Vettingu rilindas i Edi Ramës

 

Nga Desada Metaj

Burime nga Kryeministria kanë nxituar dje të sqarojnë lajmin e botuar nga Opinion.al mbi procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Ende janë të paqarta arsyet që e bënë stafin apo vetë zotin Rama të shqetësuar deri ne orët e vona të mbremjes, për të gjetur burimin e një informacioni që në fakt duhet të ishte bërë prej kohësh i njohur për publikun. Jo vetëm përsa i përket emrave që kandidojnë, por edhe për proçedurën që do të ndiqet. Thënë ndryshe, nëse kemi kaq muaj që dëgjojmë për vettingun dhe sitën në të cilën do të kalojnë gjyqtarët dhe prokurorët, nuk dimë nëse do të kalojnë në të njëjtën sitë kandidaturat për Strasburg.

Burime të Opinion.al zbuluan se qeveria këtë herë do të mjaftohet me vetëdeklarimin e kandidatëve. Pra nëse prokurori më periferik në Shqipëri do të kalojë nëpër një proçes të plotë dhe të gjatë verifikimi, ai që do të na përfaqësojë në gjykatën më të lartë ndërkombëtare, do të marrë një çertifikatë nga ILDKP.

Por në reagimin e menjëhershëm për këtë lajm të botuar, zyra e kryeministrit zbulon (ndoshta pa dashur) dhe nje element të ri, të panjohur deri me sot. Deri tani as Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, as qeveria shqiptare nuk kanë folur për kohën e mbërritjes në Tiranë të shtetasve të huaj që do të udhëheqin fazën e parë të vettingut të njerëzve të drejtësisë. Por duket se vëzhguesit e huaj do të jenë në Shqipëri jo më herët sesa muaji Tetor. Përcaktimi i kësaj periudhe gjendet në reagimin që Këshilli i Ministrave bëri të premten për arsyen përse kryeministri Rama nuk kishte përkrahur procesin e vettingut për kandidatët e Shqipërisë për në Gjykatën e Strasburgut.

“Sigurisht që vetingun s’mund ta bëjnë ndërkombëtarët që vijnë në Tiranë në Tetor, pasi afati (për kandidatët) është 20 gusht!-thuhet në reagimin e Këshillit të Ministrave, ku zbulohet koha e planifikuar për nisjen e punës së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Nëse tetori është muaji i mbërritjes së vëzhguesve ndërkombëtarë, kjo do të thotë së ligji i vettingut, në rastin më të mirë, nuk do të jetë gati edhe për 5-6 javë të tjera. Por kjo do të thotë gjithashtu se ndryshimet kushtetuese do të vazhdojnë të jenë të pazbatueshme.

Dhe e fundit, kjo do të thotë se Shqipëria nuk ka çfarë progresi të raportojë në Bruksel në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi, ç’ka do të vendosë në rrezik edhe marrjen e rekomandimit për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Dhe kur duket se qeveria nuk ka asgjë gati, madje as 7 projektligjet e paketës për zbatimin e Kushtetuës së re, ajo që mbetet pa përgjigje është pyetja se përse mdryshimet kushtetuese u miratuan me aq urgjencë pas mesnatës së 21 korrikut.

Për t’iu rikthyer edhe njëherë proçedurës së përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën e Strasburgut,vlen të mësohet gjithashtu se emrat e përzgjedhur nga stafi i ngushtë i kryeministrit janë pa dyshim preferenca të tij për arsye lehtësisht të njohura. Ndërsa nuk do e votonte Xhezair Zaganjorin për president dhe ky i fundit u dorëhoq nga kandidimi për arsye që vetëm pak i dinë, kandidatura e tij do të linte bosh një vend mjaft të lakmuar, atë të kryetarit të Gjykates se Lartë. Për sa i përket 2 kandidaturave të tjera, sigurisht që i kujdesshëm për kuotat, nuk mund të liheshin jashtë as gratë.

Kështu Ina Rama, ish prokurore e përgjithshme dhe Elira Kokona aktualisht sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Kulturës përfliten nga stafi i ngushtë i kryeministrit si kandidatura të mundshme. E nëse do të jenë të përzgjedhura, do ta kenë të lehtë rrugën për Strasburg. Verifikimi që do të bëhet për to do të jetë i ngjashëm me dokumentat që një punonjës i administratës dorëzon për të sqaruar pastërtinë e figurës. Sepse siç dhe e ka sqaruar në njoftimin e djeshëm për Opinion.al, vettingu nuk do të funksionojë përpara muajit Tetor dhe deri atëherë operacionet e parashikuara prej tij, i kryen stafi i ngushtë apo vetë kryeministri.