Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa paralajmëron riformatim të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa njoftoi të enjten kabinetin qeveritar lidhur me lirimin nga detyra e zëvendëskryeministrit, të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ndërsa paralajmëroi edhe riformatimin e qeverisë.

 

Mustafa paralajmëron riformatim të qeverisë

“Kujtim Shala ka kërkuar të lirohet nga pozita e zëvendëskryeministrit në mënyrë që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jemi duke biseduar edhe me partnerët e koalicionit, PDK-në në rend të parë, që të punojmë edhe në riformatimin e qeverisë, dhe më vonë të gjitha plotësimet do t’i bëjmë në këto suaza”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar i dha sot aprovimin Nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë, për bashkëpunim Kulturor. Ministria kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është angazhuar që të zhvillojë negociatat për finalizim të marrëveshjes në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në qeverinë Mustafa ka pasur edhe disa ndryshime të tjera, më i rëndësishmi ishte dorëheqja e zëvendëskryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi në 26 shkurt 2016 u zgjodh President i Republikës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Në qeveri, në vend të Thaçit, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë u emërua Hajredin Kuçi, e në vend të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë u emërua Dhurata Hoxha, ndërsa ministër i Jashtëm u emërua Enver Hoxhaj.

Në qershor, kryeministri Mustafa liroi nga detyra ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihej edhe ai. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor aktualisht është Ferat Shala, që ishte zëvendësministër.

Please follow and like us: