Albspirit

Media/News/Publishing

Mufid Bej Libohova, personalitet i shquar kombëtar

 

Mufid Bej Libohova është vlerësuar nga shumë personalitete vendase dhe të huja, mes tyre edhe nga nipërit e tij Arsllan dhe Kapllan bej Libohova: “…ka qenë një nga flamurtarët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Patriot nacionalist nga më të pastrit, studios dhe burrë shteti realist, i pajisur me cilësi të larta diturie dhe karakteri, i njohur dhe i çmuar edhe në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare. Ai ka qenë një nga prijësit shqiptar më me rëndësi të kohës së tij dhe ka luajtur një rol vendimtar si për përpjekjet për shpalljen e pavarësisë kombëtare ashtu edhe për themelimin e Shtetit Shqiptar.
Mufid Libohova vlerësohet të ketë qenë “njeri me kulturë humanistike dhe juridike si dhe me një eksperiencë politiko-diplomatike shumë të gjerë”.
Ai ka pasur marrëdhënie me personalitete të larta të botës politike, diplomatike dhe shoqërore jashtë dhe brenda vendit, duke mbajtur kontakte me patriotë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë. Ka ndihmuar me shkrime, memorandume, raporte, kumtime diplomatike të drejtuara, herë pas here, kancelarive evropiane me të cilat paraqiste problemet shqiptare dhe mbronte me guxim interesat e larta të vendit, seriozisht të cenuara nga fqinjët tanë të Veriut dhe të Jugut. Ai luftoi fuqishëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare bashkë me Ismail Qemalin, të cilin e kishte kushëri dhe e lidhte një miqësi e ngushtë.
Mufid bej Libohova qe një prej atyre burrave që mundën të bashkonin gjithë deputetët shqiptarë të katër vilajeteve në një ballë të vetëm parlamentar. Qeveria e Stambollit u trondit tepër nga veprimtaria guximtare e tij dhe që ta bënte për vete i ofroi një ministri me rëndësi në qeveri ose kryesinë e një ambasade, po ai që të dyja këto propozime të rëndësishme i refuzoi kategorikisht për të vazhduar me këmbëngulje përpjekjet në parlament dhe jashtë parlamentit për pavarësinë e Atdheut.
Është cilësuar dhe vlerësuar si njeriu që krijoi për herë të parë lekun shqiptar (monedhën shqiptare). Ai i ka dhënë vlera qeverisjes së Zogut, duke krijuar Bankën Kombëtare. Ndonëse kjo ka qenë shumë e përfolur, ai mundi të sigurojë huan e madhe nga Italia fqinjë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së prapambetur.
Është vlerësuar nga politika shqiptare e kohës së tij si kundërshtari më i ashpër i Ahmet Zogut për faljen Jugosllavisë të Shën-Naumit. Është përmendur si fakt se kundërshtimet e Mufid Libohovës në këtë kohë çuan në krijimin e një qeverie tjetër.
Miku e kushëriri i tij, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e shënuara për ditët e para të krijimit të shtetit të parë të pavarur shqiptar, ka shkruar për Mufid Libohovën se: “Mufid beu i merrte me të qeshur të gjitha: mangësitë e qeverisë së përkohshme, papjekurinë e popullit shqiptar, madje tërë këto fyerje që na kishin pllakosur…Mufid beu, ministri i Brendshëm, banoi disa javë tek unë, pastaj mori me qira një shtëpizë të këndshme prapa avllisë sonë, ku jetoi gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vlorë…Stili në të cilin ai e drejtoi Ministrinë e Brendshme, të kujtonte paksa kohën e Dagobertit, Mbretit të mirë të Frankove: pakëz atëror, pakëz kalorësiak, por edhe pakëz despotik” .
Në qeverinë e parë shqiptare, të kryesuar nga plaku i urtë Ismail Qemali, ka punuar përkrah njerëzve të shquar të poshtëshënuar: Kryetar shteti, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme Ismail Qemal bej Vlora; zëvendëskryeministër, dom Nikollë Kaçorri; ministër i Drejtësisë, Dr. Petro Poga; ministër i Bujqësisë, Pandeli Cale; ministër i Financave, Abdi bej Toptani; ministër i Arsimit, Dr. Luigj Gurakuqi; ministër i Luftës, Gjeneral Mehmet Pashë Dëralla; ministër i Punëve Botore Mit’hat Frashëri; ministër i Bujqësisë Pandeli Cale; ministër i Postëtelegrafës, Lef Nosi.
Në vitin 1908 i fali, ndër të tjera, me bujarinë që e karakterizonte, bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit që ishte pronë e familjes si dhe një dhuratë financiare prej 5.000 napolona për ngritjen në atë vend të gjimnazit shtetëror.
Mufid beu e bëri Libohovën nënprefekturë. Gjithashtu, ndërtoi rrugën që lidhte qytetin me Gjirokastrën e Janinën, pruri ujin e pijshëm dhe ndërtoi shkollën fillore.
Në mbarim të vitit 1926, pak kohë para vdekjes, i dha fund pjesës së parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike që mbulon periudhën 1896-1927. Ato përfshijnë edhe dokumente shtetërore dhe ndërkombëtare origjinale, të pabotuara, me një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, janë aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit në favor të pavarësisë kombëtare si dhe veprimtaria e tij në fushën diplomatike ndërkombëtare me qeveritë më të mëdha të atëhershme.
Mufid bej Libohova konsiderohet nga shumë intelektualë dhe historianë të paanshëm, qofshin të huaj ose shqiptarë të ndershëm, si burrë shteti dhe një nga diplomatët më të shquar shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së atdheut, në vitin 1912. Për më shumë se dhjetë herë ai ka qenë ministër në dikasteret kyçe të shtetit shqiptar, mes të cilave në ato të Punëve të Jashtme, të Brendshme, Drejtësisë dhe të Financave. Është për të theksuar se ka qenë ministër i Jashtëm në periudhat: qershor 1913 deri më 24 janar 1914; 25 dhjetor 1918 deri në gusht 1919; 6 janar 1925 deri më 31 janar 1925 (në këtë rast në vend të Gjergj Kolecit, i cili nuk e mori këtë post) dhe nga 1 marsi 1925 deri më 23 shtator 1925.
Si ministër i parë i Brendshëm dhe ministri i parë i Punëve të Jashtme (mbas Ismail bej Qemalit) në qeverinë e Vlorës, më 1912-1913, ai ka qenë një nga reformatorët dhe themeluesit e administratës së brendshme të shtetit të parë shqiptar (kishte ndihmuar për të emëruar prefektët, nënprefektët, kryetarët e bashkive dhe të komunave, komandantët e parë të xhandarmërisë).
Libohova ka qenë gjithashtu një nga themeluesit e diplomacisë shqiptare dhe kësisoj ai vazhdoi politikën e tij në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilën e kishte filluar në vitin 1908, kur ishte diplomat e deputet i Shqipërisë në Parlamentin e Stambollit, ku përpara tij kishte qenë i ati i tij, Neki pashë Libohova.
Eqrem bej Vlora (diplomat, shkrimtar, ish ministër) i cili e kishte njohur personalisht Mufidin, në librin e tij “Kujtime”, flet gjerësisht për të nënvizuar cilësitë e larta të tij. Midis të tjerave ai shkruan: “Mufid bej Libohova-Arslan Pashalli ishte pa dyshim një nga personalitetet më të veçanta dhe më të shquara të Shqipërisë së kohës. Niveli i lartë që e bënte të dallohej qartë mbi të gjithë njerëzit e serës së vet, dëshmonte për kulturën e gjerë të tij të spikatur evropiane. Ai ishte doktor i shkencave juridike të Universitetit të Stambollit dhe doktor i shkencave politike të Universitetit të Lausanne (Zvicër). Ai ka qenë shumë i pasur, diplomat me gradë të lartë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane” .
Mufid Libohova, deputet i Shqipërisë në Parlamentin Turk, shkrimtar i njohur në Turqi, por edhe në Shqipëri dhe Evropë, ishte i destinuar të kishte një karrierë në perandorinë osmane por ai donte dhe përpiqej për pavarësinë e atdheut tij. Mufidi ka qenë anëtar i klubit “Bashkimi”, në Stamboll. Shtypi i asaj kohe shkroi: “Në muajin maj të vitit 1911 e përtëriti aktivitetin në mënyrën të riorganizuar edhe Klubi Qendror “Bashkimi” i Stambollit në krye me Abdyl be Ypin. Në Pleqësi të këtij klubi, midis të tjerave, ishin: Gani be Frashëri, Myfid be Gjirokastra, Hasan be Prishtina, Nexhib be Draga dhe Sylejman pashë Kolonja. Nga tashti “Të gjitha klubet në Shqipëri do të punojnë sipas programit qendror” të “Bashkimit” të Stambollit (është fjala për gjuhën shqipe-H.L.) . Mufid Libohova i përket grupit të parlamentarëve shqiptarë, të cilët do ta detyrojnë qeverinë xhonturke të bënte lëshime lidhur me shkollat shqipe dhe alfabetin kombëtar latin të gjuhës shqipe, miratuar në Kongresin e Manastirit.
Mufid Beu ka përkrahur Nexhib Dragën në seancën parlamentare të datës 29 mars/11 prill 1910, në debatin me vezirin e lartë turk dhe Ismail Haliun (përfaqësues i Bagdatit) .
Kur Ismail bej Qemali u ngrit kundër dhunës së komandantit Xhavid Pasha, në Kosovë, Myfid Be Janina (Lybohova) do ta quaj Xhavitin gjakpirës, vrasës, ujk. Kundër këtyre “epiteteve” për Xhavid Pashën u ngrit xhonturku shovinist antishqiptar, Talat Beu, por Myfid Beu ia priti flakë për flakë: “Në i ardhtë randë Xhavid Pashës le të më thërrasë në dyluftim. Jam gati ta qa” . Mufid Libohova rezulton një deputet flakadan dhe shumë trim kundër qëndrimeve denigruese apo tallëse të parlamentarëve shqiptarë. Në një rast, kur ndërhyri me tallje përfaqësuesi i Bagdatit, Ismail Hakiu, ndaj mendimtarit e atdhetarit Nexhip Draga, flakë për flakë iu kthye Mufid Beu: “…Më vjen keq se luan në nji kohë kur asht dyke u derdhun kaq gjak…!”
Mufid Libohova, ka nxitur kryetarin e dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes, në Paris, Imzot Luigj Bumçin të takonte Papa Benediktin XV, për problemin e Korçës e Gjirokastrës. Këtu Bumçi, duke krahasuar Mufidin me pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, e cilëson Libohovën “ndër ta ma i xeti e ma i pari, i ndjeri z. Myfid Libohova” m’u lutën të bëja një sakrifice për atdheun, pra për të pasur një audiencë, që t’i parashtrohej shqetësimi dhe t’i kërkohej ndihmë për bashkimin e këtyre dy krahinave me Shqipërinë .
Në Shqipëri, ai ishte patjetër njëri ndër udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare. Si biri i një dere të madhe historike dhe të pasur, ai kishte të gjithë përparësitë, por edhe të gjitha mendësitë, të cilat duhet të ketë një pinjoll i një fisi të lashtë, veçanërisht të shquar për t’u pëlqyer në Shqipëri. Me gjithë arsimimin e lartë të tij, me gjithë mënyrën e tij autoritare evropiane-shqiptare, të jetës, në mendësinë e tij ai kishte ruajtur tipare që zbulonin në mënyrë të padiskutueshme prejardhjen e mirëfilltë të aristokracisë së vjetër shqiptare.
Ai ishte i gjallë, gazmor, shumë i kulturuar por pastaj befas mund të bëhej i thjeshtë i vrazhdë, popullor. Kontrastet që e dallojnë karakterin e shqiptarit, dilnin tek ai veçanërisht të qarta. Më miqtë ishte besnik, bujar dhe i dashur dhe i fjalës, me armiqtë kundërshtar i papajtueshëm, por fisnik dhe i çiltër .
Ai ishte i pajisur me një karakter të fortë dhe me një guxim fizik dhe moral të jashtëzakonshëm. Ishte njeri që mbante marrëdhënie miqësore edhe me njerëzit e thjeshtë dhe sillej si një mik i vërtetë me ata që ishin të tillë. Veçanërisht në Turqi, ai ishte i njohur si burrë shteti shqiptar, si shkrimtar dhe historian serioz i historisë së perandorisë osmane. Shumë diplomatë të huaj, që kanë pasur njohje personale me Mufid beun, midis të tjerëve ambasadorët, Sola, Quaroni, Jakomoni etj., kanë shkruar kujtime për personalitetin e tij. Mufid Libohovën e ka kujtuar në shkrimet e tij edhe kryeministri grek, Venizelos, të cilin ai e kishte mik.
Familja e Mufid Libohovës
Në moshën 20 vjeçare u bë baba. Mufidi ka pasur dy djem. I pari, Malik beu, lindur në Stamboll më 1896 dhe që vdiq në mërgim në Romë, në vitin 1952 (martuar me Sheref Hanëm Giritli Zade, vajza e Ibrahim pashës dhe mbesa e Mustafa pashës, 5 herë sadrazem dhe kryeministër në perandorinë osmane, i cili ka qenë diplomat, ministër fuqiplotë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë me shumë dinjitet dhe zotësi në shumë kryeqytete evropiane, Paris, Londër, Romë, Gjenevë, etj). Dy djem binjakë të Malik beut, Arsllan dhe Kapllan beu, sa lindën, i mori dhe i rriti gjysh Mufidi, si djemtë e tij, deri sa vdiq, kur ata ishin në moshën 10 vjeçare.
Djali i dytë i Mufid beut ka qenë Elmaz beu, i cili u lind në Libohovë, nga e shoqja e dytë e Mufid beut, Olga Scheitzer, një zonjë e shquar dhe bujare nga Danimarka.
Mufid bej Libohova ka pasur edhe tre vëllezër e një motër më të rinj: Sedat beu, kolonel akademist i Shtatmadhorisë, vrarë pabesisht nga një kapiten çerkez, në vitin 1906, në Selanik; Ajet beu, diplomat, jurist, historian, i cili vdiq, në mërgim në Romë në vitin 1952; Eqrem beu, oficer epror akademist i Shtatmadhorisë, prefekt i Vlorës, komandant brigade në Çamëri në luftën ballkanike 1912, kryeadjutant i princ Wied-it, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Romë, Bruksel, Paris, ministër i Oborrit të Mbretit Zog, ministër i Punëve të Jashtme dhe së fundi kryeministër e ministër i Punëve të Brendshme, i cili vdiq në mërgim, në Romë në vitin 1948.
Pak kohë mbas kthimit të tij në Atdhe, Mufidi vdiq pa pritur në moshën 51-vjeçare në Sarandë, në shkurt të vitit 1927, mbasi i kushtoi më shumë sakrifica dhe rreziqe tërë jetën e tij çështjes kombëtare. U varros në Libohovë me nderime të posaçme dhe në praninë e një numri të madh njerëzish të ardhur nga shumë vise të Shqipërisë dhe nga jashtë vendit. Trupi i tij u kall në tyrben e oxhakut të tij pranë gjyshit Malik pashës dhe stërgjyshes Shanisha Hanëmi, e famshmja motra e Ali pashë Tepelenës dhe e shoqja e Ali pashë Libohovës.

Please follow and like us: