Albspirit

Media/News/Publishing

Biden në Ankara: SHBA nuk mbron një person që dëmton Turqinë aleate

“Ne asnjëherë nuk kemi për qëllim të mbrojmë një person, sidomos nëse ai dëmton një aleatin tonë”, kështu u shpreh Joe Biden në lidhje me ekstradimin e Fethullah Gulenit…

 

Biden në Ankara: SHBA-ja nuk mbron një person që dëmton Turqinë aleate

Zv/presidenti amerikan, Joe Biden, vazhdon kontaktet zyrtare në Ankara.

Bashkë me delegacionin që e shoqëron, Biden fillimisht vizitoi Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë(TBMM), ku pati një takim me kryeparlamentarin Ismail Kahraman.

Kahraman e falënderoi zv/presidentin e vendit mik dhe aleat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vizitën ngushëlluese.

Kurse Joe Biden, nga ana e tij keqardhjen për ngjarjen e shprehu me këto fjalë: “Do të doja që të nesërmen e ngjarjes (tentativës së grushtit të shtetit) të isha këtu. Sikur mu ngul një thikë në zemër kur mësova se ushtarët tuaj kishin sulmuar Parlamentin. Më kujtoi ngjarjet e 11 shtatorit në vendin tim.”

Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim tek demokracia në Turqi.

“Turqia është një shtet i fuqishëm dhe ne kemi nevojë për ju”, siguroi ai.

Pas takimit pa praninë e mediave me kryeparlamentarin turk, zv/presidenti amerikan vizitoi pjesën e Kuvendit, që është dëmtuar nga bombardimet gjatë tentativës së organizatës terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) për grusht shteti natën e 15 korrikut.

Sipas programit, Joe Biden do të vizitonte vetëm pjesën e bombarduar të Sallës së Nderit; por, në përgjigje të kërkesës së Kryeministrit Binali Yildirim, ai u ngjit edhe në katin e zyrës kryeministrore në Parlament, gjithashtu e dëmtuar rëndë natën e tentativës për grusht shteti.

“Shumë e frikshme, shkatërrimtare”, ishin këto fjalët e vetme që Biden arriti të nxjerrë nga goja në çastin që pa zyrën e rrënuar të kryeministrit turk në Parlament.

Të pranishëm në këtë vizitë të zv/presidentit amerikan në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë ishin edhe përfaqësuesit e 4 forcave politike kryesore turke.

Sa i përket ekstradimit të Fethullah Gulenit, ai tha se “janë gjykatat ata që do të vendosin” duke tërhequr vëmendjen mbi legjislacionin e amerikan.

Më pas, Joe Biden kaloi në Pallatin “Çankaya” për t’u takuar me Kryeministrin Binali Yildirim.

Biden dhe Yildirim pozuan për gazetarët duke shtrënguar duart tek shkallët e Pallatit “Çankaya”, pastaj hynë brenda për të mbajtur takimin kokë më kokë.

Në fund të takimit me dyer të mbyllura, Yildirim dhe Biden organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Menjëherë në fillim të konferencës, numri 2 i Shtëpisë së Bardhë përgënjeshtroi pretendimet se vendi i tij ishte që më parë në dijeni të tentativës për grusht shteti në Turqi.

“Dënoj fuqishëm tentativën e 15 korrikut për grusht shteti”, tha ai.

Joe Biden nënvizoi se SHBA-ja mbështet përherë Turqinë dhe se vendi i tij admiron në maksimum guximin e popullit turk.

Zv/presidenti amerikan u ndal gjithashtu mbi ekstradimin e kreut terrorist të FETO-PDY-së, Fethullah Gulen.

“Qeveria jonë do të bëjë të pamundurën që t’ju dorëzojë autorët dhe përgjegjësit e tentativës për grusht shteti. Ka disa ligje, që përbëjnë themelet e vendit tonë. Siç ia kam shprehur edhe Kryeministrit Yildirim, ne bashkëpunojmë. Ekspertët tanë ligjorë janë duke punuar aktualisht me kolegët turq; po shqyrtojnë provat dhe dokumentet. Këto dokumente duhet t’u dorëzohen autoriteteve amerikane dhe duhet të përgatiten sipas ligjeve tona dhe marrëveshjes së ekstradimit të kriminelëve. Në këtë mënyrë mund të dorëzojmë Gulenin. Ne asnjëherë nuk kemi për qëllim të mbrojmë një person, sidomos nëse ai dëmton një aleatin tonë; por jemi të detyruar t’u përmbahemi ligjeve tona. Gjykatat amerikane do të vendosin për këtë dhe mund të marrë pak kohë”, u shpreh Biden.

Më tej, zv/presidenti amerikan dënoi sulmin terrorist të 20 gushtit në një ceremoni martesore në Gaziantep të Turqisë. “Ky është një akt barbar dhe jashtë çdo vlere njerëzore”, tha ai.

Sa i përket operacionit “Mburoja e Eufratit”, që ushtria turke nisi mëngjesin e sotëm në Jarabulus të Sirisë, numri 2 i Uashingtonit vuri në pah se do të bashkëpunojnë fuqishëm kundër DAESH-it dhe shtoi: “Forcat e YPG-së nuk duhet të kalojnë kurrsesi në anën tjetër të Eufratit. Nëse krijohet një situatë e tillë, atëherë nuk do të mund të marrin asnjë lloj mbështetjeje nga SHBA-ja.”

Kurse shefi i qeverisë turke, Binali Yildirim, u shpreh krenar që presin në Ankara një mysafir si zv/presidenti amerikan, Joe Biden.

Binali Yildirim tha se gjatë kësaj vizite kanë shkëmbyer mendime për çështjet rajonale dhe kryesisht për tentativën e dështuar të 15 korrikut për grusht shteti në Turqi.

“Kemi bërë veprimet e nevojshme dhe kemi filluar procesin për ekstradimin e kreut terrorist të tentativës së poshtër për grusht shteti dhe FETO/PDY-së, Fethullah Gulen. Ajo çka ne presim më së shumti nga kjo çështje është avancimi pa humbur kohë i të gjitha proceseve ligjore dhe konkludimi i tyre me një vendim, që u përgjigjet kërkesave të popullit turk”, tha Yildirim.

Kryeministri turk rikujtoi se situata në Siri nuk është aspak ngushëlluese dhe se atje kanë humbur jetën rreth 500 mijë njerëz.

“Pikat e rëndësishme në lidhje me çështjen në fjalë janë dy. E para është ruajtja e integritetit territorial të Sirisë dhe mosrealizimi i një copëtimi sipas grupeve etnike. E dyta; nuk pranojmë një strukturim kurd të ri në kufirin tonë jugor”, theksoi kreu i Ankarasë zyrtare, Binali Yildirim.

Në fund të ditës, Joe Biden do të pritet në takim nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Ai do të jetë edhe lideri i parë amerikan, që viziton Kompleksin Presidencial të Turqisë. Zv/presidenti i SHBA-së do të zhvillojë me Erdoganin një takim pa praninë e mediave.

Pas këtij takimi në mbrëmje, Biden do të largohet nga Turqia.

Please follow and like us: