Albspirit

Media/News/Publishing

George MONBIOT*: Neoliberalizmi po krijon vetmi, kjo po e rrënon shoqërinë

xhorxh-monbiot

Çfarë akuze më të madhe mund të ketë për një sistem sesa një epidemik e sëmundjeve mendore? Megjithatë murtaja e ankthit, stresit, depresionit, fobive sociale, çrregullime të të ngrënit, vetëdëmtimi dhe vetmia tashmë godet njerëzit në të gjithë botën. Nga të fundit, një shifër katastrofike për shëndetin mendor të fëmijëve në Angli, reflekton një krizë globale.

Ka shumë e shumë arsye dytësore për këtë shqetësim, por mua më duket se shkaku themelor që qëndron fshehur, është kudo i njëjti: qëniet njerëzor, mamalët ultra-socialë, truri i të cilëve përgjigjet ndaj njerëzve të tjerë, po zhvishen nga këto cilësi. Ndryshimet ekonomike dhe teknologjike luajnë një rol të madh, por kështu ndodh edhe me ideologjinë. Pasi mirëqënia jonë lidhet pazgjidhshmërisht me jetët e të tjerëve, kudo na thuhet se ne do të prosperojmë përmes egoizmit konkurrues dhe individualizmit ekstrem.

Në Britani, burrat që e kanë kaluar tërë jetën e tyre në një ecejakje katërkëndore, – shkollë, kolegj, bar e parlament-  na mësojnë të qëndrojmë mbi këmbët tona. Sistemi arsimor bëhet gjithnjë e më brutalisht konkurrues vit për vit. Papunësia është një betejë për vdekje me një tërësi njerëzish të tjerë të dëshpëruar që ndjekin gjithnjë e më pak vende pune. Konkurrenca e pandalshme në televizion ushqen aspirata të pamundshme si mundësi reale.

Konsumerizmi mbush boshllëkun social. Por larg nga të kuruarit e sëmundjes së izolimit, ai intensifikon krahasimin social deri në pikën kur, pasi ke konsumuar çdo gjë tjetër, ne nisim të bëjmë prehë veten tonë. Media sociale na bashkon dhe na ndan, duke na lejuar që me saktësi të shprehim rëndësinë tonë sociale, dhe të shohim se njerëzit e tjerë kanë më shumë  “miq” dhe “ndjekës” sesa kemi ne.

Ashtu si e ka dokumentuar në mënyrë të shkëlqyer Rhiannon Lucy Cosslett, vajzat dhe gratë e reja e kanë bërë rutinë të ndryshojnë fotografitë që postojnë për ta bërë veten e tyre të duken me të këndshme dhe më të holla.

A ka ndonjë habi, që në këto botë të brendshme vetmie, në të cilat prekja e fotografive zëvendësohet me riprekjen e tyre, që gratë e reja të preken nga shqetësimet mendore? Një vëzhgim i fundit në Angli sugjeron se një në katër gra të moshës midis 16 dhe 24 vjeç, i kanë bërë keq vetes, dhe një në tetë tashmë vuan nga çrregullim i stresit post-traumatik. Ankthi, depresioni, fobitë apo çrregullimet obsessive-kompulsive prekin 26 për qind të grave të kësaj moshe. Kjo është pamja që ka një krizë e shëndetit publik.

Nëse thyerja sociale nuk trajtohet po aq seriozisht sa edhe gjymtyrët e thyera, kjo ndodh për shkak se ne nuk e shohim atë. Por neuro-shkencëtarët munden. Një seri artikujsh interesantë sugjerojnë se dhimbja sociale dhe ajo fizike procesohen nga të njëjtat qarqe neurotikë. Kjo mund të shpjegojë përse, në shumë gjuhë, është e vështirë të përshkruash ndikimin e thyerjes së lidhjeve sociale pa përdorur fjalët që ne përdorim për të paraqitur dhimbjen fizike apo plagosjen. Si tek humanët ashtu edhe tek mamalë të tjerë sociale, kontakti social redukton dhimbjen fizike. Kjo është arsyeja përse ne përqafojmë fëmijët tanë kur ata lëndojnë veten e tyre: afeksioni është një analgjezik i fuqishëm. Ilaçet qetësuese lehtësojnë si agoninë fizike ashtu edhe stresin e ndarjes. Ndoshta kjo shpjegon lidhjen midis izolimit social dhe varësisë nga ilaçet.

Eksperimentet e përmbledhura në revistën shkencore “Physiology & Behaviour”, muajin e shkuar sugjerojnë se, nëse u jepet mundësia të zgjedhin dhimbjen fizike apo izolimin, mamalët socialë do të zgjidhnin të parën.

Majmunët Capuchin të lënë si pa ushqim e pa kontakt për 22 orë, u gëzohen shokëve përpara se të hanë. Fëmijët që përjetojnë neglizhencë emocionale, sipas disa kërkimeve, vuajnë pasoja më të rënda në shëndetin mendor sesa fëmijët që përjetojnë si neglizhencë emocionale ashtu edhe abuzim fizik; e tmerrshme siç është, dhuna përfshin edhe vëmendje e kontakt. Vetëdëmtimi shpesh përdoret si një përpjekje për të lehtësuar shqetësimet; një tjetër tregues që dhimbja fizike nuk është po aq e keqe sa edhe dhimbja emocionale. E atë që sistemi i burgjeve e di tepër mirë: një nga format më efektive të torturës është izolimi.

Nuk është e vështirë të shihet se cilat mund të jetë arsyet evolucioniste për dhimbjen sociale. Mbijetesa midis mamalëve socialë rritet në mënyrë domethënëse kur ata janë të lidhur fort me pjesën tjetër të grupit, apo tufës. Janë kafshët e izoluara dhe të margjinalizuara që kanë më shumë gjasa të bien në kthetrat e grabitqarëve apo të ngordhin urie. Ashtu si dhimbja fizike na mbron nga plagosja fizike, dhimbja emocionale na mbron nga lëndimet sociale. Na drejton ne të rilidhemi. Por shumë njerëz e shohin këtë pothuajse të pamundur.

Nuk është e habitshme që izolimi social shoqërohet fuqishëm me depresionin, vetëvrasjet, ankthin, pagjumësinë, frikën dhe t’u ndjerët nën kërcënim. Eshtë më shumë e habitshme të zbulosh spektrin e sëmundjeve fizike që shkakton izolimi social apo sesi i përkeqëson. Demencia, presioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, goditjet cerebrale, rezistenca e ulur ndaj viruseve, madhe edhe aksidentet janë më të zakonshme mes njerëve të vetmuar në mënyrë kronike. Vetmia ka një ndikim të krahasueshëm për shëndetin fizik me pirjen e 15 cigareve në ditë: duket se rrit rrezikun e vdekjes së hershme me 26 për qind. Kjo vjen pjesërisht për shkak se rrit prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit, që dëmton sistemin imunitar.

Studimet si tek kafshët ashtu edhe tek njerëzit sugjerojnë një arsye për rregullin e të ngrënit: izolimi redukton kontrollin e impulsive duke sjellë obezitet. Ndërsa ata që ndodhen në fund të shkallës social-ekonomike kanë më shumë gjasa të vuajnë nga vetmia, a mund të provohet si një nga shpjegimet për lidhjen e fortë midis statusit të ulët ekonomik dhe obezitetit?

Çdokush mund të shohë se diçka shumë më e rëndësishme sesa pjesa më e madhe e çështjeve që ne diskutuam, ka shkuar keq. Kështu përse ne angazhohemi në këtë nxitim botë-ngrënës, vetë-konsumues të shkatërrimit mjedisor dhe zhvendosjes sociale, nëse gjithçka ai prodhon për ne është një dhimbje e padurueshme? A duhet që kjo pyetje të mos jetë në buzët e secilit në jetën publike?

Ekzistojnë disa bamirësi të mrekullueshme që na bëjnë të mund të luftojmë këtë baticë, me disa nga të cilat unë do të punoj si pjesë e projektit tim të vetmisë. Por, për secilin person që ato arrijnë, disa të tjerë mbeten pas.

Kjo gjë nuk kërkon një përgjigje politikash. Kërkon diçka shumë më të madhe: rivlerësimin e të gjithë pikëpamjes për botën. Nga të gjitha fantazitë me të cilat argëtohen qëniet njerëzore, ideja se ne mund të ecim të vetëm është më absurdja e ndoshta më e rrezikshmja. Ose qëndrojmë bashkë, ose rrëzohemi.

George Monbiot është shkrimtar britanik, që njihet për aktivizmin e tij mjedisor dhe politik. Ai shkruan një kolonë të përjavshme për “The Guardian” dhe është autor i një numri librash.

Përktheu: Juli Prifti

Please follow and like us: