Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Ditë të këqia për pasagjerin e Erdoganit

Thirrja e përsëritur e ambasadorit turk në Tiranë, për spastrimin e njerëzve të vllazërisë Gulen edhe tek ne, nuk është një ogur i mirë për kryeministrin shqiptar. Sinjali është i qartë, madje edhe më i fortë tani pas grushtit të shtetit.

Ai është në vijim të deklaratave që bëri Rexhep Taip Erdogan gjatë vizitës së majit të shkuar në Tiranë, kur i kërkoi vëllezërve të tij Edi dhe Bujar të përzinin nga vendi këtë “strukrurë paralele terroriste”.

Presidenti turk e bëri këtë deklaratë duke përdorur politikën e shkopit dhe karrotës. Ai inaguroi punimet për xhaminë e madhe të Tiranës të financuar nga qeveria turke, premtoi se sipas tij mardhëniet tregtare mes dy vendeve mund të dyfishoheshin, duke arritur në nivelin e 1 miliardë USD dhe kërkoi në këmbim këtë nder të vogël.

Në kohën kur e hodhi këtë hap, Erdogani ishte vërtet në armiqësi me predikuesin që jeton që prej vitit 1999 në Pensilvani (ShBA). Ai i kishte bërë ballë skandalit të përgjimeve dhe denoncimit të korrupsionit në qeverisjen e tij (dhjetor 2013), kishte duruar kritikat për inkursionin e flotës turke në Gaza nga e cila mbetën të vdekur 9 militantë isalmistë turq (2010), ishte përballur me largimin e deputetëve të AKP-së si ish futbollisti i njohur Hakan Shukur dhe kishte dëgjuar ironitë e Gulenit për mosafrimin e partisë islamo-konservatore me BE-në.

Të gjitha këtyre Erdogan i ishte përgjigjur me një spastrim masiv të “shtetit paralel brenda shtetit” që pat ngritur vllazëria në Turqi, kishte pushuar nga puna kuadro policie, gjykastës, prokurorë mësues, kishte mbyllur gazeta, kishte arrestuar gazetarë dhe opozitarë.

Pra, kur zbarkoi majin e shkuar në Tiranë, Erdogan e kishte filluar luftën me njeriun që e ndihmoi ardhjen e tij në pushtet në vitin 2002, por nuk kishte nisur ende bertejën finale me të.

Tani, pas grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autokrati turk ka fajësuar drejtëpërdrejt Gulenin, punët janë më ndryshe.

Prandaj dhe thirrja e përsëritur e ambasadorit Turk në Tiranë Hidayet Bayraktar, për largimin nga Shqipëria të zgjatimeve të puçit, është një sinjal që duhet marrë seriozisht.

Ankaraja që po rëshket drejt një shteti diktatorial këtë herë e ka me gjithë mend. Ajo i ka dërguar mesazhe kërcënuese për dorëzimin e Fehtulla Gylenit ShBA-së dhe vendeve të BE dhe vështirë që ta pranojë që mos i bindet “vëlla Edi”.

Po ti shtosh kësaj optike edhe historinë jo të largët të prishjes së Erdoganit me Berishën, kur ky i fundit, ndryshe nga sa i tha homologu i tij turk, dëgjoi këshillën e ameriaknëve për të votuar në OKB kundër njohjes së Palestinës, çështja bëhet edhe më e mprehtë.

Edi Rama ndodhet në një udhëkryq.

Nga njëra anë, ai e di se për fatin e vet të keq jeton ende në një vend demokratik, ku nuk merr dot vendime dhe nuk shpall dot luftë pa fakte dhe prova. Ai nuk ka asnjë të dhënë se segmente të grushtit të shtetit në Ankara dhe Stamboll gjenden edhe në Shqipëri. Ai nuk ka asnjë të dhënë për organizimin e puçit nga vllazëria Gylen dhe nga ‘mendja e një psikopati të sëmurë që ka shumë fije edhe në Shqipëri”, siç tha sot kryediplomati turk.

Por, nga ana tjetër, ai e di se mosralizimi i një kërkese të bërë publikisht në Tiranë, të përsëritur nga ambasadori disa herë, do ta thyente përfundimisht me Erdoganin. Ky është paradoksi me autokratët: me ta mund të miqësohesh pa pasur nevojë për parime, ashtu sikurse mund të prishesh edhe thjesht për kapriço.

Edi Rama me sa duket është në prag të kësaj të dytës.

Ai u afrua me Erdoganin (që u bë shtetari i parë që e priti në një vizitë zyrtare kur qe ende në opozitë) duke përfituar nga armiqësia mes tij dhe Berishës. Nxitoi ta quajë “vëlla” dhe “mik të madh të shqipëtarëve”. Bëri me ministrat e tij mbledhje të përbashkëta të kabinetit qeveritar. Ndryshoi një traditë të vendosur të diplomacisë shqiptare, duke e ngritur Turqinë në nivelin e aleatit strategjik (lexo: http://www.lapsi.al/ide/2014/03/31/kupa-dor%C3%AB-posht%C3%AB-kok%C3%ABs…).

Natyrisht i përdori të gjitha këto si një prestigjator cirku, duke shpërndarë selfie nga brigjet e Bosforit, nga vizita në Dolma Bahçe, nga prania në dasmën Sumeyyes, vajzës së presidentit dhe së fundi, duke i shitur mend shqiptarëve se Erdogani i shërbente si shofer në urën e re Osman Gazi.

Por, me sa duket koha e selfiepolitikës po mabron. Erdogan po kërkon haraçin e fotove dhe videove të propagandës 3 vjeçare.

Dhe nëse vëllai i tij pasagjer nuk i përgjigjet, me shpalljen e luftës kundër vllazërisë Gylen në Shqipëri, nuk do të jetë çudi që edhe Rama të ketë fatin e Berishës: të humbasë vështrimin e sulltanit të ri neo ottoman.

Natyrisht një tekë e tillë, e denjë për një autokrat të vetëkënaqur, nuk ka asnjë domethënie për shqiptarët.

Me gjasë as ndonjë pasojë për ta.

Por, ajo është një provë më shumë se si selfiepolitika, amatorizmi diplomatik dhe vënia e propogandës para realitetit, në fund nuk shërbejnë për asgjë.

Nga dashuria 3 vjeçare e Ramës me Erdoganin, nuk do të mbetet tanimë, as përqafimi i vëllait të madh, as miku i veçantë i shqiptarëve, as partneri strategjik dhe as 1 miliard USD e shkëmbimeve tregtare.

Nga kjo histori ndoshta do të mbahet mend vetëm ajo vidioja mbi urë e një pasagjeri snob, për të cilin lëvizja është gjithçka ndërsa qëllimi asgjë.

Please follow and like us: