Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe aleati i Ramës kërkon qeveri tranzitore. Pse ndryshoi qëndrim Ndoka? 

 

 

Edhe pse është pjesë e “qeverisë Rama”, kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka, në një intervistë të dhënë sot për “Koha Jonë”, ka deklaruar se ai është për bërjen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të merrej me përgatitjen dhe zhvillimin e tyre.

Gjatë periudhës së procesit të Reformës në Drejtësi dhe përplasjeve të forta mes Ramës dhe Metës, Ndoka u afrua shumë me kryeministrin, u deklarua hapur kundër një qeverie teknike dhe nuk e vuri asnjëherë në dyshim votën e tij dhe të atyre deputetëve që përfaqëson për “variantin C” të Ramës, pra një kalim të reformës pa opozitën me 94 vota . Deri ditët e fundit, ai përflitej në medie si një nga personat, mes të tjerëve, te i cili Rama kishte mbështetur planin e tij për bërjen e një qeverie pa Metën, madje u shkrua se i ishte premtuar nga ky i fundit, edhe një post ministror.

Por krejt “papritur” Ndoka ndryshon qëndrim, jo vetëm duke e kritikuar qeverinë, por edhe duke e quajtur misionin e saj të dështuar dhe të mbyllur pa sukses. Kreu i PDSH-së në këtë intervistë mendon se e vetmja zgjidhje në këtë situatë, janë zgjedhjet dhe krijimi i një qeverie transitore për ti zhvilluar ato. Duket se përpjekjet e ethshme të Ramës, për të krijuar numrin e 71 deputetëve për të krijuar një qeveri të tijën pa Metën dhe LSI-në, kanë dështuar. Kjo duket edhe nga paqja dhe “armëpushimi” i papritur mes dy aleatëve-armiq bashkëkryetar të koalicionit. Mes të zhgënjyerve nga Rama, normalisht është edhe Ndoka, i cili në këtë situatë kërkon tani rrëzimin e kësaj qeverie dhe mbylljen e mandatit të saj përpara kohe. I pyetur nëse kjo maxhorancë, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, duhet ta përmbyll mandatin 4 vjeçar, ai thotë; “Qeverisaj ka qenë problematike në tërësinë e vet me skandale, me paaftësi, korrupsion, papërgjegjshmëri në të shumtën e rasteve, ndaj kjo qeverisje ka pasur nevojë më shumë se asgjë tjetër, nevojë për oponencë brenda saj dhe opozitë të fortë. PDK-ja ruajtur profilin e vetë politik duke qenë e qartë në qëndrime, në përfaqësim, por duke vlerësuar pavarësinë politike më shumë se pushtetin dhe privilegjet e tij”.

Pas përshkrimit të kësaj panorame të errët për qeverisjen dhe nënkuptimit, se përpara pushtetit që i ka dhënë Rama, preferon pavarësinë politike, Ndoka i pyetur se a duhet në këtë situatë një qeveri teknike thotë: “Për fatin e keq maxhoranca e konsumoi qeverisjen dhe veten para kohe, me konflikte, mungesë vizioni, mungesë bashkëpunimi institucional me opozitën, me Presidentin e Republikës, me institucionet kushtetuese e të pavarura. Reformat esenciale, kanë munguar, por edhe kur ka pasur nisma të tilla “reformuese” janë ndërmarrë nëpërmjet konfliktit, duke detyruar edhe partnerët ndërkombëtar të bëhen pjesë e së keqes në politikën tonë alla anadollake. Tashmë të gjithë duhet të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, për standardet…Sipas gjykimit tonë, e vetmja zgjidhje dhe mundësi janë zgjedhjet dhe qeveria tranzitore për ti zhvilluar ato. Kontradikta tashmë e hapur mes PS-së dhe LSI-së, mungesa e koordinimit dhe qeverisjes në këtë periudhë e bën edhe më të domosdoshme krijimin e një qeverie të besueshme dhe të pranuar nga të gjitha palët”.

Please follow and like us: