj dhe reagova, sepse me këtë lloj “poshtërsie politike-mediatike” nuk mund të ecet më tej. Madje, më keq, as emancipimi shoqëror, as demokracia funksionale! Ajo duhet goditur e shkulur në rrënjë, “në kokë e në bisht”. Madje, sa më shpejt, aq më mirë! Dhe, kjo shkulje rrënje, heqje koke e bishti, është sa civile, po aq dhe politike-patriotike dhe për këtë secili mund e duhet të japë kontributin e tij qytetar…”.

Please follow and like us: