Albspirit

Media/News/Publishing

Lider absolut!

Lider absolut !

Në kohëra të vështira, atëherë kur kërkohet ftohtësi në reflektim, racionalizëm, vendosmëri për të vepruar dhe vizion, shfaqen edhe tipare të caktuara të personalitetit dhe të karakterit. Janë këto momente, që ndajnë kufirin mes logjikës dhe zbehjes së saj, vizionit dhe mungesës së tij, solidaritetit dhe pamundësisë për ta kuptuar atë, bashkëpunimit dhe paaftësisë për ta gjykuar si të domosdoshme. Teksa, shikojmë profilizimin e vendeve evropiane, në luhatje mes vlerave dhe të kundërtave të tyre, është një vend, që spikat duke marrë forcë drejtuese dhe orientuese.

Nën drejtimin e kancelares Merkel, Gjermania po lë gjurmë historike, duke krijuar profilin e një fuqie me pushtet të padiskutueshëm në nivel evropian, si edhe duke operuar me një racionalizëm të kulluar, me nuanca të forta solidariteti, në një nga krizat më akute, që po njeh Evropa, krizën e refugjatëve.

Iniciativa e fundit, mbi zhvillimin e një Samiti me drejtuesit e kompanive të mëdha në vend, për të inkurajuar dhe nxitur punësimin e refugjatëve, që i kanë ikur zonave të konfliktit, shënon një tjetër progres. Progres, që evidentohet edhe më shumë në një kontekst refuzimi dhe mungese të theksuar solidariteti, që po shfaqin një sërë vendesh anëtare të Unionit.

Kjo qasje pozitive, racionale dhe solidare e Gjermanisë kryesisht në fushën e migrimit, do të konfirmohej edhe nga Raporti i Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane mbi Migrimin dhe Integrimin (SVR-2015). I fokusuar mbi një analizë të politikave të migrimit dhe të integrimit në Gjermani, duke i krahasuar ato njëkohësisht me disa vende të tjera anëtare të Unionit, por edhe me kontinentet e tjerë të njohur në fushën e politikave të migrimit, si Amerika e Veriut (SHBA dhe Kanada) apo Australia, Raporti do të ofronte të dhëna shumë interesante.

Ky raport do ta prezantonte Gjermaninë, si një nga pionierët e politikave të migrimit modern, sidomos në politikat mbi punësimin. Përgjatë viteve të fundit, Gjermania, ka përmirësuar ndjeshëm skemën e menaxhimit të migrimit dhe ka futur një sërë masash të gjera, me synim lehtësimin e integrimit të migrantëve dhe pjesëmarrjen e tyre sociale. Reforma, që e rendisin Gjermaninë në nivelin e vendeve, që tashmë njihen se kanë skema migrimi dhe integrimi progresive, si Kanadaja, dhe Australia. E hapur si ndaj politikave të migrimit të personave me profil akademik, por edhe ndaj klasës punëtore, Gjermania ka zgjedhur të adaptojë një model hibrid të politikave të punësimit të imigrantëve. Raporti vlerëson, se nuk është i mjaftueshëm zhvillimi dhe zbatimi i politikave të reja të migrimit dhe integrimit, por duhet që masat e reja të bëhen publike dhe botës t’i thuhet se, Gjermania është një vend modern i migrimit, dyert e të cilës janë të hapura për talentet botërore.

Raporti do të theksonte nevojën në rritje për migrim nga jashtë BE, si edhe domosdoshmërinë për të komunikuar dhe bindur popullatën vendase për këtë nevojë ekonomike, që ka vendi.

Nga njëra anë, studimi parashikonte se, konkurrenca për persona të kualifikuar do të rritet dhe imigrantët nga vendet Evropiane nuk do të mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e tregut gjerman të punës. Situatat e ndryshimit demografik në Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore tregojnë se, rëndësia e këtyre vendeve si burim pune për Gjermaninë, do të jetë në një të ardhme në rënie. Si rrjedhojë, Gjermania duhet të bëjë përpjekje për të bindur qytetarët e vendeve, që s’janë pjesë e BE-së, se janë të mirëpritur dhe të kërkuar.

Dhe nga ana tjetër, raporti do të theksonte se përtej kësaj përqasje, lind edhe domosdoshmëria që ky kuadër nevoje në rritje për imigrantë, t’i shpjegohet edhe qytetarëve gjermane, si edhe përfitimet, që mund të vijnë nga një prurje, apo fluks imigrantësh. Gjithashtu raporti sugjeron që të gjithë partitë politike në Parlamentin Federal Gjerman dhe shumica e aktorëve të shoqërisë civile, duhet të mbështesin orientimin e ri të migrimit në vend, dhe të politikave integruese. Kjo qasje e re, duhet të jetë përgjigja e Gjermanisë ndaj një sërë sfidash, që po përballet vendi, që përfshijnë, ato demografike, tregun e punës dhe ndryshimet socio-politike, të ndërthurura me të drejtat e njeriut dhe detyrimet ndërkombëtare të bazuara në ligj.

Pushtet në rritje

Që prej nisjes së krizës së refugjatëve, politika gjermane, po vepron e vetme në zgjidhje të saj, në mungesë të bashkëpunimit nga vendet e tjera, apo me mbështetje pasive nga vendet kryesore të Unionit. Formati i Marrëveshjes me Turqinë, edhe pse një marrëveshje në emër të Unionit, e ekspozoi Gjermaninë si aktorin kryesor në konfigurimin dhe arritjen e saj. Një rol thelbësor, Gjermania ka luajtur gjithashtu edhe ndaj sfidave të tjera në fushën evropiane, siç do të ishin konflikti në Ukrainë, apo kriza e Euros në Greqi. Partnerët evropianë të përtej Atlantikut, shprehin vazhdimisht shqetësimet e tyre mbi dobësitë e BE, duke insistuar mbi një rol të domosdoshëm dhe në rritje që duhet të ketë Gjermania në drejtimin e BE. Një rol, që sipas tyre, duhet të fokusohet jo vetëm ndaj ndërtimit të një kohezioni brenda politikës evropiane, por edhe në fushën e politikës së jashtme. Sugjerime, që nuk para pëlqehen të ndiqen nga kancelaria gjermane, duke mos preferuar ekspozimin e saj, si fuqi dominuese në vendimmarrje. Kjo, jo vetëm për hir të peshës së dominimit historik, që nuk e akomodon në këtë drejtim, por edhe për të bërë të mundur shmangien e një barriere, që mund të ngrihet nga vendet e tjera evropiane, për kundër-balancim të fuqisë gjermane, duke krijuar një bllokadë de facto në fushën e bashkëpunimit evropian. Duhet theksuar se, një sërë opinionesh hedhin vëmendjen mbi mungesën e bashkëpunimit në nivel evropian ndaj krizës së refugjatëve, të ndikuar edhe nga lënia në “periferi” e tyre gjatë krizës greke, nëpërmjet dominimit të fuqisë gjermane.

Gjithsesi, Berlini është inkuadruar tashmë në një zonë operimi aktiv, në fushat kryesore të BE. Kriza e borxheve, kriza e Ukrainës, kriza e refugjatëve, e konfirmuan si aktorin kryesor në politikat e BE. Forca e propozimeve të tij në nivel evropian, u konfirmua edhe gjatë Këshillit Evropian të qershorit (2015) me ndërtimin e domosdoshëm të Evropës së Mbrojtjes. Publikimi i Librit të Bardhë në Gjermani, konfirmoi kthesën e diplomacisë gjermane, duke afirmuar vullnetin për luajtjen e një roli aktiv në skenën ndërkombëtare, dhe investim në gjetjen e zgjidhjeve diplomatike ndaj luftërave dhe krizave, që rrethojnë Evropën. Me strategji të qarta inkurajuese për përdorim të gjerë të të gjithë instrumenteve të nevojshëm, për përforcimin e sigurisë evropiane, Berlini po shtyn në forma pragmatike fuqizimin e tyre, jo vetëm brenda kornizës së BE, por edhe në kuadrin e NATO dhe të OSBE.

Në verën e vitit të kaluar (2015), Këshilli Evropian i Punëve të Jashtme (ECFR) kreu një vëzhgim të ekspertëve dhe politikëbërësve në shtetet anëtare të BE, duke nxjerrë si konkluzion se, elitat politike në të gjithë vendet e BE, bien dakord se Gjermania është vendi anëtar me influencën më të madhe në Union, në fushën fiskale, në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Vëzhgimi, konstatonte gjithashtu se, shumë vende anëtare të Unionit, kontaktojnë përgjithësisht, ose në të shumtën e rasteve Gjermaninë të parën, për çështjet e BE. Pjesëmarrësit në vëzhgim, ishin shprehur gjithashtu më pak në ankth përballë fuqisë gjermane, por më të shqetësuar ndaj rritjes së partive nacionaliste në të gjithë Evropën, duke shprehur vetëm një shqetësim se, mos edhe “Gjermania mund të bëhej si ata”, në kuptimin e dhënies së përparësive interesave të saj kombëtare, ndaj qasjes tradicionalisht integruese të vendit./DITA/

Please follow and like us: