Albspirit

Media/News/Publishing

EKSKLUZIVE/ SULO, HISTORIA E NJË VLONJATI TË ADOPTUAR

 Ekskluzive/ Sulo, historia e një vlonjati të adoptuar.

Nga Dritan Hila

Ashtu si shumë të tjerë, edhe unë për Sulon në fillim kam dëgjuar në formën e legjendës. Aty nga vitet 2000, më thoshin se kur vinte në Itali për të blerë mallra, merrte edhe nipin me vete, pasi nuk dinte të numëronte. Apo se ishte një fanatik i PD-së. Por legjendat urbane, nuk kanë asgjë të vërtetë në thelbin e tyre. Të gënjejnë ashtu si pamja televizive e Sulos, kur doli në ekrane të ankohej për vjedhjen e tokës ku është ngritur Petrolifera, ndryshon me atë që shikon në origjinal, kur e takon.
Sulo Shehu, është ndër njerëzit më të pasur të Shqipërisë, por kur e kam takuar për herë të parë dhe më vonë, nuk dallon nga një vlonjat i zakonshëm që ecën me këmbë dhe pi kafe i ngatërruar me turmën në baret e superpopulluara të gushtit në zonën e Skelës. Cilësimi vlonjat, ndoshta nuk është i saktë, pasi Sulo Shehu në fakt është shkodran. Është pjesë e një komuniteti të vogël prej gati 30 familjesh që erdhën diku nga vitet ’30-’40 dhe u integruan me qytetin i cili në dukje të parë është i sertë, por si çdo qytet-port, ka të zhvilluar sensin e integrimit. Ky komunitet ka edhe njerëz të tjerë të famshëm. Njëri prej tyre, gjenerali dhe komandanti i Aviacionit shqiptar në vitet e fundit Frederik Beltoja, është një emër tjetër i dëgjuar. Por tashmë ata e ndjejnë veten vlonjatë.
Kur e pyes Sulon për origjinën e parasë të tij dhe a është e vërtetë ajo që thonë për të, qesh, duke ma ngjitur të qeshurën edhe mua.
“Në sa thonë për mua ka të vërteta dhe të gënjeshtra,- thotë. E vërtetë është se nuk kam shkollim të lartë, pasi më është dashur të punoj që i vogël për të ndihmuar prindërit dhe pastaj familjen. Por kam shkollën e jetës. Që në vogëli, shoqëroja babanë tim që krasiste ullinjtë në fshatrat e Vlorës, dhe aty ndihmoja atë. Më pas, në pushimet e verës futesha të punoja në fabrikën e tullave. E pas kësaj në fermë, ku detyrohesha të bëja nga dy ose tre norma, pasi kisha krijuar edhe familje dhe më duhet ta mbaja me bukë. Gjatë kësaj kohe, kishte filluar shtrëngesa e madhe, por edhe dëshira e njerëzve për t’u veshur si perëndimi. Unë kisha një hallë e cila qepte. Kështu pasditeve i hyra zanatit që të bëja pantallona. Në fillim vetëm i prisja, pastaj mësova edhe të qep dhe me lekët e kursyera bleva një makinë qepëse kineze “Buterfly”. Bëja pantallonat më të bukura në Vlorë dhe punoja natë e ditë. Ashtu si sot, edhe atëhere nuk mungonin spiunimet dhe kontrollet. Por unë ia gjej gjithmonë anën. Atëhere iu qepja pa para pantallonat anëtarëve të këshillit dhe të plotfuqishmit të zonës, ndërsa sot paguaj tatimet kokërr më kokërr dhe nuk kanë ku më kapin, megjithëse ata të tatimeve, “java shtatë dhe ata tetë ditë i kalojnë në zyrat e mia”.
Qëkur fillova të punoja privat dhe deri sot, lekët kurrë nuk kanë munguar në duart e mia. Dhe kjo nuk vjen nga që unë jam magjistar apo siç mendojnë disa që biznesmenët janë hajdutë. Jo! Unë e ndjek tregun dhe nevojat e tij në çdo orë të jetës time. Madje edhe ëndrrat i shikoj me tregti. Kur ende ishte komunizmi, unë isha ndër të parët që kisha blerë një motor “MZ” dhe isha me para nëpër duar. Nuk më ka shkuar asnjëherë në mend të emigroj. Kur të tjerët shkonin në Tiranë që të merrnin viza dhe të iknin, unë shkoja dhe shikoja se me çfarë mallrash mund të bëjë tregti. Kur të tjerët vinin në Vlorë që t’i hypnin skafeve për të ikur, unë sillja mallra për të shitur. E kam filluar me rroba. Pastaj me elektroshtëpiake. Në fillim i sillja me një veturë timen, ku i fusja ca në bagazh, ca në sediljen mbrapa dhe ca në çatinë e saj. Sa vija në Vlorë, i shisja dhe pastaj nisesha prapë për Durrës apo Tiranë. Deri ditën që tregëtarëve tiranas ua blija maunet, sapo dilnin nga dogana.
Punoja edhe me kambizëm. Gjithë emigrantët, sidomos nartiotët i thyenin dhrahmitë tek unë, pasi nuk ju bëja hiletë që bënin shumë në ato kohë, si përshembull thyerja e kartmonedhave dy herë, e të tjera marifete. Ky ka qenë parimi im gjithmonë: Besueshmëria. Kjo më ka ndihmuar në biznes, ka bërë që klientët të vijnë tek unë, pasi kush blen tek unë një frigorifer apo një apartament, ka sigurinë që paratë e paguara ia vlejnë.”
Po atëhere ç’tu desh ndërtimi?- e pyes.
“Rastësisht-vazhdon Sulo. Po bëja shtëpinë, dhe si çdo punë, po i ndiqja punimet vetë. Ustallarët donin çimento. Vajta të blej një thes. Më habiti çmimi që më dha shitësi. Mora thesin dhe shënova numrin e telefonit që ishte sipër tij. Thërras nipin që dinte italisht dhe i thashë që të lidhej me fabrikën që ishte në Leçe dhe ta pyesnin sa kushtonte. Italianët ju përgjigjën që e kishin një përfaqësues për Shqipërinë. Por unë nuk e lashëm me kaq. Më kishte hyrë krimbi. E ndieja që diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes lëvizte. Një të marrë pasaportën e vëllait që kishte vizë, dhe i hipa tragetit. Bela tek kontrolli i pasaportave në Itali. Policia thoshte që nuk isha unë, unë po në timen që unë isha. Derisa atyre ju mbush mëndja të më linin. Pasi dola, puna e parë që bëra ishte blerja e një veture Benz të fjalës së fundit. Helbete, doja të paraqitesha përsëmbari. Por harrova dhe vajta me pantallona të shkurtra. Gjithsesi italianët më pritën mirë. Jo se ju mbusha mendjen me fjalë të bukura, por se kisha me vete një çantë të madhe që e kisha qepur vetë, plot me lireta. Dhe bëra atë që di të bëj: ju kërkova çmim konkurues. Italianët u habitën kur ju thashë sesa e shiste thesin përfaqësuesi i tyre. Nga ajo ditë e për dhjetra vjet, ju kam shitur me miliona ton çimento.
Pas kësaj i hyra edhe ndërtimit. E vërteta është që unë jam sot pronari më i madh i sipërfaqeve të ndërtimit në Vlorë. Kjo edhe për shkak se shumë nga ata që e kujtojnë biznesin si fushë me lule, i hyjnë ndërtimit dhe pastaj mbesin brenda të mbytur nga borxhet dhe të papriturat që sjell kjo fushë. Kuptohet që unë nuk jam bamirës, kur iu blej punët e mbetura përgjysëm. Por jam ai që bëj punën që duhet të bënte shteti, duke ju hequr lakun e bankave nga fyti dhe duke materializuar paratë e mia. Sot Vlora ka me qindra mijëra sipërfaqe ndërtimi të pashitura. Por njerëzit blejnë shtëpi në Sarandë, të huajt shkojnë gjithandej, por jo në Vlorë. Pse? Sepse shteti nuk i orienton drejt Vlorës. Vlora është qyteti më i pluhurosur dhe pa rrugë në Shqipëri. E them prapë që mua nuk më bën përshtypje që nuk shes pallatet e mia, pasi as i kam borxh njeriu dhe as bankave. Aty le të rrinë. Një ditë do ti shes dhe atë ditë do të fitoj edhe interesat e bankave të gjithë këtyre viteve nëse do ti kisha shitur që sot dhe klientët e mi do të kishin marrë kredi. Por shteti duhet të mendojë për Vlorën.”
Kur e pyes pse është me PD, Sulo ma kthen me të qeshur: “Po pse, të gjithë me PS-në do jemi? Më ka pëlqyer PD-ja që në fillim pasi ishte partia që solli lirinë e fjalës dhe të biznesit. Të paktën kështu mendonim në fillim. Pastaj ca nga bindjet dhe ca ngaqë nuk më pëlqen të hidhem sa andej këndej, e kam dashur këtë parti, megjithëse ndryshe nga sa mendojnë të tjerët, nuk më ka përkrahur apo hapur rrugë. Madje në kohën e saj më kanë vjedhur. Qeveria e saj as ka dashur t’ia dijë që Petrolifera më vodhi tokën që kisha blerë. Ia kam dalë vetë unë që në kohën e Partisë së Punës dhe nuk kam nevojë për politikën. I kam dhënë para PD të mbajnë gazeta e të hapin televizione me një telefonatë që më kanë bërë për ndihmë andej nga vitet ’97-’98. Por nuk ma ditën dhe as që dua të ma dinë. E kam bërë për qejfin tim. Ashtu siç i dhashë para Bashkisë së Socialistëve që ankoheshin se nuk ju jepte para Berisha që të festonin 100 vjetorin e Pavarësisë. Ashtu siç kam mbajtur 480 kosovarë në shtëpinë time në kohën e luftës në Kosovë. Të gjitha i bëj se ma thotë zemra. Sot nuk jam me asnjë. Jam me Vlorën. Pastaj gjithë sa thonë që Sulo është me PD apo i jep para asaj, janë fjalë që ne shqiptarët e kemi zakon ti tjerrim. Unë njoh Berishën, kam takuar Ramën, ashtu si çdo politikan me peshë që ka vendi. Nga unë kanë respektin si drejtues të këtij vendi. Por vetëm kaq. Tani mendoj për familjen time dhe të atyre që punojnë në firmat e mia.”
Po fjalët që janë hapur dikur sikur nuk dije të numëroje paratë, është e vërtetë?
“Do të tregoj një rast. Një herë kur shkova në Tiranë më thonë se pronarja e një firme donte të thyenta ca dollarë, por më priste tek zyra e saj pasi kishte frikë të lëvizte me para në duar. Shkova. Ishte Shemsie Kadria, por në atë kohë nuk e njihte askush. Më tha se kishte për të thyer 50.000 dollarë që i kishte ndarë në tufa. Nuk besoj se do ti numërosh-më tha. Vetëm njerën-ja ktheva. Do ti që ajo që më kapi dora kishte pesë fletë mangut. Ndërsa të tjerat ishin në rregull. E vetmja gjë që nuk dija unë, ishte gjuha e huaj. Besoj se një njeri që shkon e thyen valutë në Tiranë, blen mall, kthehet në Vlorë, shet mallin, ndjek tregun, pastaj blen valutë tjetër, nuk ka kohë të mësojë gjuhë të huaja. Por kjo nuk më ka penguar në jetë. Janë të ndara gjërat. Do të hanë të gjithë, edhe përkthyesit, apo jo?”
Sulo,-vazhdoj bisedën,-ti ke qënë në mes të Vlorës, në qytetin ku lulëzuan fajdet. Të gënjeu ndonjëherë mendja t’i fusje paratë në ato skema që ne ekonomistët i quajmë “Skema Ponzi”?
“Dëgjo Dritan,-ma kthen-,unë nuk arrita të bëj shkollë të lartë, por e njoh, e ndiej, e kuptoj si lëviz paraja. Një nga ditët kur nisën këto skema dhe gjithë Vlora fliste për to, sesa kollaj merrej përqindja, po udhëtoja me ca miq të mi tregëtarë me traget drejt Italisë, dhe atyre po u gënjehej mendja që mos të merreshin me zanatin e vështirë që ne kemi, por t’i çonin lekët me fajde. Ishim në barin e tragetit. Dëgjoni këtu, ju thashë, m’i jepni paratë që keni në xhepa. M’i dhanë. Kush është njeriu më i pasur i tavolinës?-i pyeta. Ti,- më thanë. Me paratë e kujt? Tonat-u përgjigjën. Po tani unë duhet t’ua kthej të shtuara, -vazhdova bisedën,-por meqënëse as lëviza nga vendi e as bëra tregti, duhet t’iu jap interesa nga paratë e mia. Ja e bëra këtë herë, po pastaj? E kuptoni or budallenj?! Kështu pra, jo vetëm që nuk më ka gënjyer mendja të fus para me fajde, por mendoj se kam shpëtuar shumë prej miqve të mi që më pyesnin.”
E gjitha kjo që përshkrova është vetëm një pjesë e bisedës. Tregimi i Sulos është në vetvete historia e biznesit shqiptar, ku me mijëra ja hynë dhe vetëm pak dolën në breg, pasi nuk e dinin se edhe biznesi si çdo zanat, kërkon dhunti. Është edhe historia e një vlonjati, i cili nuk është dorëzuar, megjithëse ka provuar në kurrizin e tij paragjykimet, gjobat, plumbat e bandave në muret e shtëpisë, rrëmbimin e nipave, peripecitë e tranzicionit shqiptar, i cili mesa duket nuk njeh fund./dritare.net

Please follow and like us: