Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton rifillon fushatën zgjedhore


U.S. Democratic presidential candidate Hillary Clinton pauses while speaking at a campaign rally in Greensboro, North Carolina, United States, September 15, 2016, after she resumed her campaign schedule following a bout with pneumonia.

Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton ka rifilluar fushatën pas një pauze prej katër ditësh si rezultat i diagnostikimit me pneumoni. Dje ajo u takua me zgjedhësit në Karolinën e Veriut, ndërsa rivali i saj, republikani Donald Trump u përqëndrua tek politikat ekonomike në një aktivitet në nju Jork:

Ekonomia amerikane aktualisht shfaq ritme të ulëta papunësie dhe rritje të të ardhurave mesatare. Por zoti Trump thotë se ende ka një numër tepër të lartë amerikanësh pa punë:

“Aktualisht, 92 milionë amerikanë janë jashtë forcës aktive punëtore dhe nuk janë pjesë e ekonomisë sonë. Ata janë pjesë e një kombi të heshtur me amerikanë të papunë”.

Zoti Trump ishte ftuar në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut dje, ku tha se ekipi i tij ka një plan që do të krijojë 25 milionë vende të reja pune dhe një rritje mesatare ekonomike prej 3.5%.

“Një ndër çelësat për të mobilizuar rritje ekonomike është eliminimi gradual i rregulloreve shkatërrimtare që u imponuan për vite me radhë nga burokratë të shfrenuar”.

Zoti Trump ishte tepër kritik sidomos ndaj marrëveshjeve të tregtisë:

“Pasi Kina u antarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë, mesatarja e rritjes për ekonominë amerikane ra në 2%. Praktika grabitqare në tregti, shitje mallrash nën koston e prodhimit, manipulime të monedhës si dhe vjedhja e pronës intelektuale kanë rezultuar në humbjen e miliona vendeve të punës si dhe të triliona dollarëve në të ardhura për vendin tonë”.

Kandidati demokrat për nënpresident, Tim Caine, iu kundërvu pikëpamjeve të zotit Trump për gjendjen e ekonomisë amerikane dhe librit të tij Crippled America – Amerika e Gjymtuar.

“Ndoshta ashtu i duken gjërat atij nga maja e grataçielës ku jeton – i duket se Amerika është gjymtuar. Nuk mendoj se jemi në atë gjendje. Mendoj se jemi një komb optimist, punëtor dhe patriotik që di t’i zgjidhë problemet”.

Në fjalimin e saj të parë për fushatë, pas një pauze për arsye shëndetësore, zonja Clinton tregoi një anë më të butë të saj:

“Dua t’u krijoj fëmijëve tanë një botë më të sigurtë. Për mua kjo nënkupton një botë me aleatë të fortë, me më shumë miq, më pak armiq dhe me më pak armë bërthamore”.

Kandidatja demokrate u shpreh me kritika ndaj qeverisjes së Karolinës së Veriut, e cila ishte përpjekur pa sukses të ndryshonte rregulloret e votimit, që në këndvështrimin e shumë vetëve do të dëmtonin pakicat:

“Nuk mund të ketë motivacion më të madh se synimi që çdo i ri, çdo person nga pakicat, çdo individ me aftësi të kufizuara, çdo i moshuar të dalë për të votuar”.

Në fjalën e saj dje, zonja Clinton u përpoq të bindte amerikanët se do të punojë për të krijuar mundësi të reja për amerikanët që ballafaqohen me rrethana të pafavorshme.

Please follow and like us: