Albspirit

Media/News/Publishing

Gara rajonale për 6.5 miliardë euro në vit në infrastrukturë

 

Bashkimi Europian synon të forcojë ndikimin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor kundrejt konkurrentëve të drejtpërdrejtë si Kina, Rusia, etj. Por, rajoni ka nevojë për shumë fonde për të siguruar një ndërlidhje që do t’i shërbente kësaj logjike. Vetëm për investimet në infrastrukturë, shifra e kërkuar llogaritet mesatarisht në rreth 6.5 miliardë euro në vit për një periudhë dhjetëvjeçare. Disa akademikë kanë realizuar një studim në lidhje me investimet që do të kërkohen dhe ku duhet të përqendrohen ato

Kur vjen puna për të ruajtur ndikimet në arenën gjeopolitike, mjetet që përdoren shpesh mund bien në kundërshtim edhe me vetë politikat e brendshme. Por, në fund të fundit, mjeti justifikon qëllimin. Ky është edhe rasti i strategjisë që Bashkimi Europian po ndjek me vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6). Bëhet fjalë për atë që njihet si Procesi i Berlinit, për zbatimin e të cilit është krijuar edhe një program që lehtëson menaxhimin e projekteve strategjike, i njohur si “Western Balkans Investment Framework” (WBIF).
Bashkimi Europian është i vendosur që të forcojë ndikimin në rajonin e Ballkanit, në kushtet kur konkurrentët e drejtpërdrejtë si Rusia e Kina po tregohen agresivë.
Rajoni ka shumë probleme, ai nuk është i ndërlidhur mes tij.
Tre akademikë, Claude Berthomieu, Massimo Cingolani, Anastasia Ri kanë ndërmarrë një studim të detajuar ku paraqesin gjendjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, problemet që kanë dhe sfidat që i presin për një periudhë të paktën 5-10-vjeçare.
Pavarësisht, nga një tendencë e qartë e Procesit të Berlinit për t’i dhënë më shumë prioritet energjisë dhe transportit, sipas studimit, sektori social dhe ai mjedisor kanë nevojë për investime kyçe, që janë të rëndësishme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.

1001 problemet e Ballkanit
Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të rëndësishme, si: tejkalimi i tranzicionit të institucioneve përmes reformave strukturore, adaptimi i legjislacionit, arritja e nivelit më të lartë të të ardhurave për frymë, reduktimi i papunësisë, ulja e varfërisë dhe pabarazisë etj.
Modernizimi i infrastrukturës dhe integrimi i suksesshëm janë një test i vërtetë për rajonin në kushtet e tanishme, përfshirë këtu edhe emigracionin. Adresimi i këtyre sfidave në të njëjtën kohë, thuhet në studim, është i vështirë dhe duhet të mbështetet edhe nga zhvillimi ekonomik.
Zgjidhja për pazëllin duhet të gjendet në bashkimin e copave dhe baza janë investimet. Zhvillimi i qëndrueshëm i rajonit nuk mund të arrihet pa investimet, private dhe publike.
Investimet private janë ende të ulëta, pas rënies dramatike që pësuan për shkak të krizës së 2008-s. Në këto kushte, thonë ekspertët, duhet të jenë investimet publike ato që të udhëheqin. Në kushtet e masave shtrënguese, qeveritë tentojnë që të shkurtojnë buxhetet për këto investime.
Por, tani që po shfaqen shenjat e përmirësimit, është e rëndësishme që rritja të mbështetet përmes investimeve në infrastrukturë.
Investimet që kërkohen janë thelbësore. Në Ballkanin Perëndimor stoku i kapitalit fizik për frymë llogaritet nën 30% dhe kjo është poshtë mesatares së BE-së. Në studim thuhet se është e vështirë që të jepen elemente të saktë të investimeve që kërkohen, megjithatë kërkimet e mëparshme kanë treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor shpesh parashikojnë buxhete të konsiderueshme për investime dhe rreth 25% e tyre i zënë ato në infrastrukturë.
Pikërisht për të mbështetur këto zhvillime, në vitin 2014 nisi edhe ai që më pas u njoh si procesi i Berlinit. Në të u bë e ditur se rreth 150 milionë euro në vit do të dedikoheshin nga buxheti për të garantuar zhvillimin e ndërlidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020.
Projektet e para u miratuan në Samitin e Vjenës që u mbajt më 27 gusht 2015, që parashikonte zbatimin e 6 projekteve rrugore dhe hekurudhore, për një vlerë prej rreth 342.5 milionë euro që do të financoheshin me fonde nga Programi i Para-Anëtarësimit (IPA).
U vendos gjithashtu që do të mbështeteshin edhe 4 projekte fushën e interkonjeksionit dhe transmetimit të energjisë për një total prej 274 milionë eurosh.
Përveç ndërlidhjes, thuhet në studim, rëndësi i është kushtuar edhe kërkesës për të mbështetur sektorë si ai social dhe mjedisor. Kjo do të mund të arrihet me ndihmën e fondeve IPA.
Vlerësohet se përveç fondit 1 miliard euro për ndërlidhjen, do të mund të sigurohen edhe 1.8 miliardë euro për projektet e investimeve kapitale në rajon.

Nevoja për më shumë investime
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia kanë nevojë urgjente për investime, thuhet në studim, në mënyrë që të arrijnë rrjetet bazë infrastrukturore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Nevojat janë të mëdha në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Ndërsa investimet private janë ngadalësuar, ekziston një mundësi për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit, kjo duke i dhënë një shtysë më të madhe infrastrukturës. Një gjë e tillë do të eliminonte kufizimet për të krijuar një mjedis më të favorshëm për investime private vendase dhe të huaja direkte. Në studim thuhet se nëse kjo mundësi do të humbasë, në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, atëherë do të vazhdojë pabarazia aktuale strukturore dhe do të mbeten të “mbërthyera” në tranzicion, moszhvillim, tensione sociale edhe për vitet në vijim.
Një infrastrukturë më e mirë do të përmirësonte tërheqjen e kapitalit të huaj, si dhe do të ngushtonte hendekun që ekziston me Bashkimin Europian.
Në studim thuhet se gjatë vitit 2015 janë bërë përpjekje për të rritur investimet, veçanërisht ato direkte, që janë udhëhequr nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.
Është e rëndësishme që të mbështetet ky trend pozitiv për ta vendosur Ballkanin Perëndimor në rrugën e rritjes së qëndrueshme. Një infrastrukturë më e mirë do të thotë akses më i shpejtë në energji, ndërlidhje më e mirë transportuese drejt tregjeve me forcë pune të kualifikuar. Të gjitha këto janë sinjale pozitive për sektorin privat.

Dhe një nga aspektet tërheqëse të Ballkanit Perëndimor është fuqia punëtore me kosto të ulët. Sipas studimit, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, paga mesatare është 420 euro. Për orë pune, kostoja për çdo punëtor mesatarisht është 4.4 euro. Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagesës për orë pune, për çdo punëtor në rreth 2.2 euro, e cila është 10% më e ulët se mesatarja e BE-së.
Një tjetër çështje që mundon Ballkanin janë edhe flukset emigratore në rritje, gjë e cila shoqërohet me një sërë pasojash zinxhir. Studimi tregon se gjatë dy viteve të fundit, kërkesat nga personat që kanë kërkuar për herë të parë azil nga vendet e Bashkimit Europian janë trefishuar. Në vitin 2013, numri i tyre ishte 56,000, ndërsa në vitin 2015, ky numër arriti në rreth 172,000, veçanërisht si pasojë e kërkesave të mbërritura nga Shqipëria dhe Kosova. Azilkërkuesit nga gjashtë vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë më shumë se 15% të numrit total të atyre me origjinë nga vendet jo të BE-së.

monitor 744.indd

Studimi tregon se zgjidhja për këto flukse emigratore duhet të gjendet te përmirësimi i tregut të punës, në këtë mënyrë do të mund të ulej ritmi i tyre.
Në këtë aspekt do të ndihmonin edhe investimet private, por ritmi i tyre është ulur ndjeshëm. Investimet private, thotë studimi, janë në nivele të ulëta dhe së bashku me papunësinë mbeten probleme kyçe.
Në vitin 2015, norma e papunësisë në rajonin e Ballkanit ishte 23% ose rreth 13 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e EU15. Kjo tendencë rrit emigracionin drejt vendeve europiane më të zhvilluara.
Një aspekt i rëndësishëm që pengon zhvillimin e këtij rajoni është edhe infrastruktura, e cila vuan nga mirëmbajta e dobët dhe fondet që kërkohen për rehabilitim janë të larta. Infrastruktura rrugore në vendet e Ballkanit Perëndimor është tre herë më e dobët sesa në vendet e BE-së.
Rrjeti hekurudhor gjithashtu është në gjendje të vështirë dhe përthith më pak investime sesa ai hekurudhor, edhe pse është më konkurrues me tarifat.
Vetëm për të zhvilluar 31 projekte prioritare të përcaktuara në rrjetin e SEETO-s, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për 6.7 miliardë euro investime. Në total, vetëm për transportin investimet e nevojshme llogariten në rreth 40 miliardë euro, përfshirë këtu edhe Kroacinë.
Nga ana tjetër, rajoni nuk shfrytëzon të gjithë potencialin e tij për prodhimin e energjisë. Megjithatë, varësia nga importet në këto vende është më e ulët, por ky sektor në zonat urbane kërkon rritje të kapaciteteve. Çmimet e energjisë janë dy herë më të ulëta sesa në BE dhe energjia e prodhuar është më konkurruese, duke u kthyer në potencial eksporti dhe input të lirë për industrinë e brendshme. Sipas Strategjisë së Komunitetit të Energjisë, skenari me kosto minimale parashikon një total investimi që kërkohen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në rreth 35.5 miliardë euro. Por, një skenar më ambicioz që parashikon edhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit e çon këtë shifër në 59.9 miliardë euro.
Sektori i mjedisit ofron një sërë mundësish, por duhet marrë në konsideratë vulnerabiliteti i tij. Hendeku infrastrukturor në këtë sektor është i madh dhe mund të prodhojë një sërë efektesh.
Sektori social, veçanërisht ai i edukimit gjatë periudhës së tranzicionit, nuk ka qenë ndër prioritetet kryesore të qeverive. Niveli i regjistrimeve në institucionet arsimore ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në rajonet si Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë–Hercegovina.
Në vendet e Ballkanit, shpenzimet për shëndetësi dhe edukim nga ana e qeverive janë më të ulëta se niveli europian. Studimi tregon se investimet në edukim dhe shëndetësi nuk mund të japin rezultate të menjëhershme, por ato ndikojnë në zhvillimin afatgjatë, pa të cilën struktura e papunësisë nuk mund të përmirësohet.
Studimi i akademikëve europianë tregon se duke marrë në konsideratë normën e lartë të papunësisë, qeveritë nuk duhet të tregohen neglizhente, por duhet t’i konsiderojnë si prioritete kombëtare.
Një sektor me potenciale të mëdha janë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Roli i tyre në rritjen e punësimit është thelbësor, por ato përballen me kushte të forta për kreditimin, gjë që i vë përballë vështirësive. Ky vlerësohet si sektori që ka nevojë për më shumë investime në terma vjetorë.
Investimet në infrastrukturë do të përmirësonin kushtet e zhvillimit. Numri i tyre është më i madh në sektorin e ndërtimit.

Çfarë duhet të ndryshojë
Mesazhi kryesor që përcillet përmes këtij studimi për vendet e Ballkanit Perëndimor është se asnjë strategji nuk mund të zhvillohet pa investime.
Në infrastrukturë, nevojat janë të mëdha dhe urgjente. Fondet IPA II parashikojnë grante për vendet e Ballkanit Perëndimor në vlerën 2 miliardë euro për periudhën 2015–2020. Në logjikën e Western Balkans Investment Framework, këto grante mund të mbështeten edhe nga kreditë që mund të ofrojnë institucionet ndërkombëtare financiare.
Në studim thuhet se në Shqipëri ka nevojë urgjente për investime në sektorin hekurudhor, i cili është ndërtuar që në vitin 1917. Ndërsa vlerësohen përmirësimet që janë bërë në përmirësimin e rrjetit rrugor, i cili është zgjeruar në masën 45% (sipas të dhënave të vitit 2014). Gjatë dhjetë viteve të fundit, thuhet në studim, Shqipëria ka bërë përpjekjet më të mëdha, duke ndërtuar më shumë se 300 km rrugë, e ndjekur nga Kroacia dhe Serbia përkatësisht me 280 dhe 240 km. Megjithatë, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë densitetin më të ulët të rrugëve 1 km/1,000 banorë në rreth 13-19 km. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, investimet vjetore në infrastrukturën rrugore llogariten mesatarisht në 0.8%. Sipas SEETO-s, investimet urgjente në infrastrukturë vlerësohen në rreth 12.5 miliardë euro (9.3 mld euro për hekurudhat dhe 3.1 mld euro për rrugë). Vetëm për zbatimin e 48 projekteve prioritare të nisura në vitin 2016 nevojiten 9.64 miliardë euro.
Në studim thuhet se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë promovimit të SME-ve, të cilat janë shtyllat e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Ato përbëjnë 99.6% të “popullsisë” sipërmarrëse, shifër e cila është afër mesatares së BE-së që është rreth 99.8%. Shqipëria renditet ndër vendet e Ballkanit që kanë një kontribut të ulët të SME-ve në punësim, në rreth 60%, në një nivel gati të njëjtë me Malin e Zi. Parashikohet që investimet në SME, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020 të llogariten në rreth 9.7 miliardë euro, sipas skenarit më të mirë.
Sipas studimit, rritja ekonomike mund të stimulohet përmes investimeve, por kapacitetet huamarrëse duhet të adaptohen sipas konceptit të ‘hapësirës fiskale’ bazuar edhe në vizionin e donatorëve të të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ekziston gjithashtu rreziku se rajoni mund të mbërthehet në një cikël vicioz të rritjes së ulët, të investimeve të dobëta private, papunësisë së lartë dhe nivelit të lartë të borxhit.
Për të adresuar këtë sfidë, roli i zhvillimit të financave është vendimtar. Kjo është e vetmja mënyrë për të financuar projekte afatgjata të nevojshme.

Please follow and like us: