Albspirit

Media/News/Publishing

Pse nuk e poshtërojnë dot Profesor Meidanin?

 

E njoh profesor Meidanin që kur ishte President i Republikës. Në vitin 1998, ai erdhi për një vizitë zyrtare në Romë, dhe pinte cigaret popullore LM. Isha asokohe gazetar në Radio Radicale dhe njëkohësisht korespondent i Dwelles, nga Roma. Isha bërë i njohur në Shqipëri gjatë vitit ’97, kur gjatë shkurt-marsit të atij viti, shefi i SHIK, Gazidede shpalli për ca kohë një farë shtet-rrethimi dhe 2 korespondentët e Dwelles, në Tiranë, Apollon Bace dhe Ben Blushi, kërkoheshin nga SHIK dhe ndërprenë raportimet. Të cilat i vazhdova unë nga Tirana për ndoshta më shumë se një muaj.

Kjo dhe ishte dhe arësyeja që Profesori, më njihte dhe i kish kërkuar stafit që të më takonte në Romë për një kafe, që kishte ndoshta edhe rastin për një konsultim, në lidhje me vazhdimin e vizitës së tij në kryeqytetin italian.

Dhe ashtu ndodhi, madje profesori-President, u ul në një kafane të thjeshtë në “Via Principe Amedeo”, pak hapa larg Radios dhe filluam bisedën. Më bëri shumë përshtypje thjeshtësia e tij, që nuk ishte aspak një shtirje, modestia e tij, që nuk ishte aspak një diçka teatrale, por realisht një mënyrë të të qënit të një intelektuali të rafinuar.

Pas asaj kafeje, ku folëm për marrëdhëniet shqiptaro-italiane dhe se si duheshin rindërtuar ato, simbas pikpamjes sonë modeste, në mbas krizën ’97-”98, e shoqërova për pasion, Presidentin e vendit tim, në disa takime të hapura protokollare.

Dhe mbas asaj kafeje në Romë, nuk mbaj mend të kem pirë ndonjë kafe të dytë. Madje në “përplasjet” politike, të mbas viteve 2000, në Tiranën e nxehtë politike të asaj kohe, gjykoja se ishte modernizmi dhe impulsiviteti i Fatos Nanos, ajo cka i duhej më shumë të Majtës Shqiptare. E pra, në polemikat e kohës, mbështetja ime anonte nga Nano. Por asnjëherë nuk ka larguar nga kujtesa takimin me Presidentin dinjitoz dhe të thjeshtë shqiptar. Paqsor dhe të fisëm, pa dëngla dhe pa shtirje.

Dhe mund të them, pa frikë përgënjeshtrimi, se Rexhep Meidani, vazhdoi të ishte i tillë, në të gjithë trajektoren e sendërtimit publik, të asaj çka ai përfaqson, si shqiptar, si fizikant, si ish president dhe si një zotëri i qytetëruar që rrezaton qytetërim, edhe në mes të xhunglës tonë kombëtare.

Dhe pra, kur pashë e dëgjova, atë sulm të turpshëm dhe të paturp, të orkestruar kundër tij, nga nivele krejt banale të jo shoqerisë shqiptare që duam, u ndjeva dhe ndjehem i fyer.

Por edhe i trembur, për tatëpjetën e madhe dhe krizën e frikshme morale, ku ka hyrë e Majta e sotme shqiptare.

Urrejtja që ajo përçon, mjetet që ajo përdor, turpet që ska frikë të verë në veprim kundër familjeve të “kundërshtarëve”, kundër cdo gjëje që nuk duhet të preket, simbas ca kodeve minimale të një demokracie, qoftë edhe kjo fare primitive, si kjo që kemi.

Andaj kur vërsulen edhe ndaj ish Presidentit fisnik Meidani, në këtë farë feje, është shënuar njëkohësisht edhe niveli më i ulët dhe më i papranueshëm. Sado që sulmet janë të drejtuara te i biri, simbas një stili kërcënues mafioz, objektivi është ai.

Por profesorin, jo se dua apo se mendoj unë kështu, por sepse të tilla janë vlerat që ai përfaqson, në maratonën e gjatë të një jete pa zigzage morale, nuk e poshtrojnë dot. Por ne që shohim këtë llum që përbalt cdo skaj, ndjehemi të poshtëruar, që u mbrrit deri këtu.
Turp dhe frikë se ku do të shkojë më tej, rrokullima e degradimit moral, në emër të pushtetmbajtjes, nga ana e pushtetmbajtësve të sotëm.

Please follow and like us: