Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Si e parandiej Shqipërinë e nesërme

Faik Konica ngjyra

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Parandiej një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale

Ja Konica profet tek flet:

“Në agimin e së nesërmes, parandiej një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale, ku do të  vibrojë një rini kureshtare, e dhënë pas artit, bukurisë, punës…”. O i Madhi Konica, me fjalën flori, sa bukur që shkruan, sa bukur mendon, parandien e parashikon! U ligështofshin ata që edhe sot të shajnë, të paragjykojnë, të ulin! Se ti di, para së gjithash e mbi të gjitha, ç’do të thotë emancipim shoqëror, bukuri intelektuale e shpirtërore, ide përparimtare e moderne, shpirt i lartë artistik, kur e ndjeje dhe e shprehje edhe vetë se populli ynë ishte “nga shpirti poet”. E doje vërtet Shqipërinë si Europa e përparuar dhe e qytetëruar, pa kurrfarë slogani demagogjik, sepse nuk reshte së kërkuari e punuari për stërvitjen mendore të popullit; e doje Shqipërinë plot madhështi, të pasur siç ishte në traditë e histori; e doje me një rini përherë përparimtare e studiuese, me misionin fisnik të së ardhmes së bukur të kombit. Andaj dhe penën e kishe predhë e fjalë plumb, tejet të ashpër, “siç i do vetë mushka drutë”, për të troshitur mendjet e mykura e të përgjumura, për të asgjësuar mendjet e mbrapshta dhe zemrat dashaliga, që veç e kanë mbajtë Shqipërinë peng në emër të Egos së Zezë që ndjell zi e zezonë (Mos ardhsh kurrë më ti vit i zi ’97!) Doje si e si të lartoje Shqipërinë skënderbejane që u bë mburojë e Europës, kur kjo dridhej si purtekë para Turqisë superfuqi; doje si e si të nxirrje në pah shkaqet e vërteta të rënies së kësaj superfuqiefoto 1pas 40 kryengritjesh të fuqishme të shqiptarëve; dhe mbi të gjitha, doje të ndizje shpirtin e Arbrit në Rilindje pafund, që kombi shqiptar të zinte doemos vendin e vet në diell, duke dalë nga hijet shekullore të së shkuarës; doje ekonomi të fuqishme si bazë e çdo zhvillimi shoqëror; doje arsim e kulturë të përparuar; doje thjesht të ndriturën Shqipëri që tanimë do vijë. Dhe s’ka pse mos vijë, me popullin sovran të votës së tij, kur “Shqiptari është punëtor dhe Shqipëria pjellore”,  e për më tepër, kur ekziston “vullneti për të lulëzuar përjetë Shqipërinë”, siç shprehet aq bukur në këto shkrime rubinë Spirobeg Konitza. / Monet Maneshi.

 

*** 

ÇËSHTJA SHQIPTARE

Nga Faik Konica

Deri më sot, jemi kënaqur duke ndjekur hap pas hapi shfaqjet e asaj force kombëtare, lulëzimi i plotë i së cilës do të shënojë fundin e sovranitetit të Sulltanit në Shqipëri dhe rilindjen e këtij vendi me një jetë të lirë, të harmonishme dhe me diapazon të gjerë. Na është dukur e kotë të bënim një paraqitje në vetvete të çështjes shqiptare; kjo çështje në fakt është nga ato që vetëm një koqe budallai ka të drejtë të mos e dijë. Të gjithë ata që e dinë se ekziston një shkencë e quajtur histori dhe njohin elementët e saj bazë, me siguri duhet të dinë kuptimin e termit të trefishtë Shqipëri, Shqiptar, çështje shqiptare.Për të paditurit, ja:

foto 3Quhet gadishull një shtrirje tokësore rrethuar nga ujë, me përjashtim të një ane, e cila e mban të lidhur me kontinentin; në jug-lindje të Evropës, është një gadishull i madh, Ballkani; në këtë Ballkan, një pjesë (pjesa perëndimore) quhet Shqipëri, vend malor e i thyer, ku sundojnë ngjyra e përhime dhe majat e thepisura. Toka: e pasur dhe pjellore.

Quhen Shqiptarë banorët e Shqipërisë. Janë tre milionë vetë. Është një populli i fuqishëm, i përkorë, i dhënë pas intrigave, por që e do artin dhe poezinë, pa qenë i vetëdijshëm, instinktivisht. Populli vuan nga uria.

Deri në mesin e shekullit XV, Shqipëria – ashtu sikurse krejt Evropa e atëhershme – nuk ishte veçse një grup qytezash të pavarura nga njëra-tjetra, dukate, kontate, baroni, feude dhe, më rrallë, qytete të lira. Me ardhjen e Turqve, qytezat shqiptare ndjenë sigurisht nevojën për të bashkuar forcat; nga ku dhe konfederata shqiptare, kryetar i së cilës u bë princi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fisnik i Krujës. Skënderbeu është Rolani i Shqipërisë; për njëzet e shtatë vjet, ai i kundërvuri një qëndresë fitimtare islamizmit pushtues të egër; Ronsëvoja dhe Kruja janë dy tempuj në Europë që Krishtërimi mirënjohës lypset t’i nderojë me pelegrinazhe të përvitshme. Europa, në atë kohë, as që e kishte atë guxim bukurosh që po na tregon tani; thjesht emri i Turqve u kallte datën europianëve më të guximshëm. Mbarë bota ishte e pranishme duke u dridhur në luftën që bënin Shqiptarët – domethënë Evropa – kundër Turqve; papa nxitoi t’i dërgonte Skënderbeut titullin e bujshëm Mbrojtës i Kryqit; dhe papa sot, vete e na shet te Austria, në mënyrë më të ulët që njihet. Nëse, në ato kohëra ndonjë kalemxhi (kjo kategori interesante përfaqësohej atëherë vetëm nga kronikasit), do të guxonte të thoshte në Evropë se Shqiptarët ishin të egër, atij me siguri do t’ia kishin prerë gjuhën në rrëzë. Për të kuptuar se çfarë përfaqësonte termi Shqiptar në Perëndim në kohën e ardhjes së Turqve në Evropë duhen lexuar historianët bashkëkohës dhe konkretisht Barleti.

Me vdekjen e Skënderbeut, Shqipëria, e braktisur nga të tërë, ra, por jo megjithatë pa e vazhduar edhe disa vjet luftën. Shqiptarët ranë nën zgjedhën e Turqve sikundër popujt e tjerë të Ballkanit; por Serbë, Bullgarë dhe Grekë ranë nën zgjedhë në mënyrë servile; vetëm Shqiptarët shfaqën vullnetin e tyre për t’u çliruar; gjatë katër shekujve, dyzet kryengritje shqiptare janë shkruar me të kuqe të fortë në historinë e Perandorisë osmane. Emrat e Ali Tepelenit, të Mustafa pashë Shkodrës, të Kara-Mahmud pashë Shkodrës, triumvirati i Manastirit i vitit 1830, kryengritja e vitit 1863, Abdyl beu dhe kryengritja që pasoi qeverinë e përkohshme më 1879 – të gjitha këto zënë një vend krejt të veçantë në historinë e shkaqeve të të tatëpjetës së Turqve në krahasim me revoltat foshnjarake të Grekëve e të Kretasve që nuk jepnin veçse një shfaqje prej operete.

Çështja shqiptare nuk është pra e re; ajo ka qenë e shtruar për t’u zgjidhur që prej katër shekujsh. Deri më tani, ishte një çështje kombëtare; sot është, sidomos, për mendimin tim, një çështje ekonomike. Duke qenë se Shqiptarët janë punëtorë dhe se Shqipëria është pjellore, duhet ditur në kanë a s’kanë hajdutët e dërguar nga Sulltani si funksionarë të drejtë t’i rrëmbejnë këtij populli produktin e punës së tij dhe ta lënë të vdesë urie; duhet ditur në kanë a s’kanë foto 2Shqiptarët të drejtë të organizohen në shtet të lirë për të shpalosur lirisht vullnetin e tyre drejt mirëqenies; të dihet në kanë a s’kanë të drejtë ta fitojnë këtë pavarësi me të gjitha mjetet, qoftë me ato që vënë në dispozicion industritë primitive, qoftë me ato që u njihen përparimeve të njëfarë shkence.

Hëpërhë, kemi në radhë të parë të drejtë që çështja të shtrohet siç duhet: për fat të keq, zëri ynë është tepër i dobët për të arritur gjer te publiku i gjerë, dhe gazetat e mëdha as që denjojnë të trajtojnë një çështje që është megjithatë interesante nga tërë pikëpamjet. Vetëm shtypi gjerman e italian i kanë bërë një jehonë të gjerë në tërë kohërat çështjes shqiptare. E kemi për detyrë t’i falënderojmë. Ne do t’u ishim nga zemra mirënjohës shtypit anglez, francez, belg e të tjerëve, nëse do kishin mirësinë t’i bënin lexuesit e tyre me dije për çështjet e Shqipërisë.

Për më tepër që këtë muaj lëvizja autonomiste u forcua së tepërmi në Shqipërinë e Veriut. Gjendja është po ashtu e rëndë në Elbasan. Muajin e ardhshëm do ndodhin ndoshta ngjarje të papritura, i ndiej…

Albania 5, 30 korrik 1897.

***

NJË VIT PUNË  –  ÇFARË KEMI BËRË

 Për rininë studiuese të Shqipërisë

Jemi pa dyshim shumë pranë fillimeve të përpjekjes sonë – duke u vendosur përpara kësaj përpjekjeje – që të mund të matim forcën apo dobësinë, rëndësinë apo kotësinë e saj. Po flas për përpjekjen e bërë nga punëtorët e kësaj reviste për të ndërtuar një Gjuhë – me materiale të forta por të çrregullta, të lëna nga stërgjyshër pak kureshtarë për gjërat e mendjes. Sepse, ndërkohë që mendimi ynë i parë ka qenë dhe vazhdon të jetë edukimi intelektual i popullit shqiptar, do të ishte mirë të mos harrohej aspak që çekani me të cilin farkëtohet kjo vepër e admirueshme, e vështirë dhe për më tepër e meritueshme që është edukimi i popullit, çekani pra, është Gjuha – dhe Linguistika, e kotë në vetvete, është e madhe nëpërmjet rrugës së çel për ecjen e Idesë.

foto 4Le të mos i vijë mirë dikujt që unë kam pretendimin të mohoj kontributet e mëdha të paraardhësve të ndërgjegjshëm e të zgjuar; e kam thënë tashmë në numrin fillestar të Albania-s në një shkrim disi të shpejtë dhe me stil të dobët, por me një mendim të drejtpërdrejtë, se gjuha shqipe ishte krijuar për narracionin që prej një kohe mjaft të hershme dhe se ajo ekziston për poezinë epike dhe për këngë dashurie që prej ku dihet sa shekujsh. Por sigurisht, nuk do të më pëlqente as mua vetë, që të dilte ndokush – sot a nesër – ndoshta me njëfarë pamje të arsyeshme, për të mohuar që jo më larg se dje ishte jashtëzakonisht e vështirë të shprehej në gjuhën tonë një ide e përgjithshme dhe e pamundur të përkthehej një faqe nga një mendimtar i huaj.

Jo se rezultati i sotëm ka njëfarë rëndësie; por ai nxjerr në pah një rrënjë të fuqishme dhe, për të parë zhvillimin e saj, lypset që ne të pësojmë tiraninë e pashmangshme të Viteve*.

Për më tepër, është për të ardhur keq që nuk arrij të shkëpus arsyen nga ajo mburrje e vajtueshme. E ç’rëndësi ka se je apo nuk je i vlerësuar, përderisa je i vetëdijshëm se ke bërë një vepër të dobishme? Është e vërtetë që kam bashkëpunëtorë dhe që u detyrohem një lavdërim. Por mund t’ua lë edhe të tjerëve kënaqësinë për ta bërë këtë.

foto 5Në agimin e së nesërmes, parandiej një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale, ku do vibrojë një rini kureshtare, e dhënë pas artit, bukurisë, punës; ata Shqiptarë të rinj do dinë t’i gjykojnë me drejtësi e zemërgjerësi përpjekjet tona, pleksur me dobësi, ngadalësi dhe paaftësi, por me gjithë zemër të çiltra. Do të shqyrtojnë me krejt burimet e dokumentacionit dhe të kritikës çka ishte gjuha jonë dje dhe çka do të jetë gjuha e tyre nesër, gjuha ku do përmbledhin mendimet apo ëndrrat e tyre; dhe asaj gjuhe, sa muskuloze aq edhe të brishtë do t’i kërkojnë datën e lindjes dhe do dinë ta përcaktojnë.Një ndjenjë tjetër po ashtu, që do ta quaja me shumë dëshirë ethe e kombësisë, domethënë një vullnet i domosdoshëm për t’u ndjerë i gjallë si komb, ka mbërthyer prej disa kohësh rininë shqiptare.

Duhet që kjo ethe të përhapet, të zgjasë e të përforcohet. Të duash Shqipërinë nuk do të jetë më si më parë, një sport – do të jetë: vullneti për t’u lulëzuar përjetë.*Për të nxjerrë në pah forcën e fjalës, autori i shkruan me germë të madhe fjalët: Gjuha, Linguistika, Ideja, Vitet. Po ashtu, nisur nga rregulli drejtshkrimor në frëngjisht, emrat e banorëve të një kombi i shkruan me germë të madhe: Shqiptarët, Grekët, Turqit, Francezët, etj.

SPIROBEG KONITZA

Albania 12, 30 prill 1898.

 

Përktheu nga frëngjishtja e përgatiti për botim M.Maneshi.

 

Please follow and like us: