V E N D I M PËR DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2016 – 2017

V E N D I M PËR DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2016 – 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 39, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9522, datë 25.4.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1.     Dhënien, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi për  nxënësit e viteve të para deri në vitin e katërt, për vitin shkollor 2016-2017.

2.     Vlera e bursës do të jetë 95 200 (nëntëdhjetë e pesë mijë e dyqind) lekë për nxënës në vit, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës.

 

3.     Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.

 

4.     Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.

 

5.     Bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër, e cila, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.

 

6.     Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 

7.     Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.