Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton dhe Trump, gjasat në zgjedhjet presidenciale


Hillary Clinton (djathtas) dhe Donald Trump

Më 8 nëntor amerikanët do të vendosin në mes të demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump, për president të SHBA-ve.

Dy fushatat, ajo e kandidates demokrate Clinton dhe kandidatit republikan Trump, po mundohen që të identifikojnë “votuesit e mundshëm”, shkruan Associated Press.

Identifikimi i tyre bëhet me qëllim që të ndërtohet një model i asaj që ata mendojnë se si duket elektorati, përfshirë këtu se cila është përqindja e votuesve të bardhë, afrikano-amerikanëve, hispanikëve; çfarë feje i përkasin votuesit, cili është niveli i shkollimit të tyre; si dhe sa përqind e të rinjve dalin në votime krahasuar me personat më të moshuar.

“Votuesit e mundshëm” janë ata që kanë votuar edhe më herët. Sondazhet e fundit kanë treguar se në nivel kombëtar epërsia e Clintonit ndaj Trumpit është zvogëluar dhe betejat më të mëdha do të zhvillohen në ato shtete që presidenti Barack Obama i ka fituar dy herë.

Ndonëse zgjedhjet do të mbahen më 8 nëntor, fituesi i tyre mund të zgjidhet edhe më herët, falë votimeve përmes postës.

A mundet që Clinton të fitojë para Ditës së Zgjedhjeve?

Pikërisht votimet përmes postës, ku njerëzit mund të votojnë më herët se dita e votimit, janë fokusi i fushatës së demokrates Clinton, e cila në këtë drejtim ka përparësi ndaj Trumpit – e kjo gjë mund të bëjë dallimin në rezultatin e përgjithshëm.

Gjithsesi, asnjë votë nuk do të numërohet para 8 nëntorit, por kjo gjë u jep hapësirë anketuesve që të bëjnë kalkulime se tek cili kandidat kanë mundur të shkojnë ato vota.

Para katër vitesh, rreth 46.6 milionë njerëz apo 35 për qind e elektoratit votuan para ditës së zgjedhjeve, e ky numër pritet të rritet këtë vit.

Clinton do të mundohet që të ripërsërisë suksesin e presidentit Barack Obama, i cili fitoi dy palë zgjedhje, duke i kushtuar shumë rëndësi votimit të hershëm.

Obama, në vitin 2008, arriti të marrë më shumë vota të hispanikëve dhe të personave me ngjyrë. Të njëjtën gjë bëri edhe në zgjedhjet e vitit 2012.

Clintoni është duke shpenzuar miliona dollarë në mënyrë që të bindë njerëzit që të votojnë më herët. Fushata e saj identifikon votuesit potencialë dhe rreth 50 mijë vullnetarë janë duke dalë në terren për t’i bindur votuesit që të regjistrohen në zgjedhje dhe të votojnë më herët.

Ndërkaq, fushata e republikanit Trump është treguar më e ngathtë në rekrutimin e vullnetarëve dhe nuk e ka vënë si prioritet votimin e hershëm.

Por, Partia Republikane thotë se në terren janë duke punuar 1 mijë punëtorë dhe 5 mijë organizatorë dhe vullnetarë, me qëllim që të mobilizojnë votuesit. Komiteti Shtetëror i Republikanëve ka për qëllim që të mbajë hapin me demokratët dhe ata duan që votat në Ditën e Zgjedhjeve të jenë ato që do të përcaktojnë fituesin.

A do të mundet Trumpi të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhje të votuesve të bardhë?

Nëse Donald Trump zgjidhet president i SHBA-ve, çelësat e Shtëpisë së Bardhë do të duhet t’ia japin amerikanët e bardhë. Për të fituar, atij i duhet që të marrë sa më shumë vota, nga 55 milionë amerikanë të bardhë – 33 milionë meshkuj dhe 32 milionë femra- të cilët kanë të drejtë votimi, por nuk votojnë.

Këtu Obama përdori fuqinë në mesin e votuesve të rinj, afrikano-amerikanëve dhe votuesve jo të bardhë, për të mposhtur Mitt Romney-n, për 5 milionë vota nga 127 milionë sa ishin gjithsej.

“Koalicioni i Obamas” është pikërisht pika ku Trumpi ka më së shumti vështirësi. Këto grupe të votuesve janë pikërisht fokusi i Clintonit dhe për një arsye të mirë : sondazhet në vitin 2012 treguan se Obama fitoi vetëm katër nga 10 votat e amerikanëve të bardhë, por prapë ai fitoi 332 vota elektorale, ndërkaq Romney fitoi vetëm 206.

Nëse elektorati qëndron përafërsisht i njëjtë si ai i vitit 2012, Trumpit i duhet të fitojë rreth dy të tretat e votave të bardhëve – që do të ishte një rritje e madhe krahasuar me Mitt Romney-n, apo 60 për qind më shumë. Këto shifra nuk i ka arritur asnjë kandidat që prej Ronald Reagan në vitin 1984.

Duke shtuar këtu edhe vështirësinë e Trumpit që të marrë vota nga amerikanët e bardhë që janë të shkolluar, sondazhet tregojnë se ai është larg performancës së Romney-t.

Këshilltarja e Trumpit, Karen Giorno, thotë se fushata është duke punuar për të fituar çdo votë, por ajo thekson se Trump bën thirrje për “shumicën e heshtur të cilët mendojnë se është mbushur kupa”. Trump nuk ishte republikani i vetëm që këtë vit i është qasur “shumicës së heshtur”.

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, që doli i dyti në garën e brendshme për nominim në Partinë Republikane, ka thënë se fitorja e republikanëve shkon përmes konservatorëve të pakënaqur, të cilët nuk dolën në votime më 2008 dhe 2012. Ai ka specifikuar se në mesin e tyre janë më shumë se 50 milionë të krishterë evangjelistë, shumica prej tyre të bardhë.

Dallimi, thotë këshilltari i Cruzit, Chris Wilson, është se senatori i Teksasit ka pasur një fushatë të sofistikuar që ka punuar në identifikimin e votave dhe se, sipas tij, Trump nuk ka një qasje të tillë. (REL)

Please follow and like us: