Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova: Një vend që s’ekziston? Vërtet, Beograd?

Zëvendës-Presidenti i Shteteve të bashkuara, Joe Biden, ka qenë një mbrojtës i palëkundur i konstruktivitetit në Ballkanin Perëndimor.

 

 

Vizitat e fundit zyrtare jashtë vendit për liderët e një administrate në largim zakonisht rezervohen për t’i takuar miqtë e vjetër. Dikujt edhe mund t’i lejohet një gotë e vogël në rreze dielli si shpërblim për krejt punën e vështirë në përpjekje për të marrë me të mirë aleatët dhe ata më-pak-se-miq për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i qeverisë suaj.

 

 

Një problem i vjetër

Por, për dallim nga të tjerët, zëvendëspresidenti në largim i SHBA-ve, Joe Biden, zakonisht një figurë dashamirëse, ka bërë një veprim krejt të ndryshim. Ai vendosi që të udhëtojë këtë javë në atë që ende është çështja më e pazgjidhur evropiane – Ballkani Perëndimor.

Kjo “çështje” është e papërfunduar për shumë arsye. Për shekuj me radhë, Ballkani është përdorur nga fuqi të ndryshme perandorake – qofshin ata osmanët, rusët, austro-hungarezët, gjermanët si dhe nga britanikët e francezët – si terren për të projektuar fuqinë e tyre.

Pasi kanë luftuar dhe kanë shpenzuar mirë njëri-tjetrin për shekuj me radhë, këto fuqi, pas zjarrit të fundit të madh global, lanë prapa një konstrukt artificial – Jugosllavinë.

Ky konstrukt u rrëzua në momentin kur përfundoi edhe Komunizmi dhe një kroat, Tito, u zëvendësua nga një ultranacionalist serb, Sllobodan Millosheviq.

Millosheviq ishte një supremacist dhe në më pak se një dekadë, gjashtë kombe (Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi) ia dolën të çlirohen nga sundimi i Beogradit. Dy prej tyre – Sllovenia dhe Kroacia – ia kanë dalë që të hyjnë në BE. Të tjerat, bashkë me Shqipërinë fqinje, ende janë në pritje.

 

Biden e shtroi këtë rrugë

 

Mamia e kësaj “pranvere” të kombeve të Ballkanit ishte SHBA-ja. Shumë kohë para se të bëhej Zëvendëspresident, Joe Biden – gjatë periudhës së tij të gjatë si Senator Amerikan dhe zë kryesor i politikës së jashtme amerikane – ishte i palëkundur në dënimin e doktrinës së Millosheviqit për supremaci serbe.

Si kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, ai ishte i bindur se ultra-nacionalizmi serb nuk do duhej mbizotëruar.

Pas parasysh mospërfilljen e përgjithshme, për të mos thënë përbuzjen, që praktikohet në debate Perëndimore në lidhje me Ballkanin, ishte një betejë e gjatë kundër mosmarrëveshjeve të gjata.

Ajo që ndryshoi opinionin publik Perëndimor ishte rrethimi brutal, i stilit mesjetar, të Sarajevës. Ajo u përcoll nga masakre serbe në Srebrenicë më 1995 e më pas me spastrimin etnik të 850,000 kosovarëve katër vjet më pas.

Për të mos rrezikuar e rënë në duart brutale të gjenocidalistëve serbë, ata ikën nëpër male apo përtej kufijve, duke shkuar deri në Irlandë apo Finlandë pasi që secili shtet i BE-së pranoi një kuotë.

 

Një përkushtim i vjetër personal

 

Me meritat e tij të përjetshme, Joe Biden asokohe veçse ishte de facto zëdhënës global për mbështetjen e kauzës për liri nga sundimi serb në Ballkanin Perëndimor.

Këtë ai e bëri edhe në një kohë kur strukturat politike e ligjore për të strukturuar kombet e reja ishin shumë dobët të pajisura për detyrën.

Ai merrte raporte të dorës së parë nga i biri i tij, Beau Biden. Avokat në Delaware, sikurse babai i tij, ai shërbeu në Gardën Kombëtare Amerikane dhe kaloi një vit në Kosovë më 2001 duke trajnuar avokatë e gjyqtarë (dhe më vonë shërbeu edhe në Irak).

Biden Jr. u kthye në shtëpi për t’u ngritur në politikën shtetërore, dhe kishte çdo mundësi që ta kthente atë në karrierë kombëtare politike kur ai papritmas vdiq vetëm në moshën 46 vjeçare, nga kanceri në tru më 2015.

Ky ishte një moment vërtet tronditës për Zëvendëspresidentin, i cili si Senator i ri Amerikan në moshën 30 vjeçare kishte humbur gruan e tij të parë në një aksident trafiku.

 

Në nder të Beau Biden

 

Në Kosovë, Biden do të zbulojë një pjesë të një rruge nacionale të emëruar në emër të djalit të tij. Ai do të takojë edhe liderin e Kosovës, Presidentin Hashim Thaçi. Thaçi sapo është kthyer nga Rio, ku pati rastin të shihte olimpistin kosovare, Majlinda Kolmendi, të fitonte medaljen e artë në xhudo.

Ky duhet të jetë moment i mirë për Kosovën. Pasi, jo shumë kombe të vogla mund të festojnë shkëlqimin Olimpik.

Në tentim për të prishur këtë moment të lumturisë kombëtare, kryeministri i Serbisë, Alksandër Vuçiq, me sa duket kishte plane tjera. Ai doli në Parlamentin e Beogradit dhe iu referua Kosovës si “provinca jugore e Serbisë”.

Më herët gjatë vitit, edhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, gjithashtu i paaftë për t’u edukuar, kishte refuzuar t’i bashkohej të gjithë liderëve ballkanik në inaugurimin e Thaçit si president duke thënë se Kosova “nuk ekziston si shtet i pavarur”.

Biden vjen në Kosovë pas takimeve të zhvilluara në Serbi. Ai do të përballet edhe njëherë me politikën sureale të Ballkanit. Është një rajon i rrallë botëror ku vendet pretendojnë se fqinjët e tyre nuk ekzistojnë.

Ndoshta një Samuel Beckett apo një Franz Kafka mund ta trajtojnë vetëbesimin në Beograd se Kosova nuk ekziston.

Kjo bëhet posaçërisht e qartë kur flet me ndonjë serb inteligjent. Ata shpejtë ngrisin supet dhe thonë: Natyrisht, Kosova është e humbur dhe nuk do të kthehet në kurrfarë Republike të Serbisë.

Bllokada mentale ekziston vetëm përbrenda klasës politike, dhe nuk vjen pa kosto të rrezikshme. Si rezultat i prirjeve të saja revanshiste, Serbia e ka ngritur hundën për t’u dukur më e zemëruar.

Bashkimi Evropian nuk do ta merr për bazë anëtarësimin e Serbisë në BE, sikurse Sllovenia apo Kroacia, derisa të mos e njohë fillimisht Kosovën dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjin e saj të ri.

 

Kthjellimi i mendjes së të paedukuarve?

 

A do të mundet Biden t’i bëjë nikoqirët serbë t’i thërrasin mendjes? Vështirë. Putin tani është miku numër 1 i Beogradit. Kremlini është i përfshirë në këtë çështje, nëse për asgjë tjetër, për të parë Bashkimin Evropian si të paaftë në zgjidhjen e një çështjeje kaq relativisht të vogël të politikës së jashtme.

Një tjetër çështje që është e rëndësishme për Putinin, i cili e di se koha është gjithmonë në anën e tij, është se ai është në gjendje të frenojë SHBA-në që të deklarojë se më në fund e ka zgjidhur rebusin e Ballkanit.

Në këtë aspekt, dëshira e Putinit që të jetojë më gjatë se Bideni është më e rëndësishme sesa të ndihmojë në krijimin e stabilitetit në rajonin e gjerë të Ballkanit.

 

Serbia: Gjithmonë inatçore?

 

Deri më tani, Serbia nuk ia ka dalë që të fitojë asnjë medalje në Rio (plotësim i redaksisë Koha.net: teksti është shkruar para se Serbia ta fitonte medaljen e vetme në Rio). Pamjet e skuadrës së vogël kosovare duke e ngritur medaljen pa dyshim se ka zemëruar Beogradin.

Vizita e Bidenit është edhe një përkujtues se Ballkani Perëndimor është një çështje e papërfunduar e Evropës. Nëse BE nuk ia del të zgjidh një prej çështjeve të “oborrit” të saj, si mundet të deklarohet si lojtar serioz gjeopolitik?

Më e keqja është se, me pensionimin e Joe Bidenit nga zyra e lartë politike, a ka ndonjë politikan amerikan “në treg” i gatshëm të investojë kohë dhe përkushtim të ndihmojë Ballkanin Perëndimor?

***

Denis MacShane, redaktor kontribues në “The Globalist”, ka qenë ministër për Evropën i Britanisë së Madhe, prej 2002 deri më 2005. Ai është autor i librit “Brexit: Si do të largohet Britania nga Europa”.

Please follow and like us: